NABALI
[i pamend; budalla].
Pronar i kamur dhensh nga Maoni, i cili i kulloste dhe i qethte kopetë e tij në Karmel të Judës. Nabali ishte pasardhës i Kalebit. Pak personazhe biblike janë përshkruar me kaq përbuzje sa Nabali. «[Ai] kishte një sjellje të ashpër dhe të keqe»; ishte ‘kaq i pavlerë [bir i Belialit], sa ishte e kotë t’i flisje’; ‘në këmbim të së mirës shpërblente me të keqe’; ishte ‘i pamend’.—1Sa 25:2, 3, 17, 21, 25.
Burrat e Davidit kishin mbrojtur nga kusarët kopetë e Nabalit, që arrinin në 3.000 kokë dele e 1.000 kokë dhi. Meqë kishte qenë mirëdashës me të dhe nuk kishte përvetësuar asgjë që nuk i takonte, Davidi kërkoi nga Nabali që t’i jepte diçka atij dhe burrave të tij në këtë periudhë qethjeje, kur ishte zakon të festohej e të tregohej mikpritje. Mirëpo Nabali «iu hakërrua» lajmëtarëve të Davidit dhe i dëboi duarbosh. Njerëzit e Nabalit ia kishin frikën reagimit të Davidit, por nuk guxonin të flisnin me Nabalin. Megjithatë, një prej tyre i tregoi Abigailës, gruas së Nabalit. Ndërsa Davidi po shkonte që të vriste Nabalin, Abigaila i doli përpara plot me ushqime e pije dhe e bindi që të mos bëhej fajtor gjaku duke i vrarë të shoqin. Kur u kthye në shtëpi ajo e gjeti Nabalin «xurxull», ndaj priti deri në mëngjes e i tregoi se ishte takuar me Davidin dhe se, për shkak të tij, për pak sa nuk i kishin vrarë të gjithë. Nabalit «sa s’i pushoi zemra dhe u bë si gur», shprehje që tregon se ndoshta i ra ndonjë lloj paralize ose se kjo gjë e tronditi jashtë mase. (Krahaso Lp 28:28; Ps 102:4; 143:4.) Rreth dhjetë ditë më vonë, Jehovai e goditi Nabalin dhe ai vdiq. (1Sa 25:2-38) Atëherë Davidi e mori për grua Abigailën e mençur dhe të guximshme.—1Sa 25:39-42; 27:3; 30:5; 2Sa 2:2; 3:3.