NEHEMIA
[Jah ngushëllon].
1. Ndoshta një nga prijësit që u kthyen nga mërgimi në Babiloni me Zorobabelin.—Ezd 2:1, 2; Ne 7:7.
2. Bir i Azbukut dhe princ i gjysmës së krahinës së Beth-Zurit. Meqë Beth-Zuri ndodhej në rajonin malor të Judës (Js 15:21, 48, 58), Nehemia mund të ketë qenë jude. Në vitin 455 p.e.s., ai mori pjesë në meremetimin e murit të Jerusalemit.—Ne 3:16.
3. Bir i Hakaliahut dhe vëlla i Hananit; kupëmbajtës i Artakserks Dorëgjatit, mbretit të Persisë, e më vonë guvernator i judenjve; rindërtoi murin e Jerusalemit dhe shkroi librin biblik që mban emrin e tij.—Ne 1:1, 2, 11; 2:1; 5:14, 16.
Vitin e 20-të të mbretërimit të Artakserksit, në muajin hislev (nëntor-dhjetor), teksa ndodhej në kështjellën e Shushanit, Neheminë e vizitoi i vëllai, Hanani, dhe disa burra të tjerë nga Juda. Ai i pyeti për judenjtë dhe ata i treguan për gjendjen e mjerë të tyre dhe për muret e portat e Jerusalemit që dergjeshin të rrënuara. Nehemia u prek dhe shpërtheu në lot. Për ditë të tëra mbajti zi, agjëroi e u lut pareshtur. Ai rrëfeu mëkatin e Izraelit dhe, duke u mbështetur te fjalët që Perëndia i kish thënë Moisiut (Lp 30:1-4), i kërkoi Jehovait ta bënte mbretin Artakserks ‘t’i vinte keq për të’, që t’ia dilte në krye me rindërtimin e murit të Jerusalemit.—Ne 1.
Më vonë, në muajin nisan (mars-prill), lutjet e Nehemisë morën përgjigje. Mbreti vuri re se Nehemia ishte i trishtuar dhe e pyeti pse. Nehemia i foli për gjendjen e mjerë që mbretëronte në Jerusalem. Kur e pyeti çfarë kërkonte prej tij, Nehemia sakaq iu lut Perëndisë dhe i kërkoi leje mbretit që të kthehej e të rindërtonte Jerusalemin. Kërkesa iu plotësua. Gjithashtu, ai i dha Nehemisë letra që i jepnin të drejtë të kalonte lirisht nëpër territoret e guvernatorëve në perëndim të Eufratit e të furnizohej me lëndë drusore për ndërtimin. Ai u nis drejt Jerusalemit i shoqëruar nga krerë të forcave ushtarake dhe kalorës.—Ne 2:1-9.
Rindërtohen muret e Jerusalemit. Nehemia kishte tri ditë që ndodhej në Jerusalem. Pa i treguar askujt, përveç atyre pak burrave që ishin me të, ai doli natën për të vëzhguar qytetin. Ai kishte hipur në një kafshë, ndoshta një kalë ose gomar, kurse të tjerët ishin në këmbë. Në njëfarë vendi pirgu i rrënojave pengonte kalimin, ndaj Nehemia zbriti dhe e vazhdoi rrugën në këmbë.—Ne 2:11-16.
Si vëzhgoi gjithë qytetin, Nehemia u foli judenjve për planin e tij dhe u tregoi se mbi ta ishte dora e Jehovait. Të inkurajuar ata u përgjigjën: «Të ngrihemi e ta ndërtojmë murin!» Megjithëse Sanballati, horoniti, Tobia, amoniti, dhe Geshemi, arabi, i përqeshnin, meremetimi i murit filloi rreth ditës së 4-t të muajit ab (korrik-gusht).—Ne 2:17-20; krahaso Ne 6:15.
Ndërsa puna ecte, Sanballati dhe Tobia vazhdonin t’i përqeshnin e t’i vinin në lojë judenjtë lidhur me përpjekjet për meremetimin e murit të Jerusalemit. Nehemia e bëri këtë objektin e lutjeve të tij «dhe populli punonte me gjithë zemër». Kur muri arriti deri në gjysmë, Sanballati, Tobia dhe popujt fqinjë e intensifikuan kundërshtimin e u bashkuan për të luftuar kundër Jerusalemit. Judenjtë që banonin afër qytetit i çuan fjalë disa herë Nehemisë për këtë. Por edhe kësaj here, ai u mbështet plotësisht te Jehovai duke iu lutur. Për të përballuar këtë situatë të tensionuar, ai armatosi punëtorët, mori masa që disa të tjerë të bënin rojë dhe sajoi një sistem alarmi. Nehemia nuk i hiqte rrobat as natën, me sa duket për të qenë gati për luftë nëse rojat i binin alarmit.—Ne 4.
Megjithëse situata ishte e ngutshme dhe ishte mjaft i zënë, Nehemia nuk e bëri veshin të shurdhër para klithmës së judenjve. Kur i dëgjoi të ankoheshin për interesat e larta që duhej të paguanin, ai qortoi fisnikët dhe mëkëmbësit, mblodhi një asamble të madhe dhe, pasi e demaskoi këtë të keqe, dha urdhër që situata të rregullohej.—Ne 5:1-13.
Pas kësaj armiqtë u përpoqën të ndalnin rindërtimin. Katër herë u munduan ta shpërqendronin Neheminë nga puna, por ai u tha se s’mund ta ndërpriste punën. Më pas, Sanballati i dërgoi një letër të hapur me akuza të rreme me anë të së cilës e ftonte të këshilloheshin së bashku. Nehemia ia ktheu: «Asgjë nga ato që po thua nuk ka ndodhur, por ti i sajon nga mendja.» Tobia dhe Sanballati provuan një dredhi tjetër. Ata paguan një jude që ta frikësonte Neheminë dhe ta shtynte të mëkatonte duke u fshehur në tempull. Por Nehemia nuk iu dorëzua frikës dhe meremetimi i murit përfundoi me sukses ditën e 25-të të muajit elul (gusht-shtator), vetëm për 52 ditë. Megjithatë, Tobia vazhdoi t’i çonte Nehemisë letra për ta frikësuar.—Ne 6.
Pasi përfundoi muri, Nehemia u përqendrua tek organizimi i shërbëtorëve të tempullit. Më pas, ai vuri në krye të qytetit dy burra, njëri prej të cilëve ishte Hanani, i vëllai. Gjithashtu, Nehemia dha udhëzime për hapjen, mbylljen dhe mbikëqyrjen e portave të qytetit.—Ne 7:1-3.
Regjistrimi gjenealogjik. Në këtë kohë, popullsia e Jerusalemit ishte mjaft e vogël. Duket se për këtë arsye Perëndia i shtiu në zemër Nehemisë të mblidhte fisnikët, mëkëmbësit dhe popullin që të regjistroheshin sipas gjenealogjisë, pasi këto të dhëna do të mund të përdoreshin për shtimin e popullsisë së Jerusalemit. Mbase gjatë kohës që ishte përqendruar te regjistrimi gjenealogjik, ai gjeti regjistrin e mërgimtarëve që ishin kthyer nga Babilonia me Zorobabelin.—Ne 7:4-7.
Rivendoset zbatimi i Ligjit. Ndoshta me urdhër të Nehemisë u mbajt një asamble në sheshin afër Portës së Ujërave. Drejtimin për t’i mësuar Ligjin popullit e mori kryesisht prifti Ezdra, por edhe Nehemia mori pjesë. (Ne 8:1-12) Më pas, u kremtua për tetë ditë festa e Kasolleve. Dy ditë më vonë izraelitët u mblodhën përsëri. Gjatë kësaj asambleje, Izraeli rrëfeu mëkatet dhe u hartua një dokument ku u shkrua rrëfimi. Këtë dokument rrëfimi ose «marrëveshje të denjë për besim» e vulosën princat, levitët dhe priftërinjtë. I pari e vulosi Nehemia, «tirshata [guvernatori]». (Ne 8:13–10:1) Mbarë populli pranoi të mos lidhte krushqi me të huajt, të respektonte sabatin dhe të mbështeste shërbimin në tempull. Pastaj, një në dhjetë veta u zgjodh me short për të banuar përgjithnjë në Jerusalem.—Ne 10:28–11:1.
Më pas, u përurua muri i Jerusalemit. Nehemia caktoi dy kore të mëdha falënderimi dhe procesione që të përshkonin murin në drejtime të kundërta. Pastaj të gjithë u takuan në tempull për të bërë flijime. Veç kësaj, disa burra u caktuan që të merreshin me kontributet për priftërinjtë dhe levitët.—Ne 12:27-47.
Rreth 12 vjet më vonë, vitin e 32-të të mbretërimit të Artakserksit, Nehemia iku nga Jerusalemi. Kur u kthye sërish, i gjeti judenjtë në kushte të mjera. Kryeprifti Eliashib kishte bërë në oborrin e tempullit një sallë ngrënieje për Tobinë, pikërisht për atë që dikur i ishte kundërvënë me dashaligësi punës së Nehemisë. Nehemia veproi menjëherë. Ai flaku jashtë sallës së ngrënies tërë orenditë e Tobisë dhe dha urdhër që salla të pastrohej.
Gjithashtu, Nehemia mori masa për të siguruar kontribute për levitët dhe urdhëroi rreptësisht mbajtjen e sabatit. Veç kësaj, disiplinoi ata që kishin marrë gra të huaja, bijtë e të cilave nuk ishin në gjendje as ta flisnin gjuhën judaike: «Nisa t’i qortoja dhe t’i mallkoja, godita disa burra prej tyre, u shkula flokët dhe i bëra të betoheshin për Perëndinë: ‘Nuk duhet t’ua jepni bijat tuaja bijve të tyre dhe nuk duhet të pranoni asnjë prej bijave të tyre për bijtë tuaj ose për vete.’ »
Nehemia ‘i qortoi’ këta burra duke i kritikuar me anë të ligjit të Perëndisë dhe duke demaskuar fajin e tyre. Këta judenj po i sillnin kombit të rivendosur mospëlqimin e Perëndisë, ndërkohë që Ai me dashamirësi i kishte kthyer në atdhe për të rivendosur adhurimin e vërtetë në Jerusalem. Nehemia ‘i mallkoi’ në kuptimin që u numëroi një për një gjykimet e ligjit të Perëndisë për shkelje të tilla. Ai ‘i goditi’, ka të ngjarë jo vetë, por mund të ketë urdhëruar t’i fshikullonin si masë gjyqësore kundër tyre. ‘U shkuli (një pjesë të) flokëve’, si një gjest indinjate dhe turpërimi para popullit. (Krahaso Ezd 9:3.) Në fund, Nehemia dëboi nipin e kryepriftit Eliashib, që ishte martuar me të bijën e Sanballatit, horonitit.—Ne 13:1-28.
Shembull i shkëlqyer. Nehemia është një shembull i vërtetë besnikërie dhe përkushtimi. Ai nuk ishte egoist, pasi la postin e rëndësishëm të kupëmbajtësit në oborrin mbretëror të Artakserksit për të rindërtuar muret e Jerusalemit. Pavarësisht se kishte shumë armiq, Nehemia nuk ngurroi të rrezikonte për të mirën e popullit të tij dhe të adhurimit të vërtetë. Jo vetëm drejtoi punimet për meremetimin e murit të Jerusalemit, por iu fut punës edhe vetë. Nuk e harxhoi kohën kot, ishte i guximshëm dhe sypatrembur, u mbështet plotësisht te Jehovai dhe veproi përherë me maturi. I zellshëm për adhurimin e vërtetë, Nehemia e njihte ligjin e Perëndisë dhe e zbatonte. Meraku i tij ishte të ndërtonte besimin e bashkatdhetarëve të tij. Tregoi frikën e përshtatshme ndaj Perëndisë Jehova. Megjithëse e zbatoi me zell ligjin e Perëndisë, nuk i shtypi të tjerët për përfitimin e vet, përkundrazi u kujdes për ata që vuanin. Nuk kërkoi kurrë ushqimin që i takonte guvernatorit, madje pagoi nga xhepi i tij për të ushqyer një numër të konsiderueshëm njerëzish. (Ne 5:14-19) Me të drejtë Nehemia mund të lutej: «Më kujto për mirë, o Perëndia im!»—Ne 13:31.