NEFTOAHU
Emër që lidhet me një burim në kufirin mes Judës dhe Beniaminit. (Js 15:1, 9; 18:11, 15) Në përgjithësi mendohet se është burimi në Lifta (ʽEn-Neftoahu), në lindje të Kiriat-Jearimit dhe rreth 4 km në perëndim-veriperëndim të Malit të Tempullit në Jerusalem. Kjo vendndodhje do të ishte në harmoni me atë që thotë Josiu 15:9, por nga Josiu 18:15, 16 duket se «burimi i ujërave të Neftoahut» ndodhej në perëndim të Kiriat-Jearimit. Përkthyesit e Biblës janë përpjekur ta zgjidhin në mënyra të ndryshme këtë mospërputhje në dukje. Duke ndjekur Septuagintën greke, përkthimi The Jerusalem Bible e zëvendëson pjesën «në drejtim të perëndimit» me «drejt Gasinit». Në Revised Standard Version vargu është ndryshuar në harmoni me Josiun 15:9 dhe thotë «drejt Efronit» në vend se «në drejtim të perëndimit». Ronald A. Noksi e përkthen fjalën hebraike jámmah (në drejtim të perëndimit) sipas kuptimit të mirëfilltë «drejt detit» dhe shpjegon në një shënim: «Kjo duhet të ketë kuptimin drejt perëndimit, drejt Mesdheut. Por duket fare qartë se në këtë pikë kufiri i Beniaminit kthente drejt lindjes; prandaj deti ka shumë të ngjarë të jetë Deti i Vdekur, kufiri i tij lindor.»