PEREZI
[çarje; çarje e nënvetes].
Njëri nga binjakët që i lindën Judës nga e reja e tij, Tamara. Gjatë lindjes, Zerahu, vëllai i Perezit, filloi të dilte i pari, por u tërhoq dhe i pari doli Perezi, duke i shkaktuar Tamarës një çarje në nënvete. (Zn 38:24-30) Perezi pati gjithmonë epërsi mbi të vëllanë; emri i tij renditet përherë i pari dhe shtëpia e tij u bë më e njohur se ajo e Zerahut. (Ru 4:12) Perezi dhe dy bijtë e tij, Hezroni dhe Hamuli, përmenden mes pasardhësve të Jakobit që shkuan në Egjipt. Atje të tre u bënë krerët e tri familjeve të Judës. (Zn 46:8, 12) Veç këtyre fakteve, Bibla nuk jep asnjë të dhënë personale për Perezin.
Referimet për Perezin janë kryesisht gjenealogjike, pasi pjesa më e madhe e gjenealogjive të Judës kalon nëpërmjet tij. (1Kr 2:4, 5, 9-55; 4:1-20) Familjet e Perezit dhe të dy bijve të tij formonin një pjesë të mirë të fisit të Judës në kohën e regjistrimit të dytë në shkretëtirë. (Nu 26:20-22) Disa nga pasardhësit e Perezit bënin pjesë në grupin e parë të shërbimit mujor. (1Kr 27:3) Shumë nga bijtë e Perezit u kthyen nga mërgimi në Babiloni dhe 468 prej tyre u vendosën me banim në Jerusalem. (1Kr 9:3, 4; Ne 11:4, 6) Një linjë e drejtpërdrejtë gjenealogjike e lidh Perezin me Davidin, nëpërmjet Boazit, dhe në fund me Jezuin, Mesinë.—Ru 4:18-22; 1Kr 2:4-15; Mt 1:3; Lu 3:33.