PIBESETI
[nga gjuha egjipt., që do të thotë «shtëpi e (perëndeshës) Bastetit»].
Qytet që përmendet bashkë me Onin (Heliopolin) tek Ezekieli 30:17, në një profeci kundër Egjiptit. Në përkthimin e Septuagintës ky varg e lidh Pibesetin me Bubastin, një qytet i lashtë në zonën e deltës, rrënojat e të cilit gjenden në Tell-Basta, rreth 70 km në veri-verilindje të Kajros, pranë qytetit të sotëm të Zagazigut. Emri i qytetit të lashtë që shfaqet në mbishkrimet egjiptiane, tregon një ngjashmëri të qartë me emrin hebraik Pibeset.
Pibeseti ose Bubasti ishte qendra e adhurimit të perëndeshës Bastet, ose Basti, një perëndeshë e paraqitur shpesh me kokë maceje. Prania e një varreze të madhe macesh pranë qytetit dëshmon se aty mbizotëronte adhurimi i saj. Çdo vit mbahej një festë për nder të Bastetit, ku mblidheshin mijëra adhurues nga i gjithë vendi.
Ndonëse Pibeseti ishte kryeqyteti i nomit (krahinës) të 18-të në Egjiptin e Poshtëm, ai e arriti kulmin e vet politik gjatë periudhës së sundimit të mbretërve libianë në Egjipt, duke nisur nga faraoni Shishak, bashkëkohës i Solomonit dhe Rehoboamit. (1Mb 11:40; 14:25, 26) Pibeseti ishte një qytet mbretëror i Shishakut. Profecia e Ezekielit flet për pushtimin e Egjiptit nga babilonasit, kur Pibeseti do të pushtohej. Më vonë, qyteti u shkatërrua nga persët, kurse sot në atë vend të lashtë kanë mbetur vetëm rrënojat.