PISGAHU
Vend i lartë në pjesën veriore të vargmalit Abarim, tamam në lindje të Detit të Vdekur. Nuk dihet vendndodhja e saktë. Referimet biblike nuk bien ndesh me vendndodhjen e sugjeruar për të, domethënë me Ras-es-Sijagahun, një skaj i vargmalit rreth 16 km në lindje të pikës ku Jordani derdhet në Detin e Vdekur. Ras-es-Sijagahu ndodhet pak më në veriperëndim të Jebel-en-Nebës, të malit që sipas traditës është mali i Nebos (Har-Nevo).
Veçoritë fizike të këtyre dy pikave të larta përputhen me përshkrimin e shkurtër të Biblës. Ras-es-Sijagahu është rreth 100 m më i ulët se Jebel-en-Neba dhe e ndan nga ai një luginë e vogël ose grykë. Edhe pse pak më i ulët se maja fqinje, Ras-es-Sijagahu është më afër Jerikosë dhe nga atje shihet si në pëllëmbë të dorës Deti i Vdekur, rreth 1.000 m poshtë, si edhe një panoramë e shkëlqyer e luginës së Jordanit, e vargmalit qendror ku ndodhen Hebroni, Betlehemi e Jerusalemi, dhe e malit Hermon më shumë se 160 km në veri.
Pisgahu përmendet për herë të parë kur flitet për vendfushimet e Izraelit gjatë udhëtimit drejt Tokës së Premtuar. (Nu 21:20) Ndodhej në pjesën jugore të territorit që pushtuan izraelitët kur mundën amoritët, pasi mbreti i tyre, Sihoni, nuk i lejoi të kalonin përmes vendit. (Lp 4:46, 49; Js 12:1-3) Më vonë, Balaku, mbreti i Moabit, e çoi Balaamin «në fushën e Zofimit, në majë të Pisgahut», prej nga u orvat më kot t’i mallkonte izraelitët.—Nu 23:14.
Megjithatë, Pisgahu kujtohet më tepër se prej atje Moisiu rroku me sy Tokën e Premtuar kur ishte në prag të vdekjes. (Lp 3:27; 34:1-3) Pisgahu bënte pjesë në territorin e fisit të Rubenit.—Lp 3:16, 17; Js 13:15, 20.
Kur shfaqet në Bibël, emri Pisgah shoqërohet gjithmonë me shprehje si «në fundin e», «në majë të» ose «shpatet e». Prandaj, shpesh quhet mali Pisgah, edhe pse Shkrimet s’e përdorin këtë term.