POTIFARI
[nga gjuha egjipt., formë e shkurtuar e emrit Potifera].
Një zyrtar i oborrit dhe kreu i truprojës së faraonit. Për njëfarë kohe ishte zotëria i Jozefit dhe, me sa duket, ishte një njeri i pasur. (Zn 37:36; 39:4) Potifari ua bleu Jozefin disa tregtarëve udhëtues midianitë dhe me kalimin e kohës, duke parë se ai ishte një shërbëtor i mirë, e vuri mbi gjithçka që kishte në shtëpi e në fushë, të cilat Jehovai i bekoi për shkak të Jozefit.—Zn 37:36; 39:1-6.
Mirëpo gruaja e Potifarit nuk ishte aq besnike ndaj tij, sa ishte shërbëtori Jozef. Ajo u përpoq në mënyrë të vazhdueshme ta joshte Jozefin dhe një ditë, kur nuk kishte njerëz të tjerë në shtëpi, e mbërtheu nga rrobat. Megjithatë, Jozefi përsëri nuk pranoi dhe ia mbathi jashtë. Kur Potifari mbërriti në shtëpi, ai dëgjoi vetëm lumin e akuzave të rreme që lëshoi gruaja e tij e tërbuar. I zemëruar, Potifari e futi Jozefin në burg.—Zn 39:7-20.
Me ç’duket, burgu ishte i lidhur me shtëpinë e Potifarit, ose të paktën, ishte nën mbikëqyrjen e tij si «kreu i truprojës». Ja përse tregimi biblik thotë se kryekupëmbajtësi dhe kryebukëpjekësi i faraonit ishin futur në të njëjtin burg, «në burgun e shtëpisë së kreut të truprojës», «në burgun e shtëpisë së zotërisë [së Jozefit]». (Zn 39:1; 40:1-7) Gjithsesi, duket e pamundur që Potifari të jetë i njëjti person me atë që përshkruhet si «kryezyrtari i burgut të shtëpisë», i cili «i la në dorë të Jozefit gjithë të burgosurit». (Zn 39:21-23) Ky zyrtar duhet të ketë qenë një vartës i Potifarit.
Titulli që mbante Potifari si «zyrtar i oborrit» është përkthim i fjalës hebraike sarís, «eunuk», që në kuptimin më të gjerë do të thotë shambelan, oborrtar ose zyrtar i besuar i fronit. ‘Zyrtari i oborrit [sarís] që kishte nën komandë luftëtarët’ kur Jerusalemi ra në vitin 607 p.e.s., ishte pa dyshim një zyrtar i lartë i qeverisë dhe jo një person i tredhur, pa vetitë mashkullore. (2Mb 25:19) Po kështu edhe Potifari ishte një ushtarak, kreu i truprojës, si edhe burrë i martuar, fakte që tregojnë se ai nuk ishte eunuk në kuptimin e rëndomtë të fjalës.