PUTEOLI
Një port kryesor në juglindje të Romës në shekullin e parë të e.s. Pavli mbërriti në Puteoli kur po shkonte në Romë që të dilte para Cezarit, rreth vitit 59 të e.s. (Ve 28:13) Me ndihmën e jugës, anija e tij arriti «ditën e dytë» në Puteoli nga Regjiumi, një vend rreth 320 km në jug-juglindje.
Vëllezërit e krishterë të Puteolit iu përgjëruan Pavlit dhe shoqëruesve të tij që të qëndronin një javë me ta. (Ve 28:14) Kjo tregon se ai gëzonte njëfarë lirie, ndonëse ishte i burgosur. Edhe më parë, ndërsa ishte nën ruajtje në Cezare dhe Sidon, Pavli kishte gëzuar liri të kufizuar.—Ve 24:23; 27:3.
Në përgjithësi mendohet se Puteoli është Pocuoli i sotëm, që gjendet në gjirin me të njëjtin emër, rreth 10 km në perëndim-jugperëndim të Napolit. Atje ende shihen rrënoja të mëdha të një moli të lashtë. Historiani Jozef e përmend vendin me emrin e vjetër, Dikaerkia, dhe thotë se atje ndodhej një koloni judenjsh.—Antikitete judaike, XVII, 328 (xii, 1).