KUIRINI
Guvernatori romak i Sirisë në kohën kur Cezar Augusti urdhëroi të bëhej «regjistrimi» i popullsisë, si rrjedhojë e të cilit Jezui lindi në Betlehem. (Lu 2:1, 2) Emrin e plotë e kishte Pubël Sulpic Kuirini.
Në një listë e konsujve romakë, Chronographus Anni CCCLIIII, emri i Kuirinit shfaqet në vitin 12 të e.s. bashkë me emrin e Mesalës. (Chronica Minora, nga T. Momseni, Munih, 1981, vëll. I, f. 56) Historiani romak Taciti rrëfen shkurtimisht historinë e Kuirinit: «[Ai] vinte nga komuna e Lanuvit dhe nuk ishte farefis me njerëz të sërës së lartë. Por, meqë ishte luftëtar sypatrembur dhe shërbëtor i zellshëm, e bënë konsull në kohën e sundimit të Augustit të hyjnizuar. Pak më vonë, si pushtoi fortesat homonadensiane matanë kufirit të Kilikisë, e dekoruan . . . , [dhe e bënë] këshilltar të Gaj Cezarit, komandant ushtarak në Armeni.» (Analet, III, XLVIII) Vdiq në vitin 21 të e.s.
Taciti nuk e zë në gojë lidhjen e Kuirinit me Sirinë. Historiani jude Jozef e përmend emërimin e Kuirinit si guvernator të Sirisë njëherazi me emërimin e Koponit si sundimtar romak të Judesë. Ai shkruan: «Kuirini, një senator romak që kishte çarë përpara si magjistrat derisa kishte arritur në postin e konsullit, dhe njeri i shquar në aspekte të tjera, mbërriti në Siri si i dërguar i Cezarit për të qenë guvernator i kombit dhe për të bërë një vlerësim të pronave. Bashkë me të u dërgua Koponi, që i përkiste rangut të kalorësit, për të qeverisur me pushtet të plotë mbi judenjtë.» Më tej Jozefi tregon se Kuirini shkoi në Jude, ku shtrihej pushteti i tij, dhe urdhëroi të vileshin tatime. Kjo ngjalli zemërim të madh dhe një orvatje të dështuar për kryengritje, të cilën e kryesoi «Juda, një gaulanit». (Antikitete judaike, XVIII, 1, 2, 3, 4 [i, 1]) Me sa duket, bëhet fjalë për kryengritjen që përmend Luka te Veprat 5:37. Sipas tregimit të Jozefit, ajo ndodhi «vitin e tridhjetë e shtatë pas fitores së Cezarit kundër Antonit në Aktium». (Antikitete judaike, XVIII, 26 [ii, 1]) Kjo do të thotë se Kuirini ishte guvernator i Sirisë në vitin 6 të e.s.
Për një kohë të gjatë, historia jobiblike vërtetonte se Kuirini sundoi si guvernator i Sirisë vetëm gjatë kësaj periudhe. Mirëpo në vitin 1764 u zbulua në Romë një mbishkrim i quajtur Lapis Tiburtinus. Ndonëse në të nuk përmendet me emër Kuirini, shumica e studiuesve e pranojnë se të dhënat që përmban mbishkrimi mund të lidhen vetëm me Kuirinin. (Corpus Inscriptionum Latinarum, nga H. Desoja, Berlin, 1887, vëll. 14, f. 397, nr. 3613) Atje gjendet pohimi se, kur shkoi në Siri, ai u bë për ‘të dytën herë’ guvernator (ose emisar). Në bazë të disa mbishkrimeve të gjetura në Antioki, në të cilat shfaqet emri i Kuirinit, shumë historianë e pranojnë se ai ishte guvernator i Sirisë edhe para erës sonë.
Prapëseprapë, ata nuk janë të sigurt se ç’vend duhet të zërë Kuirini mes guvernatorëve të Sirisë që njeh historia. Jozefi përmend Kuintil Varin si guvernator të Sirisë në kohën kur vdiq Herodi i Madh e më pas. (Antikitete judaike, XVII, 89 [v, 2]; XVII, 221 [ix, 3]) Edhe Taciti tregon se Vari ishte guvernator në kohën e vdekjes së Herodit. (Histori, V, IX) Jozefi pohon se Vari pasoi Saturninin (C. Senc Saturninin).
Nën dritën e dëshmive që flasin për një qeverisje të mëparshme të Kuirinit si guvernator, shumë studiues hedhin idenë se ajo ndodhi gjatë viteve 3-2 p.e.s. Edhe pse kjo datë përkon më së miri me Biblën, baza mbi të cilën e zgjedhin studiuesit këtë datë është e gabuar. Ata thonë se Kuirini ishte guvernator në ato vite ngaqë e vendosin periudhën e sundimit të tij pas asaj të Varit, pra edhe pas vdekjes së Herodit të Madh, për të cilën përdorin si datë vitin 4 p.e.s., një datë e pranuar gjerësisht, por e pasaktë. (Shih KRONOLOGJIA; HERODI nr. 1 [Data e vdekjes].) (Për të njëjtën arsye, pra si rrjedhojë e përdorimit të datës së pavërtetuar 4 p.e.s si datë e vdekjes së Herodit, ata thonë se Vari qeverisi si guvernator nga viti 6 deri në vitin 4 p.e.s. Gjithsesi, kohëzgjatja e sundimit të tij është një hamendje, pasi Jozefi nuk e specifikon në ç’datë filloi ose mori fund sundimi i Varit.) Dëshmi më të besueshme tregojnë se Jezui lindi në vitin 2 p.e.s. Prandaj Kuirini duhet të ketë qenë guvernator gjatë atij viti ose një pjese të tij.
Disa studiues tërheqin vëmendjen te fakti se Luka përdor termin hegemón, i përkthyer zakonisht «guvernator». Ky term grek, që në thelb do të thotë «udhëheqës» ose «funksionar i lartë», përdorej për emisarët, prokuratorët dhe prokonsujt romakë. Ndaj disa shtrojnë hipotezën se në kohën e ‘regjistrimit të parë’ të përmendur nga Luka, Kuirini shërbente në Siri si emisar i posaçëm i perandorit dhe ushtronte pushtet të madh. Diçka tjetër që mund të hedhë dritë mbi këtë çështje është sundimi dualist që ekzistonte në Siri, sipas tregimit të historianit Jozef. Ai flet për dy persona, Saturninin dhe Volumnin, që shërbenin njëkohësisht si «guvernatorë të Sirisë». (Antikitete judaike, XVI, 277, 280 [ix, 1]; XVI, 344 [x, 8]) Pra, nëse Jozefi është i saktë kur thotë se Vari ishte guvernator i Sirisë pas Saturninit, atëherë Kuirini mund të ketë qeverisur njëherazi ose me Saturninin (siç kishte bërë Volumni), ose me Varin para vdekjes së Herodit (që ka shumë të ngjarë të ketë ndodhur në vitin 1 p.e.s.). Ja çfarë thuhet për këtë në një enciklopedi: «Kuirini qëndronte në të njëjtin nivel me Varin, guvernatorin e Sirisë, ashtu siç ndodhi më vonë edhe me Vespasianin dhe Mucianin. Vespasiani drejtonte luftën në Palestinë, ndërkohë që Muciani ishte guvernator i Sirisë; Vespasiani ishte legatus Augusti, pra pikërisht i njëjti titull dhe rang si ai i Mucianit.»—The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge, 1957, vëll. IX, f. 375, 376.
Një mbishkrim i zbuluar në Venecie (Lapis Venetus) përmend një regjistrim të popullsisë në Siri nga Kuirini. Mirëpo nuk jep ndonjë çelës për të përcaktuar nëse kjo ndodhi gjatë qeverisjes së parë si guvernator apo gjatë së dytës.—Corpus Inscriptionum Latinarum, nga T. Momseni, O. Hirshfeldi dhe A. Domazevski, 1902, vëll. 3, f. 1222, nr. 6687.
Saktësia e provuar e Lukës në çështje historike përbën një arsye të fortë për ta pranuar si fakt pohimin e tij që Kuirini ishte guvernator i Sirisë në periudhën kur lindi Jezui. Duhet kujtuar se historiani Jozef, që në këtë rast është thuajse i vetmi burim tjetër informacioni, lindi në vitin 37 të e.s., pra gati katër dekada pas lindjes së Jezuit. Kurse Luka ishte tashmë një mjek që udhëtoi me apostullin Pavël rreth vitit 49 të e.s., kur Jozefi ishte veç një djalosh 12-vjeçar. Ndër ata të dy, nisur edhe nga çfarëdo arsye tjetër, Luka është burimi më i besueshëm i informacionit për sundimin e guvernatorëve në Siri pak para lindjes së Jezuit. Justin Martiri, shkrimtar palestinez i shekullit të dytë të e.s., përmendte disa dokumente romake që provonin saktësinë e Lukës lidhur me sundimin e Kuirinit si guvernator në kohën e lindjes së Jezuit. (A Catholic Commentary on Holy Scripture, nga B. Orçardi, 1953, f. 943) Nga sa dihet, historianët e lashtë nuk kanë ngritur kurrë dyshime rreth tregimit të Lukës, madje as edhe kritikë të tillë si Celsusi.