RAKELA
[dele].
Vajza e Labanit, motra e vogël e Leas, kushërira e parë e Jakobit dhe gruaja që ai donte më shumë. (Zn 29:10, 16, 30) Në vitin 1781 p.e.s., Jakobi ia mbathi, sepse i vëllai, Esau, kishte ndër mend ta vriste, dhe shkoi në Haran, në Padan-Aram, në ‘vendin e popujve të Lindjes’. (Zn 28:5; 29:1) Rakela, një vajzë me «trup dhe fytyrë të bukur», ishte bareshë në shtëpinë e të atit; ajo e takoi Jakobin te një pus afër Haranit. Jakobin e mirëpritën në shtëpinë e Labanit, dajës së tij, dhe pas një muaji pranoi t’i shërbente atij për shtatë vjet, me kusht që të martohej me Rakelën, me të cilën kishte rënë në dashuri. Dashuria e tij nuk u dobësua gjatë atyre shtatë vjetëve, sa ato «iu dukën vetëm pak ditë». Mirëpo natën e martesës, daja i tij në vend të Rakelës i dha Lean, vajzën e madhe, e cila me sa duket bashkëpunoi në këtë mashtrim. Të nesërmen në mëngjes kur Jakobi e akuzoi se e kishte mashtruar, Labani nxori si justifikim zakonin që ndiqej në atë vend. Jakobi pranoi të bënte një javë martesë me Lean e më pas të merrte Rakelën, me kusht që të punonte edhe shtatë vite të tjera për Labanin.—Zn 29:4-28.
Rakela nuk e zhgënjeu Jakobin si bashkëshorte dhe Jakobi i tregonte më shumë dashuri se Leas. Atëherë Jehovai i tregoi hir Leas në situatën e saj të pafavorshme dhe e bekoi me katër djem, ndërkohë që Rakela nuk lindte fëmijë. (Zn 29:29-35) Rakela u bë xheloze për të motrën dhe u dëshpërua që nuk lindte, pasi në atë kohë kjo shihej si poshtërim për një grua. Padurimi i saj inatçor zemëroi edhe bashkëshortin që e donte shumë. Për të shlyer shterpësinë e saj, i dha Jakobit shërbyesen e vet që të kishte fëmijë prej saj (siç kishte bërë më parë Sara me skllaven e vet, Agarën), dhe dy fëmijët që lindën nga ky bashkim konsideroheshin si fëmijë të Rakelës. Shërbyesja e Leas dhe Lea vetë sollën në jetë edhe katër bij të tjerë para se të realizohej më në fund shpresa e Rakelës, e cila lindi djalin e saj të parë, Jozefin.—Zn 30:1-24.
Menjëherë pasi lindi Jozefi, Jakobi ishte gati të ikte nga Harani, mirëpo vjehrri arriti ta bindte të rrinte më gjatë; ai ia doli të ikte vetëm gjashtë vjet më vonë kur i tha vetë Perëndia. Për shkak të dyfytyrësisë së Labanit, Jakobi nuk e lajmëroi për ikjen e tij dhe Lea me Rakelën ishin të dyja dakord me të shoqin për këtë. Para se të niseshin, Rakela i vodhi të atit «idhujt e shtëpisë», me sa duket disa lloje shëmbëlltyrash të përdorura për idhujtari. Kur më vonë, Labani e arriti grupin dhe bëri të ditur vjedhjen që kishte ndodhur (me sa duket kjo e shqetësonte më shumë), Jakobi, duke mos e ditur që Rakela ishte fajtorja, tregoi mospëlqimin e tij për këtë akt dhe tha se, nëse objektet e vjedhura gjendeshin te ndonjëri nga njerëzit e tij, fajtori do të vdiste. Kërkimet e çuan Labanin në tendën e Rakelës, e cila arriti të mos zbulohej, pasi qëndroi ulur në koshin e samarit ku kish fshehur idhujt e shtëpisë, duke thënë se ishte e pamundur për shkak të të përmuajshmeve.—Zn 30:25-30; 31:4-35, 38.
Kur u takua me të vëllanë, Esaun, Jakobi tregoi përsëri parapëlqimin e tij për Rakelën duke e vënë atë dhe djalin e saj të vetëm në fund të karvanit, pasi me siguri e shihte këtë si pozicionin më të sigurt në rast se Esau sulmonte. (Zn 33:1-3, 7) Pasi banoi për njëfarë kohe në Sukot, më pas në Sikem dhe në fund në Bethel, Jakobi shkoi më në jug. Diku mes Bethelit dhe Betlehemit, Rakela lindi fëmijën e saj të dytë, Beniaminin, por vdiq gjatë lindjes dhe e varrosën atje. Jakobi ngriti një shtyllë mbi varrin e saj.—Zn 33:17, 18; 35:1, 16-20.
Hollësitë e pakta që përmenden në tregim nuk mund të na japin një kuadër të plotë të personalitetit të Rakelës. Ajo ishte adhuruese e Jehovait (Zn 30:22-24), por kishte edhe dobësi njerëzore; vjedhja e idhujve të familjes dhe zgjuarsia që tregoi për të mos u diktuar, ndoshta ishin, të paktën pjesërisht, pasojë e ambientit të saj familjar. Pavarësisht nga të metat që kishte, Jakobi e donte shumë; edhe në moshë të shkuar, ai e konsideronte atë gruan e tij të vërtetë dhe i donte fëmijët e saj më shumë se të tjerët. (Zn 44:20, 27-29) Fjalët e tij drejtuar Jozefit pak para se të vdiste, megjithëse të thjeshta, zbulojnë dashurinë e thellë që kishte për Rakelën. (Zn 48:1-7) Për të dhe për Lean është thënë se ‘kanë ndërtuar shtëpinë e Izraelit [Jakobit]».—Ru 4:11.
Zbulimet arkeologjike mund të hedhin dritë mbi përvetësimin e ‘idhujve të shtëpisë’ së Labanit nga ana e së bijës, Rakelës. (Zn 31:19) Në Nuzi, në veri të Mesopotamisë, u gjendën disa pllaka me shkrim kuneiform, që mendohet se datojnë nga mesi i mijëvjeçarit të dytë p.e.s. Ato zbulojnë se, te disa popuj të lashtë, perënditë e familjes i jepnin zotëruesit një titull ligjor që i jepte të drejtën të trashëgonte pronën e familjes. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 219, 220) Disa janë të mendimit se Rakela mund të ketë menduar se Jakobit, si djalë i adoptuar, i takonte një pjesë e trashëgimisë së Labanit dhe se mund t’i ketë marrë idhujt e shtëpisë si garanci për këtë gjë ose edhe për të përfituar pasurinë e djemve të Labanit. Ose mund të ketë menduar se, duke i pasur idhujt vetë, mund të arrinte të pengonte çdo përpjekje ligjore nga ana e të atit për të kërkuar ndonjë pjesë të pasurisë që kishte vënë Jakobi kur ishte në shërbim të tij. (Krahaso Zn 30:43; 31:1, 2, 14-16.) Sigurisht, këto hipoteza varen nga fakti nëse ekzistonte ky zakon te populli i Labanit dhe nëse idhujt e shtëpisë ishin vërtet perëndi të familjes.
Varri i Rakelës «në territorin e Beniaminit, në Zelzah» njihej akoma si vend në kohën e Samuelit, rreth gjashtë shekuj më vonë. (1Sa 10:2) Sipas traditës, vendi ku gjendej varri ndodhet rreth 1,5 km në veri të Betlehemit. Por, nëse është kështu, ai gjendej në territorin e Judës, e jo të Beniaminit. Prandaj, të tjerë sugjerojnë se ai ishte më në veri, sado që sot është e kotë të përpiqesh të jesh i saktë.
Pse, shekuj pas vdekjes së Rakelës, Bibla tha se ajo qante për bijtë e saj?
Jeremia 31:15 thotë se Rakela qan për bijtë e saj që janë çuar në vendin e armikut, dhe se vajtimi i saj dëgjohet në Ramah (në veri të Jerusalemit, në territorin e Beniaminit). (Shih RAMAHU nr. 1.) Përderisa në kontekst përmendet disa herë fisi i Efraimit, pasardhësit e të cilit në mënyrë kolektive paraqesin shpesh mbretërinë veriore të Izraelit (Jr 31:6, 9, 18, 20), disa studiues mendojnë se kjo profeci ka lidhje me mërgimin në Asiri të banorëve të mbretërisë veriore. (2Mb 17:1-6; 18:9-11) Nga ana tjetër, ajo mund të lidhet qoftë me mërgimin e banorëve të Izraelit, qoftë të Judës (këta të fundit në Babiloni). Në rastin e parë, Rakela do të ishte një figurë shumë e përshtatshme, pasi ishte paraardhësja e Efraimit (nga Jozefi), fisi më i rëndësishëm i mbretërisë veriore. Në rastin e dytë, meqenëse Rakela nuk ishte vetëm nëna e Jozefit, por edhe e Beniaminit, fisit që bënte pjesë në mbretërinë jugore të Judës, ajo do të ishte një simbol i përshtatshëm i nënave të gjithë Izraelit, që tani dukej se kishin lindur fëmijë më kot. Megjithatë, premtimi ngushëllues i Jehovait ishte se të mërguarit ‘do të ktheheshin nga vendi i armikut’.—Jr 31:16.
Këtë varg e citoi Mateu në lidhje me vrasjen e pamëshirshme të foshnjave në Betlehem me urdhër të Herodit. (Mt 2:16-18) Përderisa varri i Rakelës ishte pak a shumë afër Betlehemit (edhe pse, me sa duket, jo në vendin që tregohet sipas traditës), figura e Rakelës që qan, ishte e përshtatshme për të shprehur pikëllimin e nënave për fëmijët e vrarë. Megjithatë, ky citim i profecisë së Jeremisë ishte edhe më i përshtatshëm nëse mbahet parasysh ngjashmëria e situatave. Izraelitët i ishin nënshtruar një fuqie të huaj. Bijtë e tyre ishin marrë përsëri, veçse këtë herë, «vendi i armikut» ku kishin shkuar, nuk ishte një vend i mirëfilltë si në rastin e parë. Ishte varri, vendi ku mbretëron ‘Vdekja’ (krahaso Ps 49:14; Zb 6:8), dhe vdekja quhet «armiku i fundit» që do të shkatërrohet. (Ro 5:14, 21; 1Ko 15:26) Kthimi nga ky «mërgim», pa dyshim, do të ishte nëpërmjet ringjalljes.