REHOBI
[shesh; vend i gjerë].
1. I ati i Hadadezerit, mbretit të Zobahut, që Davidi e mundi në luftë.—2Sa 8:3-12.
2. Një nga levitët (ose paraardhësi i një leviti) që vërtetoi me vulë një besëlidhje në kohën e Nehemisë dhe të Ezdrës.—Ne 10:1, 9, 11.
3. Vend ose qytet i përmendur kur flitet për vëzhgimin e Kanaanit nga 12 vëzhguesit hebrenj që dërgoi Moisiu. (Nu 13:21) Ka të ngjarë të jetë po ai vend i quajtur ‘Rehob’ dhe ‘Beth-Rehob’ te 2 Samuelit 10:6, 8.—Shih BETH-REHOBI.
4. Emri i të paktën një ose ndoshta i dy qyteteve në territorin e Asherit. (Js 19:24, 28, 30) Edhe pse disa studiues mendojnë se këto dy referime tregojnë të njëjtin qytet, nga shkrime të tjera duket se bëhet fjalë për dy vende të ndryshme. Te Gjykatësit 1:31, 32 thuhet se «Asheri nuk i dëboi banorët e . . . Rehobit», prandaj asheritët u detyruan të jetonin mes banorëve kananitë. Kurse te Josiu 21:27, 31 dhe 1 Kronikave 6:71, 75 thuhet se Rehobi iu dha bijve të Gershomit (Gershonit) si qytet levit. Sipas atyre që përkrahin idenë se bëhet fjalë vetëm për një qytet, këto vargje tregojnë se në fillim dolën ca vështirësi për t’i dëbuar kananitët nga Rehobi, por më vonë kjo detyrë u krye, e kështu levitët patën mundësi të jetonin në atë vend. Ata që përkrahin idenë se bëhet fjalë për dy qytete, shtrojnë hipotezën se një qytet mbeti në dorë të kananitëve, kurse tjetri ishte ndër qytetet që pushtoi fillimisht Asheri dhe iu dha levitëve. Për këto dy vende, disa hedhin idenë se Rehobi i Josiut 19:28 ndodhej në Kirbet-el-ʽAmri, afro 4 km në verilindje të Akzibit; kurse ai i shkrimeve të tjera mendohet se ndodhej në Tell-el-Bir-el-Garbi (Tel-Bira), rreth 10 km në lindje-juglindje të Akos. Ata që mbështetin idenë se bëhet fjalë vetëm për një qytet, parapëlqejnë vendndodhjen e dytë.