REFAIMËT
Një popull ose fis me shtat të lartë. Domethënia dhe origjina e këtij emri janë të paqarta. Ka të ngjarë të jenë quajtur refaimë ngaqë ishin pasardhës të një njeriu me emër Rafah. Te 2 Samuelit 21:16 në hebraisht del termi haRafáh (fjalë për fjalë, Rafahu) që duket se është emri i babait që përfaqëson gjithë racën e gjigantëve.
Në kohët e hershme refaimët banonin në lindje të Detit të Vdekur. Moabitët, që i shpronësuan, i quanin emimë («gjëra të lemerishme»). Amonitët i quanin zamzumimë (ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «të kesh në mendje; të kurdisësh»). (Lp 2:10, 11, 19, 20, NW) Refaimët u mundën në Ashterot-Karnaim nga mbreti Kedorlaomer i Elamit që u nis drejt perëndimit për të luftuar kundër pesë mbretërve rebelë afër Detit të Vdekur (dhe mori rob Lotin). (Zn 14:1, 5) Kjo tregon se në atë kohë refaimët gjendeshin në Bashan, në lindje të Jordanit. Pak pas kësaj Perëndia i tha Abrahamit se do t’u jepte pasardhësve të tij Tokën e Premtuar, ku përfshihej edhe territori ku jetonin refaimët.—Zn 15:18-20.
Më shumë se 400 vjet më vonë, pak para se Izraeli të hynte në Kanaan, «vendi i refaimëve» quhej akoma Bashan. Atje izraelitët mposhtën Ogun, mbretin e Bashanit (Lp 3:3, 11, 13; Js 12:4; 13:12), të vetmin që «kishte mbetur nga refaimët». Nuk dihet me siguri nëse kjo do të thotë se ishte mbreti i fundit i refaimëve apo refaimi i fundit në atë rajon, meqë vetëm pak kohë më pas u pa se kishte refaimë në perëndim të Jordanit.
Në Tokën e Premtuar izraelitët patën probleme me refaimët, ngaqë disa prej tyre vazhduan të qëndronin në pyjet e rajonit malor të Efraimit. Bijtë e Jozefit kishin frikë t’i dëbonin. (Js 17:14-18) Kur Davidi po luftonte kundër filistinëve, bashkë me shërbëtorët e tij vrau katër burra që «i kishin lindur Refaimit në Gath». Për njërin thuhet se ishte «një burrë me shtat të jashtëzakonshëm, që kishte gjashtë gishta në secilën dorë e në secilën këmbë, domethënë njëzet e katër gjithsej». Përshkrimi i armaturës së tyre tregon se të gjithë kishin shtat të lartë. Një prej tyre ishte ‘Lahmi, vëllai i Goliadit, gititit’. (1Kr 20:4-8) Goliadi që vrau Davidi ishte gjashtë kute e një pëllëmbë (2,9 m) i gjatë. (1Sa 17:4-7) Te tregimi i 2 Samuelit 21:16-22 lexojmë ‘Goliadi’, kurse te 1 Kronikave 20:5 lexojmë ‘vëllai i Goliadit’ dhe ky ndryshim mund të tregojë se kishte dy Goliadë.—Shih GOLIADI.
Në Bibël termi hebraik refaʼím përdoret edhe në një kuptim tjetër. Disa herë është e qartë se nuk i referohet një populli në veçanti, por atyre që kanë vdekur. Disa studiues e lidhin këtë fjalë me rrënjën e një fjale që do të thotë «rrëzohet, çlodhet», prandaj nxjerrin përfundimin se do të thotë «të plandosur, të pafuqishëm». Në vargjet ku ka këtë kuptim, në Përkthimin Bota e Re është bërë «ata që vdekja i ka bërë të pafuqishëm», dhe shumë përkthime të tjera e bëjnë «të vdekurit», «gjëra të vdekura» dhe «të ndjerët».—Jb 26:5; Ps 88:10; Pr 2:18; 9:18; 21:16; Is 14:9; 26:14, 19.