RIMONI
[shegë].
1. I ati i Baanahut dhe i Rekabit, vrasësve të Ish-Boshethit, birit të Saulit; beniaminit nga Beeroti, qytet në veri të Gibeahut.—2Sa 4:2, 5-7, 9.
2. Qytet i fisit të Simeonit brenda territorit të fisit të Judës. (Js 19:1, 2, 7; «Remoni», DSF) Renditet pas qytetit të Ainit dhe, me sa duket, te Nehemia 11:29 emri En-Rimon është bashkim i emrave të dy qyteteve fqinje. Te Zakaria 14:10, Rimoni përmendet si një pikë referimi në jug. Mendohet se në lashtësi ndodhej aty ku janë rrënojat e Kirbet-Um-er-Ramaminit (Horvat-Remalisë), rreth 15 km në veri të Beer-Shebës.
3. Qytet-enklavë levit i familjes së Merarit në kufirin lindor të Zabulonit (Js 19:10, 13). Duket se te Josiu 21:35 quhet «Dimnah» dhe te 1 Kronikave 6:77 «Rimono». Mendohet se është Rumana (Rimoni), rreth 10 km në veri të Nazaretit.
4. Shkrepi ku gjetën strehë 600 burra të Beniaminit që mbijetuan nga lufta e zhvilluar në afërsi të Gibeahut, ku i gjithë Izraeli u ngrit kundër fisit të tyre që të merrte hak për përdhunimin dhe vrasjen e konkubinës së një leviti. (Gjy 20:45-47) Qëndruan atje derisa të dërguarit e asamblesë i ftuan të bënin paqe. (Gjy 21:13) Në këtë ish-vendmbrojtje të quajtur Ramun, që është rreth 6 km në lindje të Bethelit dhe 18 km në veri-verilindje të Jerusalemit, gjendet një fshat i vogël. Aty ngrihet një mal gëlqeror në formë koni me guva të shumta dhe i mbrojtur nga tri anë me gryka.
5. Perëndi siriane. Naamani, kreu i ushtrisë siriane, pasi u shërua nga lebra, e pranoi Jehovain si Perëndinë e vërtetë. Megjithatë, ishte i shqetësuar se do t’i duhej të shoqëronte mbretin e Sirisë në tempullin e Rimonit dhe të përkulej bashkë me të para shëmbëlltyrës së këtij perëndie, ngaqë mbreti mbështetej te dora e Naamanit.—2Mb 5:15-18.
Në përgjithësi mendohet se Rimoni është Ramani (që do të thotë «gjëmues, bubullitës»), hyjni i përnderuar në Asiri dhe Babiloni. Mendohet se nga Asiria, kultin e Rimonit (Ramanit) e çuan në perëndim disa nga fiset që më vonë u vendosën rreth Damaskut. Për disa studiues, Rimoni (Ramani) është vetëm një titull i perëndisë-stuhi Hadad (Adad). Përderisa Tabrimoni dhe Ben-Hadadi ishin emra mbretërish sirianë, shtrohet hipoteza se Rimoni është Hadadi, meqë ka të ngjarë që këta mbretër mbanin emrin ose titullin e perëndisë së tyre kryesore.—1Mb 15:18.
Rimoni që përnderohej në Siri sigurisht që kishte shumë të përbashkëta me Ramanin. Për asirianët Ramani ishte kryesisht perëndi i stuhisë dhe i bubullimave. Ndonëse konsiderohej si ai që sillte shiun, pra edhe si ai që siguronte ujë për puset e fushat, Ramanin e lidhin më tepër me efektet shkatërruese të shiut dhe të vetëtimës. Në monumentet asiriane ai paraqitet shpeshherë si perëndi i luftës. Konsiderohej i tillë edhe në Babiloni, ku Ramani, perëndia-hënë Sin dhe perëndia-diell Shamash përbënin një nga triadat e shumta të atij vendi.