ROMAKËT
Kuptimi fillestar dhe më i ngushtë: banorët e qytetit të Romës. (Ve 2:10; Ro 1:7) Me zgjerimin e perandorisë, kjo fjalë mori kuptim më të gjerë. Nganjëherë, me termin «romakët» nënkuptohej autoriteti sundues perandorak; «procedurë romake» do të thoshte metodat e qeverisjes që përdornin ata. (Gjo 11:48; Ve 25:16; 28:17) Në raste të tjera, «romakë» nënkuptonte thjesht ata që kishin qytetarinë romake, pavarësisht nga kombësia a vendlindja.—Ve 16:21.
Dikush mund të bëhej romak në këtë kuptim të fundit duke i blerë të drejtat e qytetarisë, siç kishte vepruar komandanti ushtarak Klaud Lisia. Por mund të ndodhte edhe që një njeri të lindte romak, pra ta kishte qytetarinë romake që kur lindte. Kështu ishte në rastin e apostullit Pavël. Edhe pse me kombësi judaike dhe i lindur në qytetin e Tarsit në Kiliki, qindra kilometra larg Italisë, Pavli ishte romak që nga lindja.—Ve 21:39; 22:3, 25-28; 23:26, 27; shih QYTETAR, QYTETARI.
Kush ishte qytetar romak, gëzonte shumë privilegje dhe i bëheshin lehtësime. Pas pushtimit të Maqedonisë në vitin 168 p.e.s., pjesa dërrmuese e qytetarëve romakë u përjashtuan nga taksat. Dy ligje, Lex Valeria dhe Lex Porcia, që hynë në fuqi gjatë viteve 509–195 p.e.s., nuk lejonin të fshikullohej një qytetar romak. Lex Valeria e ndalonte këtë në rastet kur qytetari i bënte apel popullit për ndihmë; Lex Porcia e ndalonte edhe pa u bërë ai apel. Në një periudhë të mëvonshme, qytetarët romakë i apeloheshin drejtpërdrejt perandorit. Në rast krimesh të rënda, që ndëshkoheshin me vdekje, ata mund të kërkonin t’i çonin në Romë dhe t’i gjykonte vetë perandori. (Ve 25:11, 12) Ishte një shkelje goxha e rëndë të mos zbatoje këto dy ligje, siç e tregojnë dy raste nga jeta e Pavlit.—Ve 16:37-40; 22:25-29.