DETI I KRIPUR
Një nga emrat biblikë të liqenit të madh ose të detit që sot në përgjithësi quhet Deti i Vdekur. Deti i Kripur (Jam-ha-Melah) ndodhet në skajin jugor të lumit Jordan.
Emri. Emri «Deti i Kripur», që në Bibël del i pari dhe përdoret më dendur, është mjaft i përshtatshëm, meqë kjo është masa ujore më e kripur në tokë. (Zn 14:3; Nu 34:3, 12; Js 15:2, 5) Quhet edhe deti i Arabahut (Lp 4:49; 2Mb 14:25), pasi gjendet në ultësirën gjigante ku bën pjesë Arabahu. Gjithsesi, nganjëherë emri «Deti i Kripur» shtohet pas «deti i Arabahut», si për ta shpjeguar qartë se për cilën masë ujore përdorej emri i dytë. (Lp 3:17; Js 3:16; 12:3) Deti i Kripur ndodhej në kufirin lindor të Tokës së Premtuar dhe quhej «deti lindor», duke e dalluar kështu nga «deti perëndimor [Mesdhe]». (Ezk 47:18; Jo 2:20; Za 14:8) Historiani Jozef, që e dinte se në sipërfaqe të këtij deti dalin hera-herës copa të mëdha bitumi ose asfalti, e quante liqeni i Asfaltit. (Lufta judaike, I, 657 [xxxiii, 5]; IV, 479 [viii, 4]) Me sa duket, vetëm në shekullin e 2-të të e.s. nisi të quhej Deti i Vdekur. Në arabisht emrin e ka Bahr Lut, «Deti i Lotit».
Veçoritë fizike. Deti i Kripur ka formë të stërgjatë, me gjerësi rreth 15 km dhe gjatësi rreth 75 km që luhatet disi sipas stinëve. Konturet e tij i thyen një gadishull i madh me emrin Lisan (gjuha), i cili shtrihet nga juglindja. Sot ky gadishull e ndan detin në dy pjesë, ndonëse ato lidhen nëpërmjet një kanali që është mbajtur hapur. Në pjesën në formë gjiri në jug të Lisanit ujërat janë të cekëta, kurse pjesa kryesore e detit në veri arrin thellësinë afro 400 m. Sipërfaqja e ujit është rreth 400 m nën nivelin e detit Mesdhe, pra është vendi më i ulët në tokë.
Bregu lindor (në veri të Lisanit) përbëhet kryesisht nga shkëmbinj ranorë që ngrihen thikë deri lart në rrafshnaltën e Moabit. Këto kodra të shkreta i përshkojnë disa lugina përrenjsh (ndër të cilat më e rëndësishmja është ajo e Arnonit) që derdhen në det. Në lindje dhe në jug të gadishullit shtrihet një rrafshinë e ujitur mirë nga përrenjtë. Skaji jugor i detit është zonë kënetore e kripur dhe e rrafshët. Në brigjet perëndimore, shkëmbinjtë gëlqerorë nuk janë aq të rrëpirët sa ata në lindje. Ndonëse kanë më shumë brezare dhe zbresin më butë, kodrat e Judës janë mjaft të shkreta, pasi atje nuk rrjedhin përrenj të pashtershëm që derdhen në det. Ranishtja dhe shpatet pranë bregut krijojnë mundësi që të udhëtohet përgjatë anës perëndimore. Përkundrejt Lisanit, në një kodër të lartë me majë të sheshtë, gjendet Masada, fortesa që përforcoi Herodi dhe ku romakët në vitin 73 të e.s. mundën judenjtë e fundit që i bënin rezistencë ushtrisë romake. Më në veri ndodhet oaza e En-Gedit. Në skajin verior të detit derdhet Jordani, duke e përzier ujin e tij të ëmbël me ujin jashtëzakonisht të kripur të detit.
Uji. Veçanti e këtij deti është kripësia, që ia kalon rreth nëntë herë asaj të oqeaneve. Deti i Kripur është det i mbyllur dhe pjesa më e madhe e ujit që derdhet në të avullon nga i nxehti përvëlues, kështu që mbeten më shumë kripëra minerale. Përqendrimi i kripës është kaq i lartë, sa atje nuk jeton dot asnjë peshk, as edhe ata të ujërave të kripura. Peshqit e paktë që gjenden në ujëra të njelmëta, aty ku përzihen ujërat e ëmbla me ujin e kripur, ngordhin po të shkojnë më në brendësi të detit. Kjo e bën më domethënës përshkrimin e Ezekielit për një përrua që vinte nga tempulli i Jehovait dhe derdhej në ‘detin lindor’ e shëronte pjesën e sipërme të detit, kështu që atje gëlonin peshqit njësoj si në detin Mesdhe dhe lulëzonte peshkimi. (Ezk 47:8-10, 18) Dendësia e madhe e ujit bën që objektet të pluskojnë kollaj dhe sipërfaqja e detit të jetë si pasqyrë, pasi flladet e lehta nuk e valëzojnë ujin.
Sodoma dhe Gomorra. Në përgjithësi mendohet se Sodoma e Gomorra ndodheshin afër skajit jugor të Detit të Kripur. Mbretërit e atyre qyteteve ishin ndër ata që luftuan në «ultësirën e Sidimit, që është pranë Detit të Kripur», e nga kjo shprehje mendohet se ultësirën e mbuloi Deti i Kripur. (Zn 14:3) Rajoni i Sodomës dhe i Gomorrës ku u vendos Loti ishte ‘i ujitur mirë, si kopshti i Jehovait’. (Zn 13:10-12) Edhe sot e kësaj dite, në rrafshinën përgjatë bregut juglindor bimësia është e harlisur dhe mund të rriten grurë, elb, hurma Arabie e hardhi. Po ashtu, sasia e madhe e bitumit dhe e kripës, sidomos në pjesën jugore, përkon me tregimin biblik për Sodomën e Gomorrën.—Zn 14:10; 19:24-26.
[Figura në botimin e shtypur]
Shkëmbinjtë gëlqerorë buzë Detit të Kripur