SHAMAHU
1. Sheik edomit; nip i Esaut nga Reueli.—Zn 36:10, 13, 17; 1Kr 1:37.
2. Një nga vëllezërit më të mëdhenj të mbretit David; quhet edhe Shimea(h) e Shimei. (1Kr 2:13; 2Sa 13:3; 21:21) Meqë ishte djali i tretë i Jeseut, Shamahu ishte i treti që mund të zgjidhej për t’u mirosur mbret nga Samueli, por Perëndia e hodhi poshtë. (1Sa 16:6-9) Bënte pjesë në ushtrinë e Saulit, të cilën Goliadi e sfidoi kur Davidi u çoi ushqime. (1Sa 17:13, 14, 20, 23) Një nga bijtë e Shamahut, Jonatani, vrau një filistin gjigant. (2Sa 21:20, 21; 1Kr 20:6, 7) Disa sugjerojnë se Jonatani, biri i Shamahut, quhej edhe Jehonadab dhe ishte këshilltari dinak i Amnonit.—2Sa 13:3, 32.
3. Një nga tre luftëtarët kryesorë të Davidit; biri i Ageut, hararitit. Një herë Shamahu ruajti i vetëm një arë të tërë nga filistinët dhe vrau shumë prej tyre. (2Sa 23:11, 12) Më pas, ai me dy burra të tjerë të fuqishëm çanë rrugën deri te sterna e Betlehemit (që në atë kohë ishte në dorë të filistinëve), që të nxirrnin ujë për Davidin, por ky nuk pranoi ta pinte. (2Sa 23:13-17) Kur krahasojmë listat e ngjashme të 1 Kronikave 11:33, 34 dhe të 2 Samuelit 23:32, 33 (në këtë fragment të fundit në përgjithësi mendohet se duhet të jetë «Jonatani, biri i hararitit Shamah») duket se Shage është një emër tjetër i Shamahut, dhe se Shamahu kishte një djalë me emrin Jonatan që u bë edhe ky një luftëtar i shquar i Davidit.
4. Një nga 30 burrat e fuqishëm të Davidit; harodit. (2Sa 23:8, 25) Duket se emri i tij te 1 Kronikave 11:27 shkruhet Shamot, kurse te 1 Kronikave 27:8 shkruhet Shamuth, dhe ky varg i fundit e paraqet si kreun e ndarjes që shërbente muajin e pestë.