SHEALTIELI
[që i është kërkuar Perëndisë].
Pasardhës i mbretit David dhe paraardhës i Jezuit; nga fisi i Judës. Shealtieli quhet edhe bir i Jehojakinit (Jekonisë), edhe i Nereit. Shealtieli dhe i vëllai, Pedajahu, quhen të dy baballarë të Zorobabelit që ishte guvernator pas mërgimit.
Kush ishte i ati i Shealtielit? Shealtieli përmendet fillimisht mes bijve që i lindën Jehojakinit gjatë mërgimit. (1Kr 3:17; Mt 1:12) Nëse Shealtieli u martua me të bijën e Nereit (që nuk përmendet me emër), nga trungu i të cilit Luka përcaktoi gjenealogjinë e Jezuit, Luka mund t’i jetë referuar atij si «bir i Nereit» në kuptimin që ishte dhëndër i Nereit. Më pas, Luka thotë të njëjtën gjë për Jozefin që u martua me Marinë (me sa duket të bijën e Helit), duke e quajtur ‘bir të Helit’.—Lu 3:23, 27.
Kush ishte i ati i Zorobabelit? Pedajahu paraqitet si i tillë vetëm 1 herë (1Kr 3:19), kurse Shealtieli, vëllai i Pedajahut (1Kr 3:17, 18), quhet kështu në të gjitha rastet e tjera. (Ezd 3:2, 8; 5:2; Ne 12:1; Hg 1:1, 12, 14; 2:2, 23; Mt 1:12; Lu 3:27) Nëse Pedajahu vdiq kur i biri, Zorobabeli, ishte ende fëmijë, Shealtieli, vëllai i madh i Pedajahut, mund ta ketë rritur Zorobabelin si djalin e vet. Ose, nëse Shealtieli vdiq pa lënë fëmijë dhe Pedajahu u martua me gruan e tij (për të përmbushur detyrën që i takonte kunatit), djali që do t’i kishte lindur Pedajahut nga gruaja e Shealtielit do të kishte qenë trashëgimtar i ligjshëm i Shealtielit.