BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it
  • Biri

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Biri
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Beni
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Lind përsëri
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Qëllimi i Jehovait kryhet me sukses të lavdishëm
    Të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë
  • Fëmija
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it

BIRI

Si fjala hebraike ben, ashtu edhe ajo greke huiós, që do të thonë «bir», shpesh përdoren në një kuptim më të gjerë se thjesht për të përkufizuar pasardhësin e drejtpërdrejtë mashkull të dikujt. «Bir» mund të nënkuptojë një djalë të adoptuar (Da 2:10; Gjo 1:45), një pasardhës, si nipin a stërnipin (Da 1:7; 2Kr 35:14; Jr 35:16; Mt 12:23) ose një dhëndër.​—Krahaso 1Kr 3:17 dhe Lu 3:27 (është e qartë se Shealtieli ishte i biri i Jekonisë dhe dhëndër i Nereit); Lu 3:23, ku është e qartë se ‘Jozefi, bir i Helit’ ishte dhëndri i tij (në këtë shprehje, termi huiós, «bir», nuk është në tekstin grek, por nënkuptohet).

Shpesh, për të identifikuar një burrë apo për ta dalluar nga të tjerët, përdorej emri i të atit ose i një paraardhësi më të largët, si për shembull (Davidi) «biri i Jeseut». (1Sa 22:7, 9) Fjalët hebraike ben dhe aramaike bar, «bir», shtoheshin rëndom para emrit të babait, duke u bërë si një emër i familjes për birin, për shembull, Bar-Jezu (që do të thotë «bir i Jezuit»). (Ve 13:6) Disa versione nuk e përkthejnë këtë parashtesë; të tjera e përkthejnë në shumicën e rasteve dhe të tjera akoma e përkthejnë te shënimet anësore. Në disa raste, kjo parashtesë mund t’i ngjitej emrit për shkak të rrethanave të lindjes së fëmijës, si Ben-Ami, që do të thotë «bir i popullit tim [domethënë, i të afërmve të mi]» dhe jo bir i të huajve; ose Ben-Oni, që do të thotë «djalë i brengës sime», një emër që Beniaminit ia vuri e ëma, Rakela, kur po vdiste.​—Zn 19:38; 35:18.

Veç kësaj, fjala «bijtë» përdoret shpesh si përshkruese, për shembull: ata që jetojnë në Lindje (fjalë për fjalë, «bijtë e Lindjes» [1Mb 4:30; Jb 1:3, shën., NW]); «të mirosurit» (fjalë për fjalë, «bijtë e vajit» [Za 4:14, shën., NW]); ata («bijtë») që kishin të njëjtin zanat, si «bijtë e profetëve» (1Mb 20:35) ose «një përgatitës [«bir»] pomadash» (Ne 3:8); mërgimtarët e kthyer («bijtë e mërgimit») (Ezd 10:7, 16, shën., NW); njerëzit pa pikë vlere, horrat («bijtë e Belialit») (1Sa 2:12, shën., NW). Ata që sillen në njëfarë mënyre ose që shfaqin një karakteristikë të veçantë, përkufizohen me shprehje të tilla, si «bij të Më të Lartit», «bij të dritës dhe bij të ditës», «bijtë e mbretërisë», «bijtë e të ligut», «bir i Djallit», «bijtë e mosbindjes». (Lu 6:35; 1Se 5:5; Mt 13:38; Ve 13:10; Ef 2:2) E njëjta gjë vlen edhe për gjykimin ose rezultatin që përkon me karakteristikën, si shprehja «të meritojë Gehenën» (fjalë për fjalë, «bir i Gehenës») ose ‘bir i shkatërrimit’. (Mt 23:15; Gjo 17:12; 2Se 2:3) Isaia, i cili profetizoi ndëshkimin e Perëndisë mbi Izraelin, e quajti kombin «të shirët e mi, bijtë e lëmit tim».​—Is 21:10.

Engjëjt që krijoi Perëndia, janë bijtë e Perëndisë. (Jb 1:6; 38:7) Adami, si krijesë e Perëndisë, ishte bir i Perëndisë. (Lu 3:38) Ndonëse kishin shkelur ligjin, gjykatësit dhe sundimtarët e Izraelit kundër të cilëve u drejtua fjala e Perëndisë, u quajtën «bij të Më të Lartit», pa dyshim ngaqë në Izrael kishin si detyrë të përfaqësonin sundimin hyjnor. (Ps 82:6) Ata që Perëndia i zgjedh të jenë bashkëtrashëgimtarë me Birin e tij, Jezu Krishtin, quhen «bij të Perëndisë».​—Ro 8:14-17.

Dëshira për të lindur djem. Në kohët e lashta, çiftet e martuara kishin një dëshirë të fortë për të lindur djem. (Zn 4:1, 25; 29:32-35) Sikurse tha psalmisti: «Fëmijët [fjalë për fjalë «bijtë»] janë trashëgimi nga Jehovai. . . . Lum kush e ka mbushur kukurën e tij me ta.» (Ps 127:3-5) Djemtë siguronin vijimësinë e trungut familjar, ruanin emrin e të parëve ndër brezat e ardhshëm dhe falë tyre pronat e trashëguara mbeteshin brenda familjes. (Nu 27:8) Gratë izraelite dëshironin të kishin djem, ndoshta ngaqë ushqenin shpresën se një nga bijtë e tyre mund të ishte «fara» nëpërmjet së cilës bekimet e Perëndisë do të vinin mbi njerëzimin, siç iu premtua Abrahamit. (Zn 22:18; 1Sa 1:5-11) Në kohën e duhur, engjëlli Gabriel e lajmëroi Marinë, një virgjëreshë nga fisi i Judës, se ajo ‘kishte gjetur shumë hir’ dhe shtoi: «Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit. Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit.»​—Lu 1:28, 31, 32.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo