TANAKU
Qytet-enklavë i Manaseut në territorin e Isakarit (Js 17:11; 1Kr 7:29) që iu caktua levitëve kehathitë. (Js 21:20, 25) Me Josiun në krye, izraelitët mundën mbretin e Tanakut. (Js 12:7, 21) Mirëpo manasitët nuk arritën t’i dëbonin kananitët nga ky qytet dhe disa qytete të tjera. Megjithatë, Izraeli i vuri në punë të detyruar. (Gjy 1:27, 28) Në kohën e gjykatësit Barak, forcat ushtarake të Jabinit, mbretit të Hazorit, të udhëhequra nga kryekomandanti Sisera, u mundën në Tanak. (Gjy 5:19) Gjatë mbretërimit të Solomonit, qyteti ndodhej në krahinën që i ishte caktuar Baanait, një prej 12 nëpunësve të ngarkuar për t’i siguruar ushqim familjes mbretërore. (1Mb 4:7, 12) Dëshmitë arkeologjike nga Tanaku dhe relievi në një mur të tempullit të Karnakit tregojnë se qytetin e mori faraoni Shishak kur mësyu Palestinën në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, birit dhe pasuesit të Solomonit.—2Kr 12:2-4.
Tanaku mendohet se është Tell-Taʽnaku, rreth 8 km në jug-juglindje të Megidos dhe në skajin jugor të rrafshinës së Jezreelit (ʽEmek-Jizreʽelit). Zinte pozicion të rëndësishëm në të paktën dy rrugë tregtare, njëra që të çonte në rrafshinën e Akos dhe tjetra në rrafshinën e Sharonit.