TAFNESI, TEFNESI
Qytet egjiptian që përmendet rregullisht bashkë me qytetet e tjera të Egjiptit të Veriut (të Poshtëm), si Nofi (Memfisi), Oni (Heliopoli) dhe Pibeseti (Bubasti).
Gjatë viteve të fundit të mbretërisë së Judës, profeti Jeremia e paralajmëroi vazhdimisht popullin e tij të mos bënte aleanca politike me Egjiptin dhe të mos mbështetej për ndihmë tek Egjipti kundër fuqisë babilonase që po shfaqej. Për Nofin (Memfisin), kryeqytetin e Egjiptit, dhe Tafnesin thuhet se i ‘hanin [Judës dhe Jerusalemit] majën e kokës’, për shkak të apostazisë së judenjve. Pa dyshim që çdo mbështetje që merrnin nga Egjipti, krerët e Judës e paguanin shtrenjtë; sidoqoftë, atyre do t’u vinte turp për Egjiptin, ashtu siç u kishte ardhur turp për Asirinë.—Jr 2:1, 2, 14-19, 36.
Mbetja ikën atje. Pas pushtimit të Judës nga Babilonia në vitin 607 p.e.s. dhe vrasjes së Gedaliahut, mbetja e judenjve zbriti në Egjipt, duke marrë me vete edhe profetin Jeremia. Vendi i parë që përmendet kur ata mbërritën (apo u vendosën) në Egjipt, është Tafnesi. (Jr 43:5-7) Kjo të bën të mendosh se Tafnesi gjendej në pjesën lindore të deltës, domethënë, në cepin verilindor të Egjiptit të Poshtëm. Disa nga refugjatët u vendosën në Tafnes. (Jr 44:1, 7, 8) Me të mbërritur në Tafnes, Jeremia mori urdhër nga Jehovai të paraqiste një skenë profetike, duke groposur gurë në sy të judenjve «te veranda me tulla, që është në hyrjen e shtëpisë së faraonit në Tafnes». Pastaj, shpalli se Nabukodonosori do të vinte, do ta vendoste fronin e tij e do ta shtrinte tendën e tij të madhe pikërisht mbi ata gurë.—Jr 43:8-13; krahaso 46:13, 14.
Në Babiloninë e largët (në vitin e 27-të të mërgimit të parë, d.m.th., në vitin 591 p.e.s.) edhe profeti Ezekiel paratha se Nabukodonosori do ta pushtonte Egjiptin dhe ‘Tefnesi do të errej në mes të ditës’, sepse Jehovai do të thyente atje zgjedhën, forcën dhe krenarinë e Egjiptit. Ky pohim dhe fakti që Ezekieli përmend «fshatrat» e Tafnesit, tregon se qyteti ishte i rëndësishëm dhe i madh.—Ezk 29:19; 30:1, 2, 10-18.
Origjina e mundshme e emrit. Sipas disa përkthyesve, Tafnes (në gjuhën egjiptiane) do të thotë «fortesë e Penhases», i cili ishte një gjeneral nga qyteti jugor i Tebës që shtypi disa rebelë në zonën e deltës në Egjipt, me sa duket në pjesën e fundit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s.
Në Septuagintën greke emri Tafnes përkthehet Táfnas dhe, në përgjithësi, besohet se ky emër përkon me atë të një qyteti të rëndësishëm të fortifikuar në kufirin lindor të Egjiptit, të cilin shkrimtarët grekë të periudhës klasike e quanin Dafne. Për këtë arsye, disa gjeografë e lidhin Tafnesin me Tell-Dafnehun, afro 50 km në jug-jugperëndim të Port-Saidit dhe rreth 45 km në perëndim-jugperëndim të Pelusiumit, vendndodhja e mundshme e Sinit.