TARSHISHI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «thyej copë-copë»].
1. Një nga katër bijtë e Javanit që lindën pas Përmbytjes. (Zn 10:4; 1Kr 1:7) Është ndër 70 krerët e familjeve prej të cilëve erdhën kombet që «u shpërndanë nëpër tokë». (Zn 10:32) Ashtu si në rastin e bijve të tjerë të Javanit, Tarshish u bë emri i një populli dhe i një rajoni.
2. Pasardhës i Beniaminit dhe bir i Bilhanit.—1Kr 7:6, 10.
3. Një nga shtatë princat dhe këshilltarët e mbretit Asuer që gjykuan rastin e mbretëreshës rebele Vashti.—Es 1:12-15.
4. Rajon i populluar fillimisht nga pasardhësit e Tarshishit, bir i Javanit dhe nip i Jafetit. Ka disa të dhëna se në ç’drejtim u shpërngulën pasardhësit e Tarshishit në shekujt pas Përmbytjes.
Pasi Jehovai e ngarkoi të shkonte në Ninevi të Asirisë, profeti Jona (rr. 844 p.e.s.) u mundua t’i bënte bisht caktimit duke shkuar në portin mesdhetar të Jopës (Tel Aviv-Jafo), ku pagoi çmimin e udhëtimit dhe hipi në një «anije që shkonte në Tarshish». (Jn 1:1-3; 4:2) Pra është e qartë se Tarshishi duhet të ketë qenë në Mesdhe ose në brigjet e tij, në drejtim të kundërt me Ninevinë, dhe atje shkohej më kollaj nga deti se nga toka. Kur flitet për «anijet e Tarshishit» tek Ezekieli 27:25, 26, përmendet ‘zemra e detit të hapur’.—Krahaso Ps 48:7; Jn 2:3.
Në një mbishkrim të perandorit asirian Esar-Hadoni (shekulli i 7-të p.e.s.), flitet me mburrje për fitoret e tij mbi Tirin dhe Egjiptin e thuhet se atij i paguanin haraç gjithë mbretërit e ishujve nga Qiproja «deri në Tarsisi». (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 290) Meqë Qiproja ndodhet në Mesdheun Lindor, edhe këtu duhej të bëhej fjalë për një vend në Mesdheun Perëndimor. Sipas disa studiuesve, Tarshishi ishte ishulli i Sardenjës në Mesdheun Perëndimor.
Ndoshta Spanja. Shumica e studiuesve e lidhin Tarshishin me Spanjën, duke u bazuar te referimet e lashta për një vend a rajon në Spanjë që shkrimtarët grekë dhe romakë e quanin Tartes. Sipas gjeografit grek Strabon (shekulli i parë p.e.s.), një qytet me emrin Tartes ndodhej në zonën rreth lumit Guadalkivir në Andaluzi (Gjeografia, 3, II, 11), por në përgjithësi ky emër përdorej me sa duket për pjesën jugore të Gadishullit Iberik.
Shumë vepra referimi theksojnë se brigjet spanjolle i kolonizoi Fenikia dhe e quajnë Tartesin koloni fenikase, por duket se kjo teori nuk ka themele të forta. Në fakt, një enciklopedi vëren: «As fenikasit, as kartagjenasit nuk lanë ndonjë gjurmë të thellë në atë vend, kurse grekët patën ndikim të fuqishëm. Anije nga Tiri dhe Sidoni mund të kenë bërë tregti përtej ngushticës [së Gjibraltarit] dhe në Kadiks, të paktën që në shekullin e 9-të p.e.s.; ndonëse arkeologjia sot ka përcaktuar vendndodhjen e qyteteve greke, iberike e romake dhe i ka nxjerrë në dritë, prapëseprapë nuk ka zbuluar as edhe një vendbanim fenikas a ndonjë objekt të rëndësishëm fenikas, përveç xhinglave, bizhuterive e artikujve të ngjashëm që tregtoheshin. Fare mirë mund të nxirret përfundimi se, ndoshta me përjashtim të Kadiksit, fenikasit nuk ndërtuan qytete, por kishin vetëm qendra ku bënin tregti dhe vendndalime.» (Encyclopædia Britannica, 1959, vëll. 21, f. 114) Veç kësaj, historia tregon se në kohën kur fenikasit e grekët nisën tregtinë me Spanjën, vendi ishte tashmë i populluar dhe vendësit u siguronin tregtarëve argjend, hekur, kallaj e plumb.
Pra, me sa duket, ka arsye të forta që të mendohet se pasardhësit e Javanit (jonët) nëpërmjet Tarshishit, birit të tij, dalëngadalë u përhapën nëpër Gadishullin Iberik dhe u bënë banorët kryesorë të tij. Të paktën kjo vendndodhje e mundshme e Tarshishit harmonizohet më së miri me referimet e tjera biblike.
Lidhjet tregtare me Solomonin. Për tregtinë e fenikasve me Tarshishin dëshmon qartë historia e epokës së mbretit Solomon (rreth 13 shekuj pas Përmbytjes), kur edhe kombi i Izraelit nisi të bënte tregti nëpërmjet detit. Solomoni kishte një flotë anijesh në brigjet e Detit të Kuq. Ekuipazhi i tyre përbëhej pjesërisht nga detarë të zotë të dërguar nga Hirami, mbreti fenikas i Tirit, dhe ato bënin tregti kryesisht me Ofirin, vend i pasur me ar. (1Mb 9:26-28) Më tej përmendet «një flotë anijesh të Tarshishit», që Solomoni e kishte në det «bashkë me flotën e anijeve të Hiramit», dhe thuhet se anijet e asaj flote udhëtonin një herë në tre vjet për të importuar ar, argjend, fildish, majmunë e pallonj. (1Mb 10:22) Në përgjithësi mendohet se, me kalimin e kohës, termi «anijet e Tarshishit» nisi të përdorej për një lloj anijeje, siç përkufizohet në një fjalor: «Anije të mëdha që çanin detet, të përshtatshme për të lundruar drejt Tarshishit.» (A Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, nga Brauni, Drajveri dhe Brigsi, 1980, f. 1077) Një rast i ngjashëm është emri anglez Indiamen, i cili përdorej fillimisht për anijet e mëdha britanike që bënin tregti me Indinë por, me kalimin e kohës, nisi të përdorej për anijet e atij lloji, pavarësisht nga origjina a destinacioni i tyre. Kështu, te 1 Mbretërve 22:48 thuhet se mbreti Jehozafat (936-911 p.e.s.) «bëri anije si ato të Tarshishit, që të shkonin në Ofir për ar».
Gjithsesi, tregimi i Kronikave thotë se anijet e Solomonit që udhëtonin një herë në tre vjet, «shkonin në Tarshish» (2Kr 9:21); po ashtu thotë se anijet e Jehozafatit u ndërtuan «që të shkonin në Tarshish» dhe, kur u shkatërruan, «nuk qenë në gjendje të shkonin në Tarshish». (2Kr 20:36, 37) Kjo tregon se «anijet e Tarshishit» që kishte Izraeli nuk ndaleshin vetëm në portin e Ofirit, por lundronin edhe në ujërat e Mesdheut. Natyrisht, këtu lind një problem, sepse të paktën disa prej atyre anijeve lëshoheshin në det nga Ezion-Geberi, në gjirin e ʽAkabës. (1Mb 9:26) Që të arrinin në detin Mesdhe, anijet ose duhej të kalonin nëpërmjet një kanali nga Deti i Kuq në lumin Nil, e prej andej të hynin në Mesdhe, ose duhej t’i binin përqark kontinentit të Afrikës. Edhe pse sot është krejt e pamundur të përcaktohet me hollësi se në ç’rrugë ujore (përfshirë edhe kanalet) lundrohej gjatë epokës së Solomonit dhe të Jehozafatit, nuk ka pse të shihet si e pamundur ajo që është dokumentuar rreth sipërmarrjeve të tyre detare.
Në profeci. Me sa duket, Tarshishi ishte një treg i rëndësishëm për qytetin tregtar të Tirit, ndoshta burimi i pasurive më të mëdha gjatë një pjese të historisë së tij. Qysh në lashtësi, Spanja ka pasur miniera për shfrytëzimin e shtresave të pasura me argjend, hekur, kallaj dhe metale të tjera që gjendeshin atje. (Krahaso Jr 10:9; Ezk 27:3, 12.) Kështu, në shpalljen profetike për rënien e Tirit, Isaia i përshkruan anijet e Tarshishit sikur ‘ulërijnë’ kur arrijnë në Kitim (në Qipro, ndoshta porti i fundit ku ndaleshin udhës për në lindje) dhe marrin lajmin se porti i begatë i Tirit është plaçkitur.—Is 23:1, 10, 14.
Sipas profecive të tjera, Perëndia dërgon në Tarshish disa pjesëtarë të popullit të vet, që të shpallin lavdinë e Tij (Is 66:19) dhe «anijet e Tarshishit» sjellin nga larg bijtë e Sionit. (Is 60:9) «Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve» duhet t’i paguajnë haraç mbretit që cakton Jehovai. (Ps 72:10) Nga ana tjetër, Ezekieli 38:13 tregon se «tregtarët e Tarshishit», bashkë me popuj të tjerë të dhënë pas tregtisë, shfaqin lakmi për plaçkitjen e popullit të rimbledhur të Jehovait, të planifikuar nga Gogu i Magogut. Anijet e Tarshishit janë ndër gjërat që simbolizojnë lartësimin e vetes, fodullëkun dhe kryelartësinë, ndaj do të poshtërohen, dhe vetëm Jehovai do të lartësohet ‘ditën që i përket Jehovait të ushtrive’.—Is 2:11-16.