DHËMBËT
Organe të forta kockore që dalin nga nofullat e që shërbejnë për të përtypur ushqimin; te kafshët shërbejnë edhe si armë.
Jobi, një shërbëtor besnik i Perëndisë që mezi i shpëtoi vdekjes, tha: «Shpëtova me lëkurën e dhëmbëve.» (Jb 19:20, shën.) Duket se Jobi po thoshte thjesht që shpëtoi gjallë, por pa i mbetur asgjë ose thuajse asgjë. Ai shpëtoi me lëkurën e dhëmbëve, domethënë me «lëkurën» e një gjëje pa lëkurë.
Kërcëllitja e dhëmbëve shpesh tregon tërbim (Jb 16:9; Ve 7:54) ose angështi e dëshpërim. (Mt 8:12; 13:42, 50; 22:13; 24:51; 25:30) Ajo mund të shoqërohet me fjalë të hidhura dhe veprime të dhunshme kundër atij ndaj të cilit shfaqet zemërimi.
Tek Amosi 4:6 shprehjet «dhëmbët i keni të pastër» dhe «pa bukë» janë paralele e paraqesin zinë e bukës.
Dhëmbët simbolizojnë fuqinë shkatërruese të një kombi ose të një populli. (Dn 7:5, 7, 19; Jo 1:6; Zb 9:8) Davidi i krahasoi armiqtë e ligj të të drejtëve me luanë të egërsuar dhe iu lut Perëndisë t’ua thërrmonte nofullat e t’ua thyente dhëmbët. Kështu nuk do të mund të shkaktonin asnjë dëm. (Ps 3:7; 58:6) Profetët e rremë të Izraelit paraqiten si lakmitarë e të pangopur, ‘që kafshojnë me dhëmbë’ dhe i shpallin luftë kujtdo që nuk i ushqen.—Mi 3:5, shën.; krahaso Ezk 34:2, 3; Mt 7:15; Ve 20:29.
Para shkatërrimit të Jerusalemit, populli përdorte një shprehje: «Etërit hanin rrushin e pabërë, e bijve u mpiheshin dhëmbët.» (Jr 31:29; Ezk 18:2-4) Me këto fjalë izraelitët kërkonin të justifikoheshin për të këqijat që i kishin rënë kombit për shkak të ligësisë së tij, duke thënë se ajo që po hiqnin ishte për faj të etërve.