TOBIA
[i mirë është Jah].
1. Paraardhësi i disa izraelitëve që kur u kthyen nga mërgimi nuk mundën të përcaktonin gjenealogjinë e tyre.—Ezd 2:1, 59, 60; Ne 7:61, 62.
2. Kundërshtar i Nehemisë. Tobia quhet «shërbëtori» dhe kjo tregon se ka të ngjarë të ketë qenë një funksionar i mbretit pers. (Ne 2:19) Ai dhe i biri, Jehohanani, u martuan me gra nga Juda; veç kësaj, Tobia kishte lidhje familjare me kryepriftin Eliashib. Kjo i jepte mundësi t’ia zbehte autoritetin Nehemisë, pasi shumë judenj e vlerësonin dhe flisnin mirë për Tobinë.—Ne 6:17-19; 13:4.
Kur Nehemia arriti në Jerusalem, Tobisë dhe shokëve të tij nuk u erdhi mirë kur kuptuan se Izraelin e priste një e ardhme e shkëlqyer. (Ne 2:9, 10) Fillimisht ata thjesht i përqeshën e i tallën judenjtë (Ne 2:19; 4:3), por kur panë se rindërtimi i murit kishte ecur, u inatosën shumë. Megjithatë, komplotet e ndryshme dështuan, qoftë ai për të hequr qafe judenjtë (Ne 4:7-9, 11, 14, 15), qoftë orvatja për ta bërë Neheminë të përdhoste tempullin. (Ne 6:1, 10-13) Edhe pas përfundimit të mureve, Tobia u përpoq ta frikësonte Neheminë, duke shkëmbyer letra me simpatizuesit e tij në Jerusalem. (Ne 6:16-19) Ja pse Nehemia i kërkoi me të drejtë Jehovait të kujtonte ligësitë e Tobisë dhe të ortakëve të tij. (Ne 6:14) Kur u kthye për herë të dytë nga Babilonia dhe gjeti në oborrin e tempullit një dhomë ngrënieje të rezervuar për Tobinë, Nehemia flaku menjëherë jashtë orenditë e Tobisë.—Ne 13:4-9.