TUBALI
1. Një nga shtatë bijtë e Jafetit.—Zn 10:2; 1Kr 1:5.
2. Popull a vend që zakonisht përmendet tok me Meshekun, emri i një biri tjetër të Jafetit. Tubali, si edhe Javani e Mesheku, bënin tregti me Tirin, i jepnin skllevër dhe sende bakri. (Ezk 27:13) Në këngën e përvajshme të Ezekielit për Egjiptin, Tubali është ndër «të parrethprerët» me të cilët egjiptianët do të preheshin në Sheol, sepse i kishin kallur tmerr tokës. (Ezk 32:26, 27) Populli i Tubalit përmendet edhe mes atyre që bashkohen me ‘Gogun e vendit të Magogut’, i cili quhet «kryeprijës i Meshekut dhe i Tubalit» dhe lëshohet si stuhi «nga viset më të thella të veriut» për të sulmuar egërsisht popullin e Jehovait. (Ezk 38:2, 3; 39:1, 2; shih GOGU nr. 2.) Në një profeci tjetër, Jehovai parathoshte se do të niste të dërguar që t’ia shpallnin lavdinë e tij Tubalit, Javanit dhe vendeve të tjera.—Is 66:19.
Pra, Tubali ndodhej në veri të Izraelit, por jo aq larg sa të mos mbante dot lidhje tregtare me Tirin në Feniki. Shumica e studiuesve janë të mendimit se është populli i quajtur Tabali në mbishkrimet asiriane, ku emrat Tabali dhe Musku (me sa duket Mesheku) shfaqen bashkë. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 284) Shekuj më vonë edhe Herodoti (III, 94) i përmendi së bashku, duke i quajtur tibarenë dhe moskë. Nisur nga kjo, mendohet se vendi i Tubalit ndodhej (të paktën në epokën e Asirisë) në verilindje të Kilikisë, në pjesën lindore të Azisë së Vogël. Prania e minierave të bakrit në këtë rajon përkon me tregimin biblik.