VIRGJËRESHA
Fjala hebraike bethuláh tregon një grua që s’është martuar kurrë e që nuk ka pasur kurrë marrëdhënie seksuale. (Zn 24:16; Lp 32:25; Gjy 21:12; 1Mb 1:2; Es 2:2, 3, 17; Va 1:18; 2:21) Kurse termi grek parthénos përdoret si për burrat, ashtu edhe për gratë e pamartuara.—Mt 25:1-12; Lu 1:27; Ve 21:9; 1Ko 7:25, 36-38.
Sipas Ligjit, një burrë që joshte një virgjëreshë të pafejuar dhe kryente marrëdhënie seksuale me të, duhej t’i jepte babait të saj 50 sikla argjendi (110 dollarë), të martohej me vajzën (nëse babai i saj e lejonte) dhe nuk lejohej të divorcohej nga ajo ‘sa të ishte gjallë’. (Da 22:16, 17; Lp 22:28, 29) Kurse një virgjëreshë e fejuar, e cila konsiderohej tashmë se i përkiste një burri tjetër, duhej të vritej me gurë në rast se nuk bërtiste po të dhunohej seksualisht. Po të mos bërtiste, ajo tregonte se kishte pranuar dhe prandaj shihej si kurorëshkelëse. (Lp 22:23, 24; krahaso Mt 1:18, 19.) Fakti që një virgjëreshë e fejuar konsiderohej si ‘pronë’ e burrit, shpjegon arsyen pse te shënimi i Joelit 1:8 thuhet se «një virgjëreshë» vajtonte për «pronarin e rinisë së saj».
Ata që e ruajnë virgjërinë, gëzojnë liri më të madhe për t’i shërbyer Zotërisë, prandaj Pavli këshilloi se beqaria është më mirë për ata të krishterë që kanë vetëkontroll. (1Ko 7:25-35) Nga ana tjetër, për ata që nuk kanë vetëkontroll, ai vërejti: «Megjithatë, nëse dikush mendon se nuk po sillet siç duhet me virgjërinë e vet, atëherë po ta ketë kaluar kështu lulen e rinisë dhe nëse gjëja më e mirë për të është të martohet, le të bëjë ç’të dojë, nuk mëkaton. Le të martohen.»—1Ko 7:36.
Termi grek i përkthyer «virgjërinë» te 1 Korintasve 7:36-38, fjalë për fjalë do të thotë «virgjëreshë». Prandaj është hedhur ideja se Pavli e kishte fjalën për detyrimin e babait, ose të atij që ishte në këmbë të tij, kundrejt një vajze në moshë për t’u martuar. Në fakt, një përkthim i Biblës thotë: «Nëse dikush mendon se nuk do të ishte e drejtë ta linte të bijën të rritej derisa t’i ikte mosha e martesës, dhe se duhet të bëjë diçka për këtë, është i lirë të bëjë ç’të dojë: ai nuk mëkaton nëse lidh një martesë.» (Bibla e Jerusalemit, angl.) Sipas një pikëpamjeje tjetër, teksti i referohet një burri që vendos të martohet me vajzën me të cilën është fejuar. Përkthimi Simon Filipaj thotë: «Në qoftë se ndokush e sheh veten se nuk mund të qëndrojë i ndershëm kundrejt të fejuarës së vet, e ajo ia ka arritur pjekurisë, dhe i duhet të jetë me të, le të bëjë çka ka menduar, nuk mëkaton: le të martohen.»
Mirëpo, konteksti sugjeron se nuk bëhet fjalë për një virgjëreshë, por për virgjërinë e vetë personit. Një komentues vërejti: «Unë mendoj se këtu apostulli po vazhdon bisedën e mësipërme dhe po këshillon se çfarë duhet të bëjnë të pamartuarit që janë të lirë të zgjedhin; virgjëresha në këtë rast nënkupton virgjërinë e vetë personit.» (Matthew Henry’s Commentary on the Whole Bible, 1976, vëll. III, f. 1036) Meqë fjala greke parthénos përfshin edhe burrat e pamartuar, përdorimi i termit «virgjëri» në përkthimet e Xh. B. Rotherhamit dhe të Xh. N. Darbit, si dhe në Përkthimin Bota e Re, është me vend dhe përputhet më mirë me kontekstin.
Virgjëri frymore. Ashtu si kryeprifti i Izraelit mund të merrte për grua vetëm një virgjëreshë (Le 21:10, 13, 14; krahaso Ezk 44:22), edhe Kryeprifti i madh, Jezu Krishti, s’mund të ketë veçse një «virgjëreshë» si «nusen» e tij frymore në qiell. (Zb 21:9; He 7:26; krahaso Ef 5:25-30.) Për këtë arsye, apostulli Pavël ishte thellësisht i merakosur për pastërtinë e kongregacionit të krishterë, me dëshirën që ta paraqiste atë «para Krishtit si një virgjëreshë të dëlirë». (2Ko 11:2-6) Nusja e Krishtit përbëhet nga 144.000 persona të mirosur me frymë dhe secili prej tyre ruan ‘virgjërinë’ duke qëndruar i ndarë nga bota e duke mbetur i pastër nga ana morale dhe doktrinale.—Zb 14:1, 4; krahaso 1Ko 5:9-13; 6:15-20; Jk 4:4; 2Gjo 8-11.
Profeci mesianike. Ndonëse fjala hebraike bethuláh do të thotë «virgjëreshë», një term tjetër (ʽalmáh) del tek Isaia 7:14: «Ja, vasha [ha·ʽalmáh] do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vërë emrin Emanuel.» Fjala ʽalmáh do të thotë «vashë» dhe mund të përdoret qoftë për një vajzë jo të virgjër, qoftë edhe për një të virgjër. Termi «vasha» u përdor për Rebekën para se të martohej dhe u quajt edhe «virgjëreshë» (bethuláh ). (Zn 24:16, 43) I frymëzuar nga Perëndia, Mateu përdori fjalën parthénos (virgjëreshë) kur tregoi se Isaia 7:14 u përmbush më në fund me lindjen e Jezuit, Mesisë, nga një virgjëreshë. Mateu dhe Luka pohojnë qartë se nëna e Jezuit, Maria, në atë kohë ishte virgjëreshë dhe mbeti shtatzënë me anë të frymës së shenjtë të Perëndisë.—Mt 1:18-25; Lu 1:26-35.
Qytete, vende, popuj. Termi «virgjëreshë» është përdorur shpesh për qytete, vende ose popuj. Kështu, për shembull, «virgjëreshë» ose «bijë e virgjër» është përdorur për ‘popullin tim’ (Jr 14:17), për Izraelin (Jr 31:4, 21; Am 5:2), Judën (Va 1:15), Sionin (2Mb 19:21; Va 2:13), Egjiptin (Jr 46:11), Babiloninë (Is 47:1) dhe Sidonin (Is 23:12). Me sa duket, përdorimi i kësaj gjuhe të figurshme në këto vargje nënkupton që popujt ose vendet e ndryshme të përmendura ose nuk ishin pushtuar e rrënuar nga pushtuesit e huaj, ose një herë e një kohë ishin të panënshtruara, si një virgjëreshë.