NIKOLAITËT
«Sekti i nikolaitëve» dënohet në dy nga shtatë letrat që u dërgohen kongregacioneve në kapitujt 2 dhe 3 të Zbulesës. ‘Engjëlli’ i kongregacionit të Efesit lavdërohet, sepse i urrente «veprat e sektit të nikolaitëve» që edhe vetë Jezu Krishti i urrente. (Zb 2:1, 6) Megjithatë, në kongregacionin e Pergamit kishte disa nga ata që ‘e mbanin fort mësimin e sektit të nikolaitëve’. Atyre iu dha nxitja të largoheshin e të pendoheshin.—Zb 2:12, 15, 16.
Përveç asaj që është shkruar te Zbulesa, nuk dihet asgjë tjetër për këtë sekt, as për praktikat e mësimet e tij të dënueshme, as se si zuri fill dhe u zhvillua. Në gjuhën origjinale, termi lidhës që vjen menjëherë pasi përmendet sjellja imorale e idhujtare e izraelitëve për shkak të ‘mësimit të Balaamit’ (Zb 2:14, 15), mund të tregojë njëfarë ngjashmërie, por Zbulesa bën një dallim mes tyre. Nuk ka arsye për ta lidhur sektin e nikolaitëve me Nikolaun, të krishterin nga Antiokia, thjesht sepse ai është i vetmi me këtë emër në Bibël, siç kanë bërë disa shkrimtarë të kishës së hershme. As nuk mund të thuhet se ndonjë sekt apostat mori emrin e tij që ta bënte më të besueshme veprimtarinë e vet të mbrapshtë. Ka më shumë mundësi që Nikolau, nga i cili e mori emrin kjo lëvizje e paperëndishme, të ketë qenë një individ që nuk përmendet në Bibël.