Njeriu—Thjesht një kafshë më e lartë?
«A ka ndonjë rëndësi se çfarë besojmë për origjinën e jetës?»
Një vajzë 16-vjeçare në Brazil ngriti këtë pyetje në hyrje të fjalimit të saj me temë: «Njeriu—Thjesht një kafshë më e lartë?» Pasi kishte marrë një kopje të revistës Zgjohuni!, 22 qershor 1998, (anglisht) me këtë temë, mësuesja e kishte ftuar atë që të fliste para klasës, duke u bazuar në këtë pyetje.
Dëshmitarja në moshë të re theksoi se sa shkatërrimtar kishte qenë mësimi i evolucionit i bazuar në përzgjedhjen natyrore. Për shembull, shumë njerëz mendojnë se teoria e evolucionit i bëri disa që ta shohin luftën thjesht si një pjesë të natyrshme të luftës së përjetshme për mbijetesë, gjë që ndihmoi në përgatitjen e terrenit për zhvillimin e fashizmit dhe të nazizmit.
Nxënësja tregoi se midis njerëzve dhe kafshëve ekziston një humnerë gjigande. Ajo pohoi: «Vetëm njerëzit mund ta zhvillojnë gjendjen shpirtërore. Vetëm njerëzit përpiqen të zbulojnë domethënien dhe qëllimin e jetës. Vetëm njerëzit i shqetëson vdekja, interesohen për origjinën e tyre dhe kanë dëshirë të jetojnë përgjithmonë. Sa e rëndësishme është që të harxhojmë kohë për të zbuluar diçka më shumë rreth origjinës sonë!»
Mësuesja e lavdëroi prezantimin e shkëlqyer. Ajo ia dha meritën për suksesin e këtij prezantimi faktit që kësaj Dëshmitareje adoleshente i pëlqen të lexojë. Vajza njihet në shkollë si një lexuese e zellshme e botimeve të bazuara në Bibël, siç janë Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës.
Dëshmitarët e Jehovait interesohen sinqerisht për ndikimin që po ushtron teoria e evolucionit në zemrën e në mendjen e të rinjve. Për këtë arsye, kongregacioni me të cilin shoqërohet kjo vajzë i inkurajoi Dëshmitarët e rinj në moshë t’u jepnin një kopje të revistës Zgjohuni!, 22 qershor 1998, mësuesve dhe shokëve të shkollës. Rreth 230 revista u shpërndanë nëpër shkolla të ndryshme të qytetit. Në një shkollë, përgjegjësja e katedrës së shkencave u abonua në revistën Zgjohuni!
Faktikisht, ka rëndësi se çfarë besojmë për origjinën e jetës. Kjo vajzë e re dhe miqtë e saj kanë treguar se besimi te Krijuesi ka ndryshuar shumë gjëra në jetën e tyre.