Ungjijtë: Debati vazhdon
A janë të vërteta tregimet e Ungjijve për lindjen e Jezu Krishtit?
A e mbajti ai me të vërtetë Predikimin në Mal?
A u ringjall me të vërtetë Jezui?
A ka thënë faktikisht që «unë jam udha, e vërteta dhe jeta»?—Gjoni 14:6.
RRETH 80 studiues diskutuan çështje të këtij lloji në Seminarin Jezu, i cili, që nga 1985-a, mbahet dy herë në vit. Ky grup studiuesish u është përgjigjur këtyre pyetjeve në një mënyrë të pazakontë. Pjesëmarrësit në seminar kanë hedhur në votë, duke përdorur fleta votimi, çdo thënie që i atribuohet Jezuit në Ungjij. Fleta e kuqe tregon mendimin se pohimin e kishte bërë vërtet Jezui. Fleta rozë do të thotë se pohimi i ngjan diçkaje që mund ta ketë thënë Jezui. Fleta gri tregon se idetë mund të jenë të përafërta me ato të Jezuit, por që thënia nuk ka dalë nga ai. Fleta e zezë është krejt negative, duke pohuar se thënia ka ardhur nga tradita e mëvonshme.
Duke ndjekur këtë metodë, pjesëmarrësit në Seminarin Jezu i kanë hedhur poshtë që të katër pikat e përmendura në formë pyetjesh në hyrje të artikullit. Në fakt, ata kanë votuar me fletën e zezë për 82 për qind të fjalëve që i atribuohen Jezuit në Ungjij. Sipas tyre, vetëm 16 për qind e ngjarjeve të treguara për Jezuin në Ungjij dhe në shkrimet e tjera duket se janë autentike.
Kjo kritikë që u bëhet Ungjijve nuk është e re. Sulmi kundër Ungjijve filloi në vitin 1774, kur u botua, pas vdekjes së autorit, një dorëshkrim prej 1400 faqesh nga Herman Rajmarusi, një profesor i gjuhëve orientale në Hamburg, Gjermani. Atje, Rajmarusi ngrinte dyshime të rënda për vërtetësinë historike të Ungjijve. Përfundimet e tij bazoheshin në analizat gjuhësore dhe në kontradiktat në dukje që gjendeshin në katër tregimet e Ungjijve për jetën e Jezuit. Që nga ajo kohë, kritikët kanë shprehur shpesh dyshime për autenticitetin e Ungjijve, duke e minuar, në një farë mase, besimin e publikut në këto shkrime.
Emëruesi i përbashkët ndërmjet këtyre studiuesve është se i konsiderojnë tregimet e Ungjijve si trillime fetare të shkruara nga individë të ndryshëm. Pyetjet e zakonshme që ngrenë studiuesit dyshues janë: Mos vallë bindjet e tyre i kanë shtyrë shkrimtarët e katër Ungjijve të zbukurojnë faktet aktuale? Mos ndoshta konkurrenca politike e komunitetit të hershëm të krishterë i bëri ata të rregullonin ose ta shtonin historinë e Jezuit? Cilat pjesë të Ungjijve raportojnë vërtet me ndershmëri, në vend që të krijojnë një mit?
Njerëzit që janë rritur në një shoqëri ateiste ose jofetare besojnë se Bibla, ku përfshihen edhe Ungjijtë, është një libër plot legjenda dhe mite. Të tjerë akoma i neverit historia e të ashtuquajturit krishterim me gjakderdhje, shtypje, përçarje dhe sjellje të paperëndishme. Këta individë nuk shohin asnjë arsye për t’u kushtuar vëmendje shkrimeve që i ashtuquajturi krishterim i konsideron të shenjta. Ata mendojnë se librat që kanë sjellë si rezultat një fe hipokrite, s’mund të jenë gjë tjetër veçse përralla të padobishme.
Çfarë mendoni ju? A duhet të lejoni që disa studiues, të cilët vënë në dyshim vërtetësinë historike të Ungjijve, t’ju bëjnë që në mendje t’ju lindin dyshime të ngjashme? Kur dëgjoni deklarata se, sipas supozimeve, shkrimtarët e Ungjijve kanë krijuar një mit, a duhet të lejoni që kjo ta tronditë besimin tuaj në shkrimet e tyre? A duhet që historia e paperëndishme e të ashtuquajturit krishterim t’ju bëjë të vini në dyshim besueshmërinë e Ungjijve? Ju ftojmë të shqyrtoni disa fakte.
[Figura në faqen 4]
Ungjijtë përmbajnë përralla apo fakte?
[Burimi]
Jezui duke ecur mbi det/The Dore Bible Illustrations/Dover Publications
[Burimi i figurës në faqen 3]
Sfondi, faqet 3-5 dhe 8: me mirësjellje të Galerisë së Arteve Freer, Instituti Smithsonian, Uashington, D. C.