Praktike sot
«Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.»—PSALMI 119:105.
PSE ËSHTË NDRYSHE BIBLA? Disa vepra letrare mund të shihen si letërsi e shkëlqyer, por zor se japin udhëzime për jetën. Edhe manualet e sotme me udhëzime duhen rishikuar vazhdimisht. Nga ana tjetër, Bibla pohon se «gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë».—Romakëve 15:4.
NJË SHEMBULL: Ndonëse nuk është udhëzues mjekësor, Bibla ka sugjerime praktike për shëndetin e mirë emocional e fizik. Për shembull, në të thuhet se «zemra e qetë është jetë për trupin». (Proverbat 14:30) Gjithashtu, Bibla paralajmëron: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» (Proverbat 18:1) Përkundrazi, ajo thotë se «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh».—Veprat 20:35.
ÇFARË TREGOJNË KËRKIMET? Qetësia, miqësitë e forta dhe bujaria përmirësojnë shëndetin. Revista e Shoqatës së Mjekëve Amerikanë (anglisht), thotë: «Ata që shpërthejnë gjithë zemërim rrezikojnë dy herë më shumë t’u bjerë iktus, sesa ata që e kontrollojnë veten.» Sipas një studimi dhjetëvjeçar në Australi, të moshuarit që ishin «më të lidhur me miqtë a njerëzit e besuar, kishin më tepër të ngjarë të jetonin më gjatë». Kurse në vitin 2008, studiues nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kuptuan se «të harxhosh para për të tjerët të bën më të lumtur, sesa t’i harxhosh për veten».
SI MENDON? A do t’u besoje këshillave shëndetësore të ndonjë libri tjetër që ka përfunduar thuajse 2.000 vjet më parë? Apo Bibla është unike?
[Diçitura në faqen 8]
«Më tërheq tej mase Bibla . . . sepse është mjekësi e shkëlqyer.»—HAUARD KELI, NJË NGA THEMELUESIT E FAKULTETIT TË MJEKËSISË NË UNIVERSITETIN «XHON HOPKINS»