Vazhdoni të thoni: «Eja!»
1 Çfarë mase të mrekullueshme ka marrë Jehovai me anë të flijimit shpërblerës të Jezuit! Gjithçka që nevojitet për të qenë të lumtur bazohet në të. (Gjoni 3:16) Por, është e trishtueshme të themi se shumë pak e njohin këtë të vërtetë ose që besojnë ngultas. Megjithatë, Jehovai nga dashuria e tij për njerëzimin ka vendosur që ky lajm i mirë të jetë i përhapur kudo. Me anë të Birit të tij Jezu Krishtit, ai u ofroi të gjithëve mundësinë për të gjetur lumturinë dhe për të pasur shpresën e jetës së përhershme.—Gjoni 17:3.
2 Për mijëra vjet identiteti i Atij që do të shpërblente njerëzimin nga mëkati dhe vdekja mbeti i panjohur. Ishte një «sekret i shenjtë» derisa erdhi Krishti Jezu «për të bërë dritë mbi jetën dhe mbi paprishshmërinë përmes lajmit të mirë». (Rom. 16:25; 2. Tim. 1:10) Në shekullin e parë dishepujt e Jezuit filluan predikimin e këtij lajmi të mirë; edhe ne kemi privilegjin e lartë të shpallim të njëjtin lajm të mirë në kohët moderne. Kur predikojmë mesazhin e Mbretërisë, bëhemi bashkëpunëtorë të Perëndisë Jehova, të Jezu Krishtit dhe të vëllezërve të Krishtit, të cilët çdo lloj personi i drejtojnë ftesën: «Eja! . . . Merre falas ujin e jetës.»—Zbul. 22:17, NW.
3 Natyrisht jo të gjithë do ta dëgjojnë këtë lajm të mirë. Shumë pak e përqëndrojnë vëmendjen me seriozitet. Disa i kundërshtojnë me vrazhdësi shërbëtorët e Perëndisë, të cilët i ftojnë për të vlerësuar ujërat jetëdhënëse të së vërtetës. Krahas kësaj, me forcën që vjen nga Jehovai durojmë në këtë vepër. E dimë se dëshira jonë e sinqertë për të shpallur të vërtetën dhe për të ndihmuar cilindo që është i gatshëm të dëgjojë e gëzon Jehovain dhe ka bekimin e tij.
4 Gjatë muajit qershor, në shërbimin tonë, ata që kërkojnë të vërtetën, do t’i inkurajojmë që të lexojnë njërën prej këtyre broshurave: Emri, Qeveria apo Frymërat. Nëse i lexojnë këto do të kenë bekime. Për shembull, broshura Qeveria e cila do të vendosë parajsën trajton një temë mbi të ardhmen—të ardhmen e tyre dhe tonën. Disa, të cilët tashmë janë shërbëtorë të dedikuar të Jehovait në fillim kur lexuan në njërën prej këtyre broshurave shpjegime mbi Biblën u interesuan për të vërtetën. Duke ristudiuar këto broshura në Shkollën e Shërbimit Teokratik, mund të mbetemi zgjuar për të gjetur pika të cilat mund t’i përdorim në shërbim. Nëpërmjet pikave të tjera, mund t’u tregojmë shpjegimet e profecive biblike që janë plotësuar në këtë shekull të XX.
5 Duke u afruar fundi i këtij sistemi gjërash, është e përshtatshme që të flasim mbi dhuratat e dashura që Jehovai u ka dhënë njerëzve. Sido që do të vendosin të na dëgjojnë apo jo, ne do të qëndrojmë në veprën që na ka caktuar Perëndia, duke e ftuar atë që dëshiron: «Eja! . . . merre falas ujin e jetës.»