Kërkesa si për shërbëtorët e rinj ashtu dhe për ata me përvojë
1 Psalmisti David pyeti: «O Jehova, kush do të jetë mik në tendën tënde? Kush do të ulet mbi malin tënd të shenjtë?» Me pak fjalë, por të zgjedhura mirë, Davidi u përgjigj: «Ai që ecën pa të meta e praktikon drejtësinë dhe dëshmon për të vërtetën.» (Psalmi 15:1, 2) Këto kërkesa nuk kanë ndryshuar. Cilido që vjen sot në kongregacionin e krishterë për adhurim duhet të braktisë praktikat imorale dhe të dehurit. Në mes të popullit të Jehovait nuk ka vend për ata që janë grindavecë, që kanë një temperament të dhunshëm ose që flasin në mënyrë mashtruese. Shërbëtorë të rinj apo me përvojë qofshim, duhet të jemi besnikë në mbajtjen e normave të larta të Fjalës së Perëndisë.—Gal. 5:19-21.
2 Shumë të rinj po vërshojnë në organizatën e Jehovait. Të rinj dhe të moshuar kanë ndryshuar mënyrën e tyre të të menduarit për ta vënë jetën e tyre në përputhje me kërkesat e vendosura nga Perëndia. Në Amerikën e Jugut një i ri u rrit pa udhëheqjen e prindërve dhe zhvilloi probleme serioze në sjellje. Që 18 vjeç ishte i dhënë pas drogës dhe tashmë kishte qenë në burg për arsye se vidhte për të ruajtur vesin. Falë një studimi biblik ai u shkëput nga shokët e vjetër, gjeti miq të rinj në mes të Dëshmitarëve të Jehovait dhe më në fund ia dedikoi jetën e tij Perëndisë.
3 Edhe ne duhet të jemi të vendosur që t’i pëlqejmë Perëndisë në çdo aspekt të sjelljes sonë, «në drejtësi të vërtetë dhe besnikëri». (Efes. 4:24) Nëse duam të mbetemi në organizatën e Perëndisë të krahasuar me një mal, kemi për detyrë «të zhveshim personalitetin e vjetër me praktikat e tij» dhe «të veshim personalitetin e ri që përtërihet me anë të njohurisë së saktë».—Kol. 3:9, 10.
4 Fjala e Perëndisë ndikon fuqishëm: Personaliteti i Jehovait i zbuluar nëpërmjet Biblës, mund të ushtrojë një ndikim pozitiv të fuqishëm mbi mënyrën tonë të të menduarit dhe të vepruarit. (Rom. 12:2) Fjala e tij ka fuqi të transformojë mendjen dhe të hetojë zemrën. (Hebr. 4:12) Nga shkrimet e frymëzuara kuptojmë se vullneti i Jehovait është që të bëjmë një jetë moralisht të drejtë, të marrim pjesë plotësisht në shërbimin publik dhe të mos lëmë pas dore mbledhjet e krishtere.
5 Presionet në rritje në këto kohë të vështira mund ta shtyjnë të krishterin që të shkelë ligjet e Perëndisë. Nëse lë pas dore studimin personal dhe familjar, mbledhjet e kongregacionit apo shërbimin, edhe një i krishterë që më parë ka qenë i fortë mund të largohet nga besimi dhe ndoshta mund të nisë një sjellje të gabuar. Për këtë Pavli i shkroi Timoteut: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes tënde dhe mësimit tënd» dhe «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme asaj që po them».—1. Tim. 4:16; 2. Tim. 2:7.
6 Nëse frekuentojmë kongregacionin prej pak kohësh apo kemi shumë vite përvojë mbi supe, për të shpëtuar jetën duhet që të kemi të qarta në mendje kërkesat e vendosura nga Perëndia, të jemi të drejtpeshuar në shërbim dhe të mbajmë të gjallë shpresën tonë. (1. Pjet. 1:13-16) Vështrimi i përditshëm i normave të drejta të Perëndisë është absolutisht thelbësor.
7 Syno që të marrësh pjesë sa më shumë që të jetë e mundur në shërbimin në fushë gjatë muajit nëntor. Ji i vendosur për të ndihmuar të tjerët që të rriten në besim dhe të bëhen më prodhues në shërbimin në fushë. (Rom. 1:12) Mbaje mendjen të drejtuar nga gjërat e drejta, duke qenë i rregullt në studimin personal e familjar dhe në frekuentimin e mbledhjeve. (Filip. 4:8) Përpjekjet e tua për t’i pëlqyer Perëndisë, duke jetuar në lartësinë e kërkesave të tij nuk do të kalojnë pa u vërejtur.—Kol. 3:23, 24.