Dobi nga rishikimi i fjalimeve publike
1 Historia moderne e Dëshmitarëve të Jehovait është përshkruar me saktësi në fjalët e Proverbave 4:18: «Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë më e mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.»—Dio.
2 Në harmoni me këtë, kongregacioni i krishterë vazhdon të marrë kohë pas kohe sqarime dhe informacione të përditësuara mbi mësimet biblike. (Mat. 24:45-47) Ngjashëm, ti mund të tregosh shembuj të asaj që ke vërejtur qysh kur ke filluar të shoqërohesh me Dëshmitarët e Jehovait. Mbledhjet e kongregacionit, duke përfshirë fjalimet publike, na ndihmojnë për të qëndruar në një hap me shtimin e dritës së të vërtetës.
3 Rishikimi i skemave: Kohët e fundit, Shoqata ka përditësuar një numër skemash të fjalimeve publike. Është futur material i përditësuar në to dhe pikat kryesore janë sqaruar. Nëse kongregacioni do të marrë dobi të plotë nga ky informacion i përditësuar, vëllezërit që mbajnë fjalime publike duhet të përdorin vetëm skemat e fundit fare.
4 Me qëllim që të nxirret sa më shumë dobi nga fjalimet publike, jepen disa mendime mbi titullin e fjalimit që do të mbahet. Para se të marrësh pjesë në Mbledhjen Publike, përpiqu të sjellësh ndër mend informacionet e fundit nga burimet teokratike mbi subjektin. Pastaj, ndërsa dëgjon, parapriji zhvillimit të këtij informacioni. Merr shënim çdo mënyrë të re të prezantimit të këtyre të vërtetave për t’i përdorur në të ardhmen. Kjo të siguron marrjen e dobive të mëdha nga fjalimet publike të rishikuara.
5 Fjalimet publike duhet të informojnë e gjithashtu të nxitin dëgjuesit: Kur Jezui fliste, ai prekte zemrat e dëgjuesve të tij. Mbi përfundim të fjalimit të Jezuit në mal, fjalimi më i famshëm publik i dhënë ndonjëherë, Mateu 7:28 raporton: «Ndikimi ishte se turmat mbetën të habitura nga mënyra e tij e të mësuarit.»—BR.
6 Duke pasur në mendje shembullin e Jezuit, trupi i pleqve duhet të përdorë aftësi shquese kur të aprovojë oratorë të rinj publikë, duke caktuar vetëm ata vëllezër që janë mësues të shkëlqyer, të cilët do t’u përmbahen ngushtë skemave të Shoqatës dhe që janë të aftë të mbajnë vëmendjen e auditorit. Vëllezërit që janë caktuar për të mbajtur fjalime publike, duhet të përpiqen vazhdimisht për të përmirësuar shkathtësinë e tyre oratorike, duke pranuar çdo këshillë dhe sugjerim të marrë nga pleqtë.
7 Siç është parathënë tek Isaia 65:13, 14, mirëqenia frymore e popullit të Perëndisë vazhdon të bëhet gjithnjë e më e dukshme. Rregulli i fjalimeve publike është një nga mënyrat e shumta me anë të të cilave «mësohemi nga Jehovai».—Isa. 54:13, BR.