Të kryejmë me efektshmëri shërbimin tonë jetëshpëtues
1 Apostulli Pavël e përshtaste mënyrën e tij të prezantimit të lajmit të mirë, me qëllim që të «shpëtonte me çdo kusht disa». (1. Kor. 9:19-23, BR) Ngjashëm, edhe ne do të kemi më shumë sukses në shërbim, nëse do të jemi të zgjuar për të dalluar se cilat janë interesat e të zotit të shtëpisë dhe do të jemi të gatshëm për t’ia përshtatur prezantimin tonë nevojave të tij. Nuk do të ishte e vështirë për ta bërë këtë nëse ofrojmë Kullën e Rojës ose një nga broshurat format reviste.
2 Pasi të prezantohesh, mund të fillosh duke thënë me fjalët e tua diçka të tillë:
◼ «Përballë paaftësisë së dukshme të qeverive botërore për të gjetur zgjidhje praktike për problemet e kohës sonë, shumë veta humbin çdo shpresë. Disa madje ia hedhin fajin qeverive për problemet e tyre. A mendon se mund të ekzistojë ndonjë qeveri që është në gjendje të plotësojë në mënyrë të përshtatshme të gjitha nevojat tona? [Lëre të përgjigjet.] A e dije se një burim i besueshëm ka premtuar një qeveri e cila do të eliminojë përfundimisht të gjitha problemet tona?» Dëgjo me vëmendje përgjigjen e të zotit të shtëpisë. Në bazë të asaj që thotë, ji i gatshëm të vazhdosh me një argument të ndryshëm.
3 Nëse nga ajo që thotë i zoti i shtëpisë, kuptohet se ai e mban veten për të krishterë, mund t’i kërkojmë që të thotë lutjen «Ati ynë». Nëse përgjigjja është pohuese, mund të përsëritim lutjen model deri aty ku thotë: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.» (Mat. 6:9, 10) Këto fjalë tregojnë se një ditë këtu në tokë do të bëhet vullneti i Jehovait. Mund t’i referohesh ndonjë artikulli të përshtatshëm të Kullës së Rojës ose një broshure që thellon këtë koncept, si për shembull Cili është qëllimi i jetës—Si mund ta gjesh? në faqen 20.
4 Nëse i zoti i shtëpisë tregon se nuk ka besim tek Perëndia, mund të lexosh Hebrenjve 3:4 dhe të hapësh në faqen 4 broshurën A kujdeset me të vërtetë Perëndia për ne? Lexo paragrafët 1 e 2 dhe pyetjen në fund të faqes ose bëj një lidhje me informacione të tjera të përshtatshme, marrë në një nga revistat e fundit.
5 Nëse i zoti i shtëpisë duket i kënaqur nga jeta që bën, mund ta pyesësh:
◼ «Përse duhet ta konsiderojmë seriozisht atë që thotë Bibla në lidhje me të ardhmen e qeverive?» Bibla paratha në mënyrë të hollësishme kushtet e ditëve tona dhe na lajmëron se të gjitha qeverive njerëzore do t’u vijë fundi nga dora e Perëndisë, Mbretëria e të cilit, e drejtuar prej Birit të tij, Jezu Krishtit, do të qeverisë mbi të gjithë njerëzimin.—Dan. 2:44; 7:13, 14. Nëse personi tregon interes, vazhdo bisedën me fletushkën A do të mbijetojë kjo botë?, duke filluar nga paragrafi i parë në faqen 2.
6 Nuk mund të themi se vizita jote e parë ka dalë me sukses nëse nuk ke ngacmuar oreksin e të zotit të shtëpisë për rivizitën. Mos harro të bësh një pyetje interesante dhe t’i premtosh se do t’i japësh përgjigje kur të kthehesh.
7 Ndër informacionet e mësipërme zgjidh më të mirat. Përshtatja territorit tënd. Fito përvojë me broshurat format reviste, fletushkat dhe artikujt e revistave që mendon të përdorësh, kështu mund t’ia përshtatësh menjëherë argumentin tënd nevojave të pronarit të shtëpisë. Le t’i përgatisim pra me kujdes prezantimet tona «për hir të lajmit të mirë» që ta kryejmë me efektshmëri shërbimin tonë jetëshpëtues.—1. Kor. 9:23.