Dera e gjerë e aktivitetit është hapur
1 Si një predikues i zellshëm i lajmit të mirë, Pavli kërkoi në mënyrë të etshme territore ku nevoja ishte më e madhe, një prej të cilëve ishte qyteti i Efesit. Ai kishte një sukses të tillë të shkëlqyer duke predikuar atje, saqë u shkroi bashkë të krishterëve: «Përpara meje është hapur një derë e gjerë që të çon në aktivitet.» (1. Kor. 16:9, BR) Pavli vazhdoi të shërbente në atë territor dhe ndihmoi shumë efesianë për t’u bërë besimtarë.—Vep. 19:1-20, 26.
2 Sot, përpara nesh është hapur një derë e gjerë që të çon në aktivitet. Ne kemi një ftesë për të ndihmuar kongregacionet që nuk janë në gjendje të punojnë të gjithë territorin e tyre tërësisht çdo vit. Prandaj përpjekjet tona mund të kompensojnë nevojën që ekziston në disa zona.—Krahaso 2. Korintasve 8:13-15.
3 A mund të shërbesh atje ku ka më shumë nevojë? A e ke konsideruar plotësisht në lutje mundësinë për të shërbyer diku tjetër? Ti mund të jesh në gjendje të ndihmosh një kongregacion në qytetin tënd. Përse të mos flasësh me mbikëqyrësin qarkor rreth çështjes dhe të shohësh se çfarë sugjeron ai? Ose mund të jetë që brenda territorit të kongregacionit tënd ka një grup të madh njerëzish të shurdhër apo të huaj, për të cilët asnjë nuk ka pasur mundësi të kujdeset. Me qëllim që të plotësohet kjo nevojë, a mund ta ushtrosh veten për të mësuar gjuhën e tyre? Përveç kësaj, ndoshta ekziston tashmë një grup ku flasin një gjuhë të huaj apo një kongregacion aty afër që ka qenë ‘duke iu lutur Zotërisë për më shumë punëtorë të Mbretërisë’. (Mat. 9:37, 38, BR) Nëse është kështu, a je në gjendje për të ndihmuar?
4 Në dekadat e fundit, mijëra familje të krishtere janë transferuar në vende të tjera për të pasur një pjesëmarrje më të plotë në veprën e korrjes. Një çift i martuar që bëri kështu tha: «Ne donim t’i shërbenim Jehovait atje ku mund të bënim më të mirën tonë.» Në qoftë se ke këtë dëshirë dhe e sheh të mundshme të transferohesh në vendet atje ku nevoja është më e madhe këtu në Shqipëri, së pari bisedo për planet e tua me pleqtë e kongregacionit tënd.
5 Nëse dëshiron të pyesësh Shoqatën se ku ekziston një nevojë e tillë, shkruaji një letër Komitetit të Shërbimit të Kongregacionit, duke theksuar dëshirën tënde specifike. Ata do të bashkangjitin komentet e tyre dhe do t’ia dërgojnë Shoqatës. Sidoqoftë, për sa kohë që dera e gjerë e aktivitetit mbetet e hapur, le të vazhdojmë të gjithë që të jemi të zënë në shërbimin e Jehovait.—1. Kor. 15:58.