Trego respekt për vendin e adhurimit të Jehovait
1 Kur jemi mysafirë në shtëpinë e dikujt, ne tregojmë respekt për pronën e atij personi, duke mos bërë ndonjë gjë që do ta dëmtonte atë dhe nuk ndërpresim rutinën e rregullt të shtëpisë. Sa më shumë duhet të jetë kështu kur jemi mysafirë të Jehovait! Ne duhet të dimë se si të sillemi në shtëpinë e tij. (Psal. 15:1; 1. Tim. 3:15) Qoftë që mbledhja jonë e krishterë mbahet në Sallën e Mbretërisë, në një shtëpi private apo në një ndërtesë publike, shumica më e madhe prej nesh tregojmë gjithnjë respekt për vendin tonë të adhurimit si të ishim në shtëpinë e Jehovait, «dinjiteti [i të cilit] është përmbi tokën dhe qiellin».—Psal. 148:13, BR.
2 Disa vëllezër tregojnë mungesë respekti në mbledhje, duke bërë zhurmë ose duke vepruar sikur informacioni që është duke u paraqitur të ishte i parëndësishëm. Disa të rritur vazhdojnë të bëjnë biseda të panevojshme në hyrjen, në korridorin, në banjon e Sallës së Mbretërisë apo përjashta, ndërsa brenda zhvillohet mbledhja. Kur një fëmijë pak më i rritur lihet që të mbikëqyrë një më të vogël, disa herë që të dy fillojnë të luajnë dhe nxjerrin pak dobi nga programi. Disa të rinj janë parë jashtë Sallës së Mbretërisë fill pas mbledhjeve, duke luajtur, duke bërë zhurmë shumë të madhe e madje, duke bërë lëvizje karateje ndaj njëri-tjetrit. Në disa raste ata kanë shqetësuar fqinjët ose kanë ndërprerë trafikun në parkimin e makinave, ose në rrugë.
3 Si ta shmangim të qenët pa respekt: Duke kuptuar dinjitetin dhe shenjtërinë e adhurimit tonë, pa dyshim që ne nuk do të donim të shkëputnim vëmendjen e të tjerëve duke pëshpëritur, duke ngrënë, duke përtypur çamçakëz, duke shfletuar kot fletët e librave, duke bërë vajtje ardhje të panevojshme në banjo, ose duke e bërë zakon mbërritjen vonë në mbledhje. Prindërit e respektueshëm dhe të kuptueshëm nuk i lejojnë fëmijët e tyre që të ndotin qilimin, tapicerinë ose muret e Sallës së Mbretërisë apo të shtëpisë ku mbahet studimi i librit. Dhe pa dyshim të gjithë ne jemi dakord se në mbledhjet tona nuk ka vend për asnjë lloj sjelljeje të turpshme, të foluri pa mend ose gjestesh të ndyra.—Efes. 5:4.
4 Nëse e kujtojmë gjithmonë qëllimin e mbledhjeve tona të krishtere, do të sigurohemi se ne dhe fëmijët tanë tregojmë respektin e duhur për adhurimin e Jehovait në vendin ku «kemi zgjedhur të qëndrojmë».—Psal. 84:10, BR.