Kongresi krahinor i Dëshmitarëve të Jehovait 1998 «Mënyra hyjnore e të jetuarit»
1 Vit pas viti adhuruesit e Jehovait në kohët moderne kudo në tokë, me etshmëri i paraprijnë grumbullimeve të mëdha në kongrese krahinore. Duke bërë kështu ata pasqyrojnë frymën e shërbëtorëve besimplotë të Jehovait në Izraelin e lashtë, të cilët me gëzim kënduan fjalët që gjejmë në Psalmin 122, rrugës kur shkonin për të adhuruar Jehovain në Jerusalem. Vargu 1 i këtij psalmi thotë: «U gëzova kur më thanë: ‘Le të shkojmë në shtëpinë e Jehovait.’» (BR) Në raste të tilla ne shohim, gjithashtu, dëshmi në rritje se fjalët e frymëzuara të Isaisë 2:2, 3 po plotësohen.
2 Shprehje të sinqerta çmueshmërie u dëgjuan për programin freskues frymor prej më shumë se 1.780 të pranishmëve në kongresin krahinor 1997 «Besim në Fjalën e Perëndisë» në Shqipëri. Numri i atyre që u pagëzuan si pasojë e ‘Besimit në Fjalën e Perëndisë’ ishte 103. Fakti që vitin e kaluar kemi gëzuar një program të tillë ndërtues duhet me të vërtetë të na motivojë që të bëjmë çdo përpjekje për të qenë të pranishëm dhe për të dëgjuar programin nxitës, që po rregullohet për kongresin 1998 «Mënyra hyjnore e të jetuarit», i cili do të mbahet edhe në Shqipëri verën që vjen.
3 Këtë vit ne kemi arsye të veçanta për t’u gëzuar, duke pasur parasysh ambientin ndërkombëtar që do të shtohet nga mijëra delegatë nga vendet përreth tokës, të cilët do të marrin pjesë në disa nga kongreset më të mëdha. Misionarët që kthehen në shtëpi për të vizituar familjet dhe miqtë do të jenë të pranishëm në shumë nga këto kongrese. Prandaj, programi i kongresit në çdo vend do të nxjerrë në pah përvojat e shërbimit dhe raportet mbi progresin e veprës së predikimit të Mbretërisë në vende të tjera.
4 Sigurisht, vetëm kongregacionet e ftuara [të caktuara] në zonën e përgjithshme të kongreseve ndërkombëtare do të kenë mundësi të ndjekin këto grumbullime. Është jetësore që secili të respektojë këto kufizime, me qëllim që të gjitha kongreset të mbahen në mënyrë të rregullt. Ambienti ndërkombëtar do të spikatë në të gjitha kongreset krahinore në disa pjesë dhe raporte të zgjedhura të programit, si edhe nga prania e misionarëve që mund të marrin pjesë.
5 Ndërkohë që vazhdojnë përgatitjet për kongresin 1998 «Mënyra hyjnore e të jetuarit», ne duam të rishikojmë disa informacione që do t’ju nevojiten, me qëllim që të keni një strehim për kongresin. Bashkëpunimi juaj i plotë do të tregojë çmueshmërinë personale që keni për të gjitha rregullimet e bëra për dobinë tuaj.
6 Rregullimi i strehimit: Që nga janari i vitit 1998, në qytetet ku do të mbahet kongresi, do të organizohen grupe vëllezërish që do të angazhohen me kërkimin e vendeve të strehimit. Këta vëllezër do të jenë të stërvitur për të gjetur hotele, konvikte apo dhoma të tjera të përshtatshme me një çmim të arsyeshëm. Në bazë të marrëveshjeve të bëra me pronarët e këtyre lokaleve, Reparti i Strehimit do të ketë në dispozicion dhoma fjetjeje me një çmim të caktuar për çdo person që dëshiron të marrë pjesë në kongresin e atij qyteti.
7 Ndërkohë, në qytetin ku mbahet kongresi, Komiteti i Kongresit do të ftojë kongregacionet lokale që të ofrojnë ndihmë për të strehuar ata vëllezër që kanë më shumë nevojë. Në një mbledhje të shërbimit, pleqtë do të njoftojnë vëllezërit dhe personat e interesuar që të bëjnë një përpjekje për të ofruar strehim falas. Në fund të mbledhjes, pleqtë do të bëjnë një listë me emrat e atyre që ofrojnë strehim dhe do t’ia dërgojnë sa më shpejt Komitetit të Kongresit. A ke mundësi të ofrosh ndihmë në këtë çështje? Jehovai bekon mikpritjen bujare të shërbëtorëve të tij.—Zan. 18:1-5, 18; 1. Mbret. 17:8-16; Vep. 16:14, 15.
8 Në këtë mënyrë, disa muaj përpara kongresit, Reparti i Strehimit do të informojë kongregacionet për çmimet e lokaleve që janë gjetur. Gjithashtu, do të ketë në dispozicion disa vende fjetjeje falas për ata që kanë nevoja të veçanta. Ky rregullim i parakohshëm do t’u japë mundësi vëllezërve dhe personave të interesuar që të bëjnë planet e duhura dhe të «llogaritin shpenzimet», të cilat, përveç strehimit përfshijnë udhëtimin dhe ushqimin. (Luka 14:28) Sugjerojmë që individët dhe familjet të bëjnë një program të mirë për të kursyer paratë e nevojshme. Duke bërë një përpjekje të veçantë për të marrë pjesë në çdo ditë të kongresit, do t’i tregoni Jehovait çmueshmërinë për ftesën që ju ka drejtuar.—Psal. 84:10.
9 Në kohën e caktuar, Reparti i Strehimit do të kërkojë nga çdo kongregacion listat me emrat e atyre që kërkojnë strehim. Pleqtë do të marrin udhëzime lidhur me informacionet që duhet të dërgojnë për çdo person që bën këtë kërkesë. Pas kësaj, Reparti i Strehimit do të caktojë një vend strehimi për çdonjërin që ka bërë kërkesë dhe do ta njoftojë secilin me anë të një letre. Si rezultat, para se të shkojë në vendin e kongresit, çdo pjesëmarrës do të ketë siguruar një strehim.
10 Të tregojmë bindje ndaj drejtimit të Shoqatës: Kjo pikë duhet të jetë një nga shqetësimet tona kryesore. Hebrenjve 13:17 thotë: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush dhe jini të nënshtruar, sepse ata po vigjilojnë mbi shpirtrat tuaj, si ata që do të japin llogari, në mënyrë që këtë ta bëjnë me gëzim dhe jo duke psherëtirë, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (BR) Bashkëpunimi ynë në këtë çështje kërkohet vetëm dy apo tri ditë në vit. Shembulli ynë i mirë, siç shihet nga vëllezërit tanë, mbështet një frymë të dashur, të bashkuar dhe forcuese.—Shiko 1. Korintasve 16:16; Filipianëve 2:1-4.
11 Të gjithë ne e kemi të qartë se Jehovai po mbështet rregullimin e kongreseve vjetore. Meqenëse shumë nga vëllezërit që udhëtojnë për të shkuar në kongreset krahinore kërkojnë dhoma, ne mund të jemi të sigurt se Jehovai do të sigurojë në mënyrën e duhur për këto nevoja. Duke provuar se jemi të «besueshëm në atë që është më e vogël», vihemi në radhë për të marrë bekimet e mëdha që i presin ata, të cilët Jehovai i do.—Luka 16:10, BR.