Sa mirë është që të jesh gjithmonë i pranishëm!
1 Për dekada në Evropën Lindore, shumë prej vëllezërve tanë të dashur u ndaluan që të mbanin mbledhje publike. Imagjino gëzimin e tyre kur u hoq ndalimi dhe mundën të mblidhen së bashku lirisht!
2 Lidhur me vizitën e tij në një prej këtyre kongregacioneve, një mbikëqyrës qarkor shkroi: «Mbrëmjen e së martës, kur sapo kisha filluar vizitën, sistemi i ngrohjes u prish. Jashtë temperatura qëndronte aty afër ngrirjes, ndërsa brenda ishte vetëm rreth 5° C. Vëllezërit qëndruan të veshur me pallto, shalle, doreza, kapele dhe çizme. Asnjëri nuk mund të të ndiqte më me Bibël, pasi ishte e pamundur të ktheje faqet. Duke qëndruar në platformë siç isha me kostum, u bëra akull i ftohtë dhe sa herë që flisja, shihja frymën time. Por ajo që më bëri përshtypje ishte se nuk dëgjova asnjë fjalë të vetme ankuese. Të gjithë vëllezërit thanë se sa e këndshme dhe e mirë kishte qenë prania në mbledhje!» Këta vëllezër as nuk menduan që ta humbnin atë mbledhje!
3 A ndihemi po njësoj? A e çmojmë mundësinë për t’u mbledhur lirisht në mbledhjet tona javore? Apo i marrim me të lehtë ato kur rrethanat janë të favorshme. Ndjekja e rregullt e mbledhjeve mund të mos jetë e lehtë dhe nganjëherë mund të na ndodhë që për arsye të pranueshme të mos marrim pjesë. Por, kurrë mos harro, se mes nesh ka nga ata që me gjithë moshën e thyer, problemet e rënda shëndetësore, mangësitë fizike, punën e lodhshme dhe përgjegjësitë e tjera serioze, e kuptojnë rëndësinë e mbledhjeve dhe marrin pjesë pothuajse gjithmonë. Çfarë shembujsh të shkëlqyer për t’u imituar!—Krahaso Lukën 2:37.
4 Le ta bëjmë zakon që ta përkrahim adhurimin e vërtetë, duke i ndjekur të gjitha mbledhjet e krishtere që nga grupi i vogël i studimit të librit deri në kongresin e madh! Përse duhet ta konsiderojmë si diçka kaq serioze praninë tonë në këto grumbullime? Sepse është një urdhër hyjnor që të mblidhemi së bashku. Por ka edhe arsye të tjera të rëndësishme. Të gjithë kemi nevojë për dobitë e mësimit hyjnor dhe ndihmën e frymës së shenjtë që merren në mbledhje. (Mat. 18:20) Shkëmbimi i inkurajimit kur shoqërohemi me vëllezërit tanë, na ndërton.—Hebr. 10:24, 25.
5 Në shpërfytyrimin e Jezuit, Pjetri tha: «Mësues, për ne është mirë të jemi këtu.» (Luka 9:33, BR) Ne duhet të ndihemi po njësoj në lidhje me të gjitha mbledhjet tona të krishtere. Në fakt, sa mirë është të jesh gjithmonë i pranishëm!