Përpiqu t’i njohësh vëllezërit e tu
1 Bibla e përshkruan mikun e vërtetë si një person, i cili të qëndron më afër se një vëlla, që është në çdo kohë i dashur dhe besnik dhe që i vjen në ndihmë shokut të tij në kohë dëshpërimi. (Prov. 17:17; 18:24) Nuk do të mungojnë miq të tillë në kongregacion, nëse bëjmë përpjekje për t’u njohur dhe për ta dashur njëri-tjetrin.—Gjoni 13:35.
2 Mundësi të shkëlqyera për t’u njohur me vëllezërit tanë, kemi para dhe pas mbledhjeve. Përse të mos vish më shpejt e të qëndrosh ca më gjatë pas mbledhjes që të mund të gëzosh shoqërinë e ngrohtë dhe gazmore? Kërko një sërë vëllezërish për të biseduar, duke përfshirë të moshuarit me përvojë, më të rinjtë ose tipat e ndrojtur.
3 Nis biseda: Mos u mjafto thjesht me një përshëndetje kalimthi të vëllezërve. Mund ta fillosh një bisedë duke treguar një përvojë nga shërbimi në fushë, një pikë interesante nga një prej revistave të fundit ose një koment rreth mbledhjes që sapo ka përfunduar. Mund të mësosh shumë rreth vëllezërve të tu duke qenë një dëgjues i mirë, duke i inkurajuar ata që të flasin në lidhje me përvojat e tyre dhe gjërat që po mësojnë. Vetëm pyetja se si ai ose ajo e kanë njohur Jehovain, mund të të zbulojë shumë. Disa kanë kaluar përvoja që u kanë forcuar besimin në jetën e tyre, ndërsa të tjerë janë duke duruar situata pikërisht tani, që për shumë të tjerë mund të jenë të vështira të imagjinohen. Kuptimi i këtyre gjërave do të na ndihmojë që si shokë të vërtetë, të jemi mirë të vetëdijshëm dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve.
4 Bëhuni shokë njëri me tjetrin: Pas vdekjes së fëmijës, një motër e kishte të vështirë të këndonte këngët e Mbretërisë që përmendnin ringjalljen. Ajo kujton: «Një herë, një motër që ndodhej në rreshtin pranë më pa tek po qaja. Ajo m’u afrua, më hodhi krahun dhe e këndoi bashkë me mua pjesën tjetër të këngës. U ndjeva kaq e mbushur me dashuri për vëllezërit e motrat dhe kaq e lumtur që kishim shkuar në mbledhje, duke kuptuar se ndihma jonë është aty, në Sallën e Mbretërisë.» Ne duhet të bëhemi shokë me vëllezërit tanë, duke u ofruar ngushëllim kur është e nevojshme dhe inkurajim të vazhdueshëm.—Hebr. 10:24, 25.
5 Ndërsa kjo botë bëhet gjithnjë e më shtypëse, le të vendosim t’i njohim më mirë vëllezërit tanë! Ky shkëmbim i inkurajimit të sinqertë, do të rezultojë në një bekim për të gjithë ne.—Rom. 1:11, 12.