Pesë mënyra për të gjetur një studim biblik
1. Çfarë mund të bëjmë nëse e kemi të vështirë të gjejmë një studim në territor dhe pse?
1 A e keni të vështirë të gjeni një studim? Mos u dorëzoni! Jehovai i bekon ata që nuk dorëzohen, por vazhdojnë të bëjnë vullnetin e tij. (Gal. 6:9) Poshtë renditen pesë sugjerime që mund t’ju ndihmojnë.
2. Si mund të përdorim metodën e drejtpërdrejtë për të filluar një studim biblik?
2 Metoda e drejtpërdrejtë: Shumë njerëz e dinë se ofrojmë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, por ndoshta nuk e dinë se ofrojmë studime biblike. Pse të mos provoni metodën e drejtpërdrejtë kur predikoni shtëpi më shtëpi? Mund të pyesni të interesuarit që takoni në shërbim nëse do të donin një studim biblik. Edhe nëse nuk pranojnë, mund të vazhdoni t’u lini literaturë dhe të kultivoni interesin e tyre. Një vëlla kishte vite që i çonte revistat një çifti. Një ditë, pasi u la revistat e muajit, bëri të largohej, por i shkoi mendja t’i pyeste: «A do të donit të studionit Biblën?» Për habinë e tij, ata thanë po. Tani janë të pagëzuar.
3. A duhet të mendojmë se ata që vijnë në mbledhje tashmë studiojnë me dikë? Shpjegoni.
3 Ata që ndjekin mbledhjet: Mos mendoni se të interesuarit që shihni në mbledhjet e kongregacionit tashmë studiojnë Biblën me dikë. Një vëlla thotë: «Më tepër se gjysmën e studimeve që kam pasur, i kam filluar duke folur me ata që vinin në mbledhje.» Një motër vendosi t’i afrohej një gruaje të ndrojtur që kishte vajzat Dëshmitare në atë kongregacion. Kishte 15 vjet që ndiqte mbledhjet dhe vinte në Sallën e Mbretërisë pikërisht sapo fillonte mbledhja dhe ikte sapo mbaronte. Ajo pranoi një studim dhe më vonë u pagëzua. Motra shkruan: «Më vjen keq që prita 15 vjet për ta pyetur nëse donte të studionte.»
4. Si mund të gjejmë një studim biblik duke pyetur të tjerët?
4 Pyesni të tjerët: Një motër shoqëron të tjerët në studimet e tyre biblike. Pasi i ka marrë leje motrës a vëllait që drejton studimin, në fund të studimit pyet personin nëse njeh ndonjë tjetër që do t’i pëlqente të studionte. Kur i jepni dikujt që keni takuar në shërbim librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, mund ta pyesni: «A njihni ndonjë tjetër që do t’i pëlqente ky libër?» Ndonjëherë, për shkak të rrethanave, disa lajmëtarë e pionierë nuk mund ta mbajnë një studim biblik që gjejnë në territor. Prandaj thuaju të tjerëve që jeni të gatshëm të drejtoni një studim.
5. Pse është mirë t’u ofrojmë studim biblik bashkëshortëve jobesimtarë të motrave a vëllezërve të kongregacionit?
5 Bashkëshortët jobesimtarë: A keni në kongregacion lajmëtarë që e kanë bashkëshortin jobesimtar? Disa prej tyre nuk duan të flasin për Biblën me bashkëshortin e krishterë, por mund ta pranojnë ftesën për të studiuar me dikë jashtë familjes. Shpesh është mirë të flisni më parë me burrin a gruan e krishterë që të kuptoni mënyrën më të mirë për t’i ofruar studim.
6. Çfarë vlere ka lutja kur përpiqemi të gjejmë një studim?
6 Lutja: Mos e nënvlerësoni fuqinë e lutjes. (Jak. 5:16) Jehovai premton të na i dëgjojë kërkesat nëse janë në harmoni me vullnetin e tij. (1 Gjon. 5:14) Një vëlla që kishte një program goxha të ngjeshur, filloi të lutej për një studim biblik. Gruaja e tij ishte në merak nëse ai do të kishte kohë të kujdesej për një student, sidomos nëse studenti do të kishte shumë probleme. Kështu ia shprehu këtë merak Jehovait kur i lutej që i shoqi të gjente një studim. Lutjet e tyre morën përgjigje rreth dy javë më vonë kur një pioniere në kongregacion gjeti një burrë që donte të studionte dhe ia la si studim këtij vëllai. Gruaja shprehet: «Kujtdo që mendon se nuk mund ta mbajë një studim biblik, i them: ji specifik në lutjet e tua dhe mos resht së luturi. Kemi gjetur më shumë gëzim sesa e imagjinoja.» Me këmbëngulje, edhe ju mund të gjeni një studim biblik dhe të provoni gëzimin kur ndihmon dikë drejt ‘rrugës që të çon në jetë’.—Mat. 7:13, 14.