BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/2 f. 5-9
  • Një trashëgimi e rrallë e krishterë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Një trashëgimi e rrallë e krishterë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Babai mëson të vërtetën biblike
  • Fillime të hershme në shërbim
  • Në shërbim të Perëndisë me prindërit
  • Stërvitem prej gjyshërve të mi
  • Vite persekutimi
  • Mirënjohje për drejtimin prindëror
  • Martesa dhe vepra në qark
  • Duke u kujdesur për prindërit
  • Prindërit na mësuan ta duam Perëndinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Trashëgimia jonë e pasur frymore
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
  • Më në fund, në paqe me Perëndinë dhe me mamanë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2015
  • Ç’të bëj nëse kam një prind të sëmurë?
    Të rinjtë pyesin
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/2 f. 5-9

Një trashëgimi e rrallë e krishterë

TREGUAR NGA BLOSSOM BRANDT

Ditën që linda, më 17 janar 1923, në San Antonio, Texas, binte dëborë. Jashtë bënte ftohtë, por mua më pritën krahët e ngrohtë të prindërve të dashur të krishterë, Judge dhe Helen Norris. Që nga koha që më kujtohet, çdo gjë që bënin prindërit e mi, përqendrohej mbi adhurimin e tyre ndaj Perëndisë Jehova.

NË 1910-ën, kur mamaja ishte tetë vjeçe, prindërit e saj u shpërngulën nga rrethinat e Pittsburgh-ut, në Pennsylvania, për në një fermë pranë Alvin, në Texas. Atje mësuan me gëzim të vërtetat biblike nga një fqinj. Pjesën tjetër të kohës së saj, mamaja e kaloi duke kërkuar që të ngjallte tek njerëzit interesin për shpresën tek Mbretëria. Ajo u pagëzua në 1912-ën, pasi familja ishte transferuar në Houston, Texas.

Mamaja dhe prindërit e saj e takuan për herë të parë Charles T. Russell-in, kryetar i parë i Shoqatës Watch Tower, kur ai vizitoi kongregacionin e tyre në Houston. Shpesh familja mirëpriste në shtëpi përfaqësuesit udhëtues të Shoqatës, që në atë kohë quheshin pelegrinë. Disa vite më vonë, mamaja u transferua bashkë me prindërit në Chicago, Illinois, dhe vëlla Russell vizitoi edhe kongregacionin e atjeshëm.

Më 1918-ën, gjyshen e zuri gripi spanjoll dhe për shkak të ndikimit të tij dobësues mbi shëndetin e saj, mjekët i rekomanduan që të jetonte në një klimë më të butë. Pasi gjyshi punonte për shoqërinë hekurudhore Pullman, në 1919-ën mori sërish një transferim për në Texas. Atje, në San Antonio, mamaja u takua me një djalë, pjesëtar i zellshëm i kongregacionit, i quajtur Judge Norris. U tërhoqën menjëherë nga njëri-tjetri dhe u martuan, kështu Judge u bë im atë.

Babai mëson të vërtetën biblike

Emri i pazakontë Judge (Gjykatës) iu dha kur lindi. Kur e pa për herë të parë, i ati tha: «Ky fëmijë ka pamjen e një gjykatësi»; dhe ky u bë emri i tij. Më 1917-ën, kur ishte 16 vjeç, babai mori fletushkat Ku janë të vdekurit? dhe Çfarë është shpirti?, të shtypura nga Watch Tower Bible and Tract Society. Babai i tij kishte vdekur para dy vjetësh dhe fletushkat i sollën tim eti përgjigjet për pyetjet që ai kishte mbi gjendjen e të vdekurve. Pak më vonë, filloi të ndiqte mbledhjet e Studentëve të Biblës, siç njiheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait.

Babai deshi të merrte pjesë menjëherë në aktivitetet e kongregacionit. Mori një territor ku mund të predikonte dhe pas shkolle shkonte atje me biçikletë për të shpërndarë fletushka. Ai u përfshi plotësisht në përhapjen e shpresës së Mbretërisë dhe më 24 mars 1918 e simbolizoi dedikimin e vet ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë.

Një vit më vonë, kur mamaja u transferua në San Antonio, menjëherë babai u tërhoq nga ato që ai i quante «buzëqeshja më e ëmbël dhe sytë më të kaltër» që kishte parë ndonjëherë. Shumë shpejt e bënë të ditur se donin të martoheshin, por iu desh të lodheshin pak për të bindur prindërit e mamasë. Megjithatë, më 15 prill 1921, dasma u bë. Që të dy kishin si qëllim shërbimin e plotë kohor.

Fillime të hershme në shërbim

Ndërsa po merreshin me planifikimin e pjesëmarrjes në kongresin e Cedar Point, Ohio, më 1922, babai dhe mamaja zbuluan se unë isha duke ardhur. Pak mbas lindjes sime, kur babai ishte vetëm 22 vjeç, u emërua drejtor i shërbimit të kongregacionit. Kjo do të thoshte se duhej të bënte të gjitha përgatitjet për shërbimin në fushë. Kisha vetëm pak javë kur mamaja më mori me vete në shërbimin nga dera në derë. Në fakt, edhe gjyshërve u pëlqente të më merrnin me vete gjatë shërbimit.

Kur isha vetëm dy vjeçe, prindërit u transferuan në Dallas, Texas, dhe tre vjet më vonë filluan shërbimin e plotë kohor si pionierë. Natën flinin në një kasolle pranë rrugës dhe mua më vinin në pjesën e pasme të makinës. Natyrisht, unë mendoja se kjo ishte mjaft zbavitëse, por shumë shpejt u bë e dukshme se ata nuk ishin ende gati për jetën si pionierë. Prandaj babai filloi biznesin. Me kohë, ndërtoi një shtëpi-rimorkio të vogël, në përgatitje që të niste sërish veprën e pionierit.

Para se të filloja shkollën, mamaja më mësoi të lexoja dhe të shkruaja, si dhe tabelën e shumëzimit nga njëshi deri te katra. Gjithmonë ishte e gatshme për të më mësuar. Më vinte në këmbë mbi një karrige pranë vetes që të mund të thaja pjatat, ndërsa ajo i lante dhe më mësonte përmendësh shkrime nga Bibla dhe këngë të Mbretërisë, që në atë kohë i quanim himne.

Në shërbim të Perëndisë me prindërit

Më 1931-shin, të gjithë morëm pjesë në kongresin entuziazmues në Columbus, Ohio, ku morëm emrin Dëshmitarë të Jehovait. Edhe pse isha vetëm tetë vjeçe, mendova se ai ishte emri më i bukur që kisha dëgjuar ndonjëherë. Pak kohë më vonë pasi qemë kthyer në shtëpi, biznesi i babait u bë tym e hi dhe ata e morën këtë si «vullnet i Zotërisë» që të rifillonin veprën si pionierë. Kështu, duke filluar që nga vera e 1932-shit, gëzuam shumë vite në shërbimin e plotë kohor.

Prindërit e mi ishin pionierë në Texas-in qendror, për të qëndruar pranë prindërve të mamasë që jetonin akoma në San Antonio. Për shkak të lëvizjeve nga njëri caktim në tjetrin, më duhej të ndryshoja shumë shpesh shkollën. Herë pas here, pa u menduar, disa miq thoshin: «Përse nuk zini vend diku dhe të kini një shtëpi për këtë fëmijë?»—a thua se mua më mungonte kujdesi i duhur! Por unë mendoja se jeta jonë ishte shumë emocionuese dhe se po e ndihmoja babanë dhe mamanë në shërbimin e tyre. Në fakt, po stërvitesha dhe po përgatitesha për atë që më vonë do të bëhej stili im i jetesës.

Kisha muaj që u kisha kërkuar prindërve se doja të pagëzohesha dhe shpesh ata më kishin folur për këtë. Ata donin të ishin të sigurt nëse e kuptoja seriozitetin e vendimit tim. Më 31 dhjetor 1934, erdhi ajo ditë e paharruar. Megjithatë, një natë më parë, babai u sigurua nëse i isha drejtuar Jehovait në lutje. Pastaj, ai bëri një gjë të mrekullueshme. Na uli të gjithëve në gjunjë dhe ofroi një lutje. I tha Jehovait se ishte mjaft i lumtur për vendimin e vogëlushes së tij për t’ia dedikuar jetën Atij. Mund të jeni të sigurt se nuk do ta harroj kurrë atë natë, për të gjithë shekujt e ardhshëm!

Stërvitem prej gjyshërve të mi

Midis 1928-ës dhe 1938-ës, kalova shumë kohë në vizitë tek gjyshërit e mi në San Antonio. Pak a shumë, ata kishin të njëjtat zakone me prindërit e mi. Gjyshja kishte qenë përhapëse, siç quheshin atëherë pionierët, dhe tani kryente pjesërisht veprën si pioniere. Gjyshi ishte emëruar pionier në dhjetor 1929, prandaj edhe shërbimi në fushë ishte një aktivitet i përditshëm.

Mbrëmjeve, gjyshi më mbante në krahë dhe më mësonte emrat e yjeve. Më recitonte edhe poezi përmendësh. Kur punonte ende për shoqërinë hekurudhore Pullman, bëra shumë udhëtime me tren. Ishte një person të cilit mund t’i drejtohesha gjithmonë kur kisha ndonjë hall; më ngushëllonte dhe më terte lotët. Megjithatë, kur disiplinohesha për ndonjë sjellje të gabuar dhe shkoja tek ai për t’u ngushëlluar, më thoshte vetëm (fjalë që në atë kohë nuk mund t’i kuptoja, por toni i të cilave ishte mjaft i qartë): «E dashur, shkelësit ia kalojnë shumë keq.»

Vite persekutimi

Në 1939-ën filloi Lufta e Dytë Botërore dhe populli i Jehovait vuajti prej persekutimeve dhe dhunës së turmave. Aty nga fundi i 1939-ës, mamaja u sëmur rëndë dhe kishte nevojë të operohej, prandaj u kthyem prapë në San Antonio.

Ndërsa kryenim rrugëve të San Antonios veprën me revista, formoheshin turma të egërsuara. Megjithatë, çdo javë ne ishim atje si familje, secili në vendin e vet. Shpesh, shihja se si babain e tërhiqnin zvarrë për në postën e policisë.

Babai u përpoq ta vazhdonte veprën si pionier, edhe pse mamaja u detyrua ta ndërpriste. Megjithatë, duke bërë një punë gjysmëditore, ai nuk mund të fitonte shumë, prandaj u detyrua ta ndërpriste edhe ai. Në 1939-ën mbarova shkollën dhe fillova edhe unë të punoja.

Në ato vite, emri i babait, Judge (Gjykatës), na hyri në punë. Për shembull, një grup vëllezërish shkuan për të dëshmuar në një qytet në veri të San Antonios dhe sherifi filloi t’i fuste të gjithë në burg. Arrestoi 35 prej tyre, midis të cilëve edhe gjyshërit e mi. Sapo e mori vesh, im atë shkoi atje. U fut në zyrën e sherifit dhe i tha: «Jam Judge Norris nga San Antonio (që mund të kuptohet edhe: «Jam gjykatësi Norris nga San Antonio.»)

«Urdhëro, zoti gjykatës, çfarë mund të bëj për ju?»—u përgjigj sherifi.

«Kam ardhur për të parë nëse mund t’i nxjerr nga burgu këta njerëz»,—ia ktheu babai. Në këtë pikë sherifi i la të shkonin pa asnjë garanci dhe pa bërë pyetje të tjera!

Babait i pëlqente të jepte dëshmi nëpër zyra dhe veçanërisht të vizitonte gjykatësit dhe avokatët. Ai i thoshte portierit: «Jam Judge Norris dhe dua të takoj gjykatësin filan.»

Pastaj, kur takohej me gjykatësin, gjithmonë fillonte kështu: «Përpara se t’ju flas mbi qëllimin e vizitës sime, dëshiroj t’ju shpjegoj se unë kam qenë Gjykatës shumë kohë më parë se ju. Kam qenë i tillë gjithë jetën time.» Dhe pastaj i shpjegonte se përse mbante atë emër. Ky ishte një fillim miqësor dhe falë tij babai pati mjaft lidhje të mira me gjykatës të ndryshëm të asaj kohe.

Mirënjohje për drejtimin prindëror

Isha duke kaluar vitet e turbullta të adoleshencës dhe e dija se babain dhe mamanë i shqetësonte shpesh mendimi se çfarë do të bëja më vonë. Siç bëjnë të gjithë fëmijët, shpesh i vija në provë, duke u kërkuar të bëja diçka apo të shkoja në ndonjë vend, ku e dija që më parë se përgjigjja e tyre do të ishte jo. Disa herë qaja. Në të vërtetë, do të ndihesha e dëshpëruar sikur të më kishin thënë: «Bëj çfarë të duash. As që na intereson.»

Ndieja një farë sigurie, duke ditur se nuk mund t’i shtyja që të shkelnin rregullat e tyre. Në fakt, kjo më lehtësonte kur të rinj të tjerë propozonin ndonjë lloj zbavitjeje të diskutueshme, sepse mund t’u thosha: «S’më lë babai.» Në moshën 16-vjeçare, babai deshi që të mësoja makinën dhe pak a shumë në atë kohë më dha edhe çelësat e shtëpisë. Më bëri shumë përshtypje që ai kishte besim tek unë. E ndieva veten të rritur dhe provova një ndjenjë përgjegjësie dhe dëshirën për të mos e zhgënjyer besimin e tyre.

Në atë kohë nuk kishte shumë këshilla mbi martesën, por babai e njihte Biblën dhe e dinte se çfarë thoshte ajo për t’u martuar «vetëm në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39, BR) Më bëri të qartë se po t’i sillja në shtëpi ndonjë djalë nga bota, ose edhe vetëm nëse do të interesohesha për një të tillë, zhgënjimi i tij do të ishte tepër i madh. E dija se kishte të drejtë, sepse kisha parë lumturinë dhe unitetin e martesës së tyre, pasi ishin martuar «në Zotërinë».

Në 1941-shin, kur isha 18 vjeçe, m’u duk sikur isha dashuruar pas një djali në kongregacion. Ai ishte pionier dhe studionte për avokat. Isha entuziaste. Kur u thamë prindërve të mi se donim të martoheshim, në vend se të tregonin mosaprovim apo të më shkurajonin, ata thanë vetëm: «Duam të të pyesim vetëm për diçka, Blossom. Ne mendojmë se je tepër e re dhe duam që të presësh edhe një vit. Nëse je me të vërtet e dashuruar, një vit nuk do të bëjë asnjë ndryshim.»

Jam shumë mirënjohëse që e dëgjova atë këshillë të mençur. Brenda vitit u poqa më shumë dhe fillova të kuptoj se ai djalë nuk i kishte ato cilësi që do ta bënin një bashkëshort të mirë. Më në fund, ai e braktisi organizatën dhe unë kisha shpëtuar prej asaj që do të ishte shkatërrimi i jetës sime. Sa e mrekullueshme është të kesh prindër të mençur, në gjykimin e të cilëve mund të besosh!

Martesa dhe vepra në qark

Në dimër të 1946-ës, pasi kisha gjashtë vjet si pioniere dhe punëtore gjysmëditore, në Sallën tonë të Mbretërisë hyri djali më i bukur që kisha parë. Gene Brandt ishte caktuar për të shoqëruar shërbëtorin tonë udhëtues të vëllezërve, siç quhej në atë kohë mbikëqyrësi qarkor. Tërheqja ishte reciproke dhe më 5 gusht 1947 u martuam.

Pak më vonë, babai dhe Gene hapën një zyrë llogarish. Por babai i tha Gene: «Ditën që kjo zyrë do të na pengojë për të shkuar në mbledhje apo në ndonjë caktim teokratik, do ta mbyll portën dhe do t’i hedh tej çelësat.» Jehovai e bekoi këtë qëndrim frymor dhe zyra na siguroi shumë nevoja materiale dhe na lejoi kohë edhe për të qenë pionierë. Babai dhe Gene ishin biznesmenë të mirë dhe mund të ishim bërë të pasur me lehtësi, por ky nuk u bë kurrë qëllimi i tyre.

Në 1954-ën, Gene u ftua për të qenë mbikëqyrës qarkor dhe kjo nënkuptonte një ndryshim të madh në jetën tonë. Si do të reagonin prindërit e mi? Edhe një herë treguan se nuk mendonin për vete, por për interesat e Mbretërisë së Perëndisë dhe për mirëqenien frymore të fëmijëve të tyre. Kurrë nuk na thanë: «Përse nuk na bëni me nipër?» Përkundrazi, gjithmonë thoshin: «Çfarë mund të bëjmë për t’ju ndihmuar në shërbimin e plotë kohor?»

Kështu, kur erdhi dita për t’u nisur, dëgjuam vetëm fjalë inkurajuese dhe të gëzuara për privilegjin tonë të madh. Kurrë nuk na bënë të ndiheshim sikur po i braktisnim, por gjithmonë ishin 100% përkrah nesh. Pas largimit tonë, ata vazhduan edhe për dhjetë vjet të tjerë në veprën si pionierë. Babai u caktua mbikëqyrës qyteti në San Antonio, detyrë që e kreu për 30 vjet. Ai pati gëzimin që të shihte rritjen nga një kongregacion në 1920-ën, deri në 71 kongregacione para se të vdiste në 1991-shin.

Për Gene dhe mua, jeta ishte plot entuziazëm. Patëm gëzimin e madh për t’u shërbyer vëllezërve dhe motrave në mbi 31 shtete dhe privilegjin, ndoshta më të madhin, që të frekuentonim klasën e 29-të të Shkollës së Galaadit (Watchtower Bible School of Gilead), në 1957. Më pas, iu kthyem punës në qark. Në 1984-ën, pasi kishim kaluar 30 vjet në veprën në qark dhe krahinë, Shoqata e caktoi me mirësi Gene në një qark në San Antonio, pasi prindërit e mi i kishin kaluar të tetëdhjetat dhe nuk gëzonin një shëndet të mirë.

Duke u kujdesur për prindërit

Kishim vetëm një vit e gjysmë që ishim kthyer në San Antonio, kur mamaja ra në një gjendje gjysmëkome dhe vdiq. Ndodhi kaq shpejt, saqë nuk munda t’i thosha disa gjëra. Kjo më mësoi që të flisja shumë me babanë. Pas 65 vjet martese, ai e ndiente shumë mungesën e mamasë, por ne ishim gjithnjë me të për t’i dhënë dashuri dhe mbështetje.

Deri në vdekje babai vazhdoi të ishte shembull në pjesëmarrjen në mbledhje, për studimin dhe në shërbim. Atij i pëlqente të lexonte. Pasi mbetej vetëm, ndërsa ne shkonim në shërbim, kur kthehesha i thosha: «Je ndier i vetmuar?» Ai kishte qenë aq i zënë me leximin dhe studimin, saqë nuk kishte kuptuar gjë fare.

Kishim edhe një zakon tjetër që e kishim mbajtur gjithmonë. Babai kishte këmbëngulur gjithmonë që familja të hante së bashku, sidomos në mëngjes, kur shqyrtonim shkrimin e ditës. Kurrë nuk më kishin lënë të dilja nga shtëpia pa bërë këtë. Ndonjëherë thosha: «Por, babi, do të më vejë vonë për në shkollë (ose për në punë).»

«Nuk është teksti që të vonon; nuk je ngritur në kohë»,—më përgjigjej. Dhe më duhej të qëndroja e të dëgjoja. Vazhdoi të na jepte këtë shembull të mirë deri në ditët e fundit të jetës së tij. Kjo është një tjetër trashëgimi që më ka lënë.

Babai mbeti deri në fund i zgjuar nga mendja. Kurrë nuk kërkonte dhe nuk ankohej, dhe kjo na e lehtësonte kujdesin që tregonim për të. Sigurisht, disa herë zinte në gojë artritin e tij, por unë i kujtoja se ajo që kishte në të vërtetë quhej «Adamiti», dhe ai zinte e qeshte. Në mëngjesin e 30 nëntorit, ndërsa Gene dhe unë ishim ulur pranë tij, babai fjeti qetësisht.

Tashmë, i kam kaluar të shtatëdhjetat dhe ende nxjerr dobi prej shembullit të mirë të prindërve të mi. Lutja ime e zjarrtë është që të mund ta tregoj plotësisht mirënjohjen për këtë trashëgimi, duke e përdorur siç duhet gjatë shekujve të ardhshëm.​—Psalmi 71:17, 18.

[Figura në faqen 5]

Mamaja dhe unë

[Figurat në faqen 7]

1. Kongresi im i parë: San Marcos, Texas, shtator 1923

2. Kongresi i fundit i babait:Fort Worth, Texas, qershor 1991 (babai ulur)

[Figura në faqen 9]

Gene dhe Blossom Brandt

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo