Të bashkëpunojmë me drejtuesin e studimit të librit të kongregacionit
1 Studimi i librit të kongregacionit luan një rol thelbësor në zhvillimin e aftësive tona si shërbëtorë të lajmit të mirë. Për këtë qëllim grupet janë mbajtur të vogla në mënyrë që Bibla dhe një nga botimet e shoqatës të mund të studiohen në një atmosferë të ngrohtë dhe familjare. Në këto grupe të vogla rrethanat janë ideale që të ushtrohemi e të bëhemi më të aftë në shërbimin në fushë. Nëpërmjet rregullit të studimit të librit secili lehtësisht mund të inkurajohet dhe mund të fitojë vëmendje personale. Si mund të bashkëpunojmë plotësisht me drejtuesin dhe të nxjerrim dobi nga kjo masë e mirë paraprake?
2 Të marrim pjesë me zell në shërbimin e fushës: Një nga përgjegjësitë kryesore të drejtuesit të studimit të librit është të ndihmuarit e secilit pjesëtar të grupit për të marrë pjesë me zell në shërbim. Për këtë qëllim libri Shërbimi ynë, në faqen 44, na thotë se «lajmëtarët do të imitojnë rregullin, zellin dhe entuziazmin që tregon ai në aktivitetin në fushë». Ndonjëherë drejtuesi do të dalë në shërbim me pjesëtarët e familjes së tij, por, aq sa është e mundur, do të jetë gjithashtu i lumtur që të shoqërojë edhe të tjerët në faza të ndryshme të shërbimit. A mund t’i mbështetni rregullisht mbledhjet e shërbimit të fushës? Pjesëmarrja juaj do të vlerësohet shumë si nga drejtuesi i studimit të librit ashtu dhe nga lajmëtarët e tjerë.
3 Mbledhjet e shërbimit në fushë mbahen në vende të përshtatshme me qëllim që të gjithë të mund të marrin pjesë me zell në veprën e predikimit. Duke mbajtur parasysh edhe rrethanat lokale secili grup do të dojë të fillojë shpejt shërbimin. Në disa vende në fund të javës shumë lajmëtarë dhe pionierë arrijnë rezultate të mira duke e vazhduar shërbimin pas mesditës.
4 A do ta pëlqenit ndihmën në ndonjë fazë të shërbimit? Ndoshta drejtuesi i studimit tuaj të librit mund të vendosë që një lajmëtar i aftë i grupit të punojë me ju. Në fund të muajit mos harroni të shënoni shpejt raportin tuaj të shërbimit. Si drejtuesi i studimit të librit edhe sekretari do ta vlerësojnë bashkëpunimin tuaj edhe mbi këtë aspekt.—Krahaso Luka 16:10.
5 Kur mbikëqyrësi i shërbimit viziton grupin: Zakonisht mbikëqyrësi i shërbimit viziton një grup të studimit të librit në muaj për të nxitur një aktivitet më të madh dhe më të mirë në shërbimin e fushës. Kini vëmendjen në fjalimin prej 15 minutash që ai mban në fund të studimit të librit, sepse do të japë këshilla specifike që do ta ndihmojnë grupin të përmirësohet në faza të ndryshme të veprës së predikimit. Mbikëqyrësi i shërbimit gjithashtu dëshiron të punojë me pjesëtarë të ndryshëm të studimit të librit në fund jave. Mos mungoni ta vlerësoni këtë masë të veçantë paraprake, në mënyrë që të nxirrni dobi nga përvoja dhe aftësia e tij në fushë.
6 Shembulli ynë personal i bashkëpunimit dhe i gatishmërisë për të ndihmuar ata që janë me më pak përvojë do të kontribuojë që në studimin e librit të krijohet një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, ndërsa «bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por në mënyrë të veçantë ndaj atyre që kanë marrëdhënie me ne në besim».—Gal. 6:10.