Të prekësh zemrën e studentit tënd të Biblës
1 A do që studenti yt i Biblës të vërë në praktikë atë që mëson? Duhet të veprojë kështu nëse do që të nxjerrë dobi nga njohuria e fituar. Për të nxitur studentin tënd të Biblës që të veprojë, ti duhet t’i prekësh zemrën. Në ditën e Rrëshajave të vitit 33 të e.s., fjalimi inkurajues i apostullit Pjetër u «preku zemrën» rreth 3.000 vetave, të cilët «e përqafuan me gjithë zemër fjalën e tij» dhe po atë ditë u pagëzuan. (Veprat 2:37, 41) Si mund t’ia prekësh zemrën studentit tënd të Biblës?
2 Përgatitu thellësisht: Mos u përpiq të trajtosh aq shumë material saqë të mbetet shumë pak kohë në dispozicion për të arsyetuar me studentin mbi informacionin. Vendos që më parë pikat që do të theksosh dhe sigurohu nëse i kupton dhe di t’i aplikosh me efektshmëri vargjet. Konsidero që më parë pyetjet që mund të lindin në mendjen e studentit për arsye të formimit të tij. Njohja e mirë që ke për studentin do të të ndihmojë që të përgatitësh informacione të përshtatshme veçanërisht për të.
3 Imito mënyrën e të mësuarit të Jezuit: Jezui përdori ilustrimet për të thjeshtuar pika të vështira dhe për të ndihmuar studentët e tij të kuptonin situatën dhe të futeshin në brendësi të saj. (Luka 10:29-37) Ngjashëm, edhe ti mund të ngulitësh mësime të shkëlqyera në zemrën e studentit tënd të Biblës duke bërë ilustrime të thjeshta, të marra nga gjërat e zakonshme të jetës dhe duke ua aplikuar në mënyrë të veçantë rrethanave të studentit.
4 Pyetjet japin një ndihmë të veçantë për të prekur zemrën e studentit të Biblës, siç demonstroi shpesh edhe Jezui. (Luka 10:36) Por, mos u kënaq nëse studenti i lexon përgjigjet thjesht nga libri. Përdor pyetje që udhëheqin për të drejtuar mendjen e studentit në një përfundim të cilin ndoshta nuk e kishte menduar më parë. Gjithashtu, ky proces e ndihmon studentin të zhvillojë shkathtësinë mendore. Bëj pyetje për të gjetur se cila është pikëpamja personale e studentit mbi një gjë. Kështu ti mund të dallosh se në cilën fushë ka nevojë për ndihmë dhe mund ta ndihmosh në mënyrë më specifike.
5 Nëse një student i Biblës nuk po përparon, ti duhet t’i afrohesh për të shpjeguar arsyet. Ndoshta do të duhet t’i bësh një vizitë në një kohë tjetër, jashtë periudhës së studimit të rregullt. Përse ngurron për të vepruar? A ka ndonjë pikë biblike që ai nuk e kupton? A i mungon dëshira për të bërë disa ndryshime në mënyrën e të jetuarit? Nëse një student i Biblës kërkon të «çalojë në dy opinione të ndryshme» ndihmoje për të kuptuar se sa e rrezikshme është kjo.—1. Mbret. 18:21.
6 Apostulli Pavël e kuptoi se mësimi i të vërtetave biblike është një vepër jetëshpëtuese, prandaj ai i këshilloi të gjithë të krishterët që t’i ‘kushtojnë vazhdimisht vëmendje mësimit’. (1. Tim. 4:16) Ata me të cilët drejton studime biblike duhet të asimilojnë më shumë se vetëm disa fakte mbi Biblën dhe ngjarjet botërore. Ata duhet të fitojnë njohuri të saktë mbi Jehovain dhe Jezu Krishtin dhe duhen ndihmuar për të lidhur një marrëdhënie të ngushtë personale me ta. Vetëm duke bërë kështu, ata do të shtyhen për ta treguar besimin e tyre me vepra. (Jak. 2:17, 21, 22) Kur zemra e studentit të jetë e prekur, ai do të jetë i shtyrë për të ndjekur atë rrugë që do të nderojë Jehovain dhe do t’i ruajë jetën.—Prov. 2:20-22.