Të shpallim të vërtetën çdo ditë duke imituar Jezuin
1 Jezui pati një vepër të veçantë për të kryer kur erdhi në tokë. Ajo ishte jashtëzakonisht e qartë: ‘Të dëshmonte të vërtetën.’ (Gjoni 18:37) Ai shpalli të vërtetën rreth qëllimeve dhe cilësive të mrekullueshme të Atit të tij. Kjo vepër ishte si ushqim për të; e gjithë jeta e tij sillej rreth saj. (Gjoni 4:34) Luka tregoi se Jezui vazhdonte ‘çdo ditë të mësonte në tempull’. (Luka 19:47) Jezui e përdori në maksimum kohën që kishte në dispozicion. (Gjoni 9:4) Pak para se të vdiste, ai mundi t’i shprehej Atit të tij: «Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.»—Gjoni 17:4.
2 Kur zemrat tona janë plot me çmueshmëri për gjithçka që Jehovai ka bërë, gjithashtu ndihemi të shtrënguar të flasim rreth tij çdo ditë. Bëhemi pikërisht si dishepujt e Jezuit që me guxim deklaruan: «Ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar.» (Veprat 4:20) E folura e tyre rreth Jehovait ishte e vazhdueshme, sepse tregimi thotë se «çdo ditë . . . nuk pushonin duke mësuar». (Veprat 5:42) Ne duhet të pyesim veten: ‘A jam një imitues i mësuesit tim, Jezuit?’
3 Të predikojmë me urgjencë: Jezui paratha se kur mesazhi i Mbretërisë të jetë predikuar në të gjithë tokën, «atëherë do të vijë mbarimi». (Mat. 24:14) Kjo duhet të ngulisë tek ne, rëndësinë dhe urgjencën e veprës sonë. Me jetën në rrezik të miliona personave në kuptimin e vërtetë të fjalës, nuk mund të gjejmë asgjë më të rëndësishme dhe më të dobishme për të bërë. Pasi ky sistem i gjërave është pranë fundit të tij, koha e lënë për të përfunduar këtë vepër është pakësuar!
4 Raportet tregojnë se Jehovai po e shpejton mbledhjen e personave ngjashëm deleve. (Isa. 60:22) Në shumë pjesë të botës, njerëzit vërtet po grumbullohen tek e vërteta, duke deklaruar me gëzim: «Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju!» (Zah. 8:23) Më shumë se në çdo kohë tjetër në të kaluarën, fjalët e Jezuit janë të vërteta: «E korra është me të vërtetë e madhe por punëtorë janë pak. Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) A nuk na frymëzon kjo që të jemi të zellshëm si dishepujt e Jezuit, të cilët «rrinin vazhdimisht në tempull duke bekuar Perëndinë»?—Luka 24:53.
5 Bëje të vërtetën të njohur çdo ditë: Çdo ditë duhet të kërkojmë mënyrat për t’ua njoftuar të vërtetën të tjerëve. Mundësitë tashmë janë në dispozicion. A mund të marrësh disa minuta për t’i telefonuar një miku apo të njohuri që mendon se mund të jetë i logjikshëm? Ose t’i shkruash një letër dikujt që nuk ke mundur ta gjesh në shtëpi? A ke menduar t’i ofrosh një fletushkë shitësit të dyqanit ku bën pazarin? Gjithashtu, mund të mendosh për shumë mundësi të tjera që të krijohen çdo ditë, për ta ndarë shpresën tënde me të tjerët. Nëse bën përpjekje dhe tregon pak guxim, Jehovai do të të ndihmojë.—1. Sel. 2:2.
6 Kështu, ndërsa fillojmë aktivitetet çdo ditë, duhet të pyesim veten: ‘A do të marr iniciativën për ta ndarë shpresën time me dikë, nëse sot më krijohet një mundësi?’ Imito qëndrimin e Jezuit, i cili tregoi se përse ishte dërguar në tokë: «Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë.» (Luka 4:43) Nëse duam të jemi si mësuesi ynë, do të bëjmë të njëjtën gjë. —Luka 6:40.