Ji i efektshëm në shërbimin tënd
1 Qielli errësohet dhe një oshtimë e frikshme rritet derisa bëhet një zhurmë shurdhuese. Pastaj zbret një re si tym. Çfarë është? Një ushtri me miliona karkaleca që vijnë për të sjellë shkretim të plotë në tokë! Kjo skenë e përshkruar nga profeti Joel ka një përmbushje sot në veprën e predikimit të shërbëtorëve të mirosur të Perëndisë dhe shokëve të tyre, shumicës së madhe.
2 Në Kullën e Rojës, 1 maj 1998, në faqen 11, paragrafi 19, thuhej: «Ushtria e sotme e karkalecave të Perëndisë ka dhënë një dëshmi të plotë në ‘qytetin’ e të ashtuquajturit krishterim. (Joeli 2:9) . . . Ata po kapërcejnë ende të gjitha pengesat, po hyjnë në miliona shtëpi, po u afrohen njerëzve rrugës, po u flasin në telefon dhe po i kontaktojnë në çdo mënyrë të mundshme, ndërsa shpallin mesazhin e Jehovait.» A nuk është një privilegj shumë i madh të marrim pjesë në këtë vepër të dekretuar nga Perëndia?
3 Ndryshe nga karkalecat realë, synimi i vetëm i të cilëve është të ushqehen, ne si shërbëtorë të Jehovait tregojmë një interes të madh për jetën e atyre të cilëve u predikojmë. Duam t’i ndihmojmë të tjerët për të mësuar të vërtetat e lavdishme që përmban Fjala e Perëndisë dhe të nxiten për të ndërmarrë hapat që do t’i çojnë në shpëtimin e përhershëm. (Gjoni 17:3; 1. Tim. 4:16) Prandaj, duam të jemi të efektshëm në mënyrën në të cilën kryejmë shërbimin tonë. Cilado qoftë metoda që përdorim, ne duhet të shqyrtojmë nëse po e kryejmë predikimin në mënyrën dhe në orarin që do të sjellë rezultatet më të mira. Meqë «skena e kësaj bote po ndryshon», bëjmë mirë të analizojmë metodat tona dhe mënyrën e afrimit për t’u siguruar se po e përballojmë sfidën për të qenë sa më produktivë që të jetë e mundur.—1. Kor. 7:31, BR.
4 Edhe pse përpiqemi t’i kontaktojmë njerëzit në shumë mënyra, vepra shtëpi më shtëpi mbetet ende shtylla kryesore e shërbimit tonë. A të ndodh që kur predikon, njerëzit shpesh nuk janë në shtëpi ose janë duke fjetur? Sa zhgënjyese duhet të jetë ngaqë nuk ke mundësi të ndash mesazhin e lajmit të mirë me ta! Si mund ta përballosh këtë sfidë?
5 Ji elastik dhe i arsyeshëm: Në Izraelin e shekullit të parë, peshkatarët peshkonin natën. Pse natën? Edhe pse kjo kohë nuk ishte orari më i volitshëm për ta, ishte orari më i mirë për të zënë sa më shumë peshq. Ishte orari më produktiv. Duke komentuar mbi këtë praktikë, në Kullën e Rojës, 1 tetor 1992, thuhej: «Edhe ne, po ashtu, do të duhej të shqyrtonim territorin tonë në mënyrë që të shkojmë në peshkim, ashtu të themi, kur pjesa më e madhe e njerëzve janë në shtëpi dhe kur janë të prirur për të dëgjuar.» Vëzhgimi i kujdesshëm i zakoneve shoqërore ka treguar se në shumë zona periferike dhe zona banimi, ndoshta njerëzit janë në shtëpi kur ne predikojmë të shtunën dhe të dielën në mëngjes herët, por në përgjithësi nuk janë të prirur për të na dëgjuar në atë orar. Nëse ndodh kështu në zonën tënde, a mund ta përshtatësh orarin e predikimit tënd në një kohë më vonë në mëngjes ose madje edhe pasdite? Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të rritur efektshmërinë e shërbimit tonë, si edhe për të treguar konsideratë për të afërmit tanë, gjë që është një dëshmi e dashurisë së vërtetë të krishterë.—Mat. 7:12.
6 Në Filipianëve 4:5, apostulli Pavël na rikujton se duhet të ‘lëmë që arsyetueshmëria jonë t’u bëhet e njohur të gjithë njerëzve’. (BR) Në harmoni me këtë direktivë të frymëzuar, duam të jemi të ekuilibruar dhe të arsyeshëm në metodat që përdorim ndërsa kryejmë me zell dhe entuziazëm caktimin tonë të predikimit. Nuk duam të ‘përmbahemi nga mësimdhënia publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi’, por duam të sigurohemi se e kryejmë shërbimin shtëpi më shtëpi në orare që janë të arsyeshme dhe produktive. (Vep. 20:20, BR) Ngjashëm atyre peshkatarëve në Izraelin e shekullit të parë, ne na intereson ‘peshkimi’ në oraret kur mund të jemi më produktivë, jo atëherë kur na duket më e volitshme për veten.
7 Çfarë përshtatjesh mund të bëhen? Shumë shpesh, mbledhjet për shërbimin në fushë të shtunën dhe të dielën mbahen në orën 9.00 ose 9.30 paradite, pas së cilës grupi fillon menjëherë me veprën nga shtëpia në shtëpi në territor. Gjithsesi, disa trupa pleqsh kanë rregulluar që grupi të marrë pjesë në forma të tjera të shërbimit, siç është dëshmia në rrugë, territori tregtar ose rivizitat, para se të shkojë shtëpi më shtëpi në zonat e banimit. Kongregacione të tjera i kanë vendosur oraret e mbledhjeve për shërbim më vonë në mëngjes: në orën 10.00 ose 11.00 paradite ose 12.00 të drekës. Pas kësaj, grupi shkon menjëherë në veprën shtëpi më shtëpi dhe qëndron në shërbim deri pasdite herët. Në disa territore koha më e mirë për mbledhjen për shërbimin në fushë mund të jetë pasdite herët sesa në mëngjes. Përshtatje të tilla mund t’i kontribuojnë fare mirë produktivitetit më të madh në veprën shtëpi më shtëpi.
8 Përdor aftësi shquese dhe takt: Kur kontaktojmë njerëzit nga shtëpia në shtëpi, hasim një sërë reagimesh të ndryshme ndaj mesazhit tonë. Disa njerëz janë të prirur për të na dëgjuar, të tjerë janë indiferentë dhe pak prej tyre mund të jenë debatues ose luftarakë. Në rastin e këtyre të fundit, në faqen 7 të librit Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve, anglisht, na rikujtohet se ne nuk kërkojmë të «‘fitojmë debatet’ me njerëzit që nuk tregojnë respekt për të vërtetën». Nëse i zoti i shtëpisë tregohet armiqësor, është më mirë që ne të largohemi. Kurrë nuk duhet t’i acarojmë njerëzit, duke këmbëngulur që të flasin me ne ose të pranojnë pikëpamjen tonë. Ne nuk i detyrojmë njerëzit që ta dëgjojnë mesazhin. Kjo nuk do të ishte e arsyeshme dhe mund të shkaktonte probleme për Dëshmitarët e tjerë dhe për veprën në përgjithësi.
9 Para se të fillojmë të punojmë në një territor, është e mençur të kontrollojmë skedën e territorit nëse ka shënime me adresat e shtëpive ku ata që banojnë, na kanë thënë të mos predikojmë. Nëse ka adresa të tilla, secilit lajmëtar që punon në atë rrugë i duhet thënë se ku nuk duhet të predikojë. Asnjeri nuk duhet të shkojë për të predikuar në këto shtëpi pa miratimin e mbikëqyrësit të shërbimit për të vepruar kështu.—Shiko Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 1994, anglisht, Kutia e Pyetjes.
10 Mund ta rritim efektshmërinë tonë, duke pasur aftësi shquese kur punojmë nga shtëpia në shtëpi. Ji vëzhgues ndërsa i afrohesh një shtëpie. A janë të mbyllura perdet ose grilat? Nuk dëgjohet asnjë zhurmë? Kjo mund të tregojë se ata që banojnë aty mund të jenë duke fjetur. Ka mundësi që po të shkojmë më vonë për të predikuar, do të kemi një bisedë më produktive me të zotin e shtëpisë. Ndoshta do të ishte më mirë të largoheshim nga kjo shtëpi pa u ndalur hë për hë, duke mbajtur shënim numrin e shtëpisë. Mund ta kontrollosh shtëpinë përsëri para se të largohesh nga territori ose të bësh një shënim për të predikuar aty një herë tjetër në orar më të vonë.
11 Megjithatë, mund të lindin përsëri situata, në të cilat pa dashje zgjojmë dikë nga gjumi ose ndoshta e shqetësojmë. Mbase ai mund të duket edhe i irrituar ose i zemëruar. Si duhet të reagojmë? Në Proverbat 17:27, jepet këshilla: «Njeriu me aftësi shquese është i qetë në frymë.» (BR) Edhe pse ne nuk kërkojmë falje për shërbimin tonë, sigurisht që mund të shprehim se sa keq na vjen që kemi kaluar aty në një kohë të pavolitshme. Me mirësjellje mund të pyesim nëse do të ishte më i përshtatshëm një orar tjetër dhe mund të ofrojmë të rikthehemi në atë orar. Shprehja e sinqertë e interesit personal me një ton të butë shpesh shërben për ta qetësuar një person të tillë. (Prov. 15:1) Nëse një pronar shtëpie na informon se punon gjithnjë në turnin e natës, në skedën e territorit mund të përfshihet një shënim, kështu që vizitat e ardhshme të bëhen në një orar të përshtatshëm.
12 Aftësia shquese është e përshtatshme edhe kur përpiqemi ta punojmë territorin tonë plotësisht. Meqë shumë njerëz nuk janë në shtëpi kur predikojmë fillimisht, ne duhet të bëjmë përpjekje të mëtejshme për t’i kontaktuar, që të ndajmë me ta mesazhin e shpëtimit. (Rom. 10:13) Raportet tregojnë se për të gjetur njerëzit që banojnë në një shtëpi, ndodh që lajmëtarët të shkojnë disa herë brenda një dite në të njëjtën shtëpi. Kjo nuk i shpëton vëmendjes së fqinjëve. Mund të krijohet një përshtypje jo e favorshme se Dëshmitarët e Jehovait ‘shkojnë gjithnjë’ në rrugën ku banojnë ata. Si mund të shmanget kjo gjë?
13 Përdor aftësi shquese. Kur kthehesh përsëri në një shtëpi ku s’ke gjetur njeri, a ka ndonjë shenjë se tani dikush ndodhet në shtëpi? Nëse posta apo fletë-reklamat e ndryshme janë akoma në kutinë postare, ka të ngjarë që personi të mos jetë ende në shtëpi dhe një rikthim tjetër aty nuk do të ishte produktiv në atë orar. Nëse nuk mund ta kontaktosh personin pas disa përpjekjeve të bëra në orare të ndryshme të ditës, ndoshta edhe në mbrëmje, mund të jetë e mundur ta kontaktosh me telefon. Nëse jo, te dera mund të lihet me maturi një fletushkë, veçanërisht nëse territori predikohet pak a shumë shpesh. Mund të ndodhë që personi të kontaktohet herën tjetër kur të punohet territori.
14 Ne duhet të shmangim zgjatjen e bisedave në derë kur i zoti i shtëpisë është i ekspozuar ndaj motit të ashpër. Kur të ftojnë për të hyrë brenda, ki kujdes të mos ndotësh dyshemenë. Përdor gjykim të shëndoshë kur të del përpara shtëpisë një qen që leh. Kur predikon nëpër pallate, fol me butësi dhe shmang zhurmat që do të shqetësonin banorët dhe do të bënin të ditur praninë tënde.
15 Ji i rregullt dhe me dinjitet: Me një organizim të mirë mund të shmangim formimin e grupeve të mëdha e që bien në sy, të cilat mblidhen në territor. Disa të zotë të shtëpive mund të ndihen të kërcënuar kur shohin një grup të madh lajmëtarësh të mbërrijë para shtëpive të tyre. Ne nuk duam të japim përshtypjen se po «pushtojmë» zonat e banimit. Rregullimet për punimin e territorit bëhen më mirë në mbledhjen për shërbimin në fushë. Grupe të vogla lajmëtarësh, si për shembull një familje, janë shumë më pak frikësuese për të zotët e shtëpive dhe kanë nevojë për më pak riorganizim, ndërsa punohet territori.
16 Rregulli kërkon që prindërit të mbikëqyrin me kujdes sjelljen e fëmijëve të tyre, kur këta janë së bashku me prindërit në territor. Fëmijët duhet të sillen me edukatë kur shoqërojnë të rriturit në predikim. Vogëlushët nuk duhen lejuar të luajnë ose të enden lirisht, duke u tërhequr një vëmendje jo të përshtatshme banorëve ose kalimtarëve.
17 Duhet treguar ekuilibër edhe për sa u përket pushimeve gjatë shërbimit, nëpër lokale. Shërbimi ynë i Mbretërisë, qershor 1995, në faqen 3 pohonte: «Kur jemi në shërbimin në fushë, mund të humbim kohë të çmueshme në ndonjë lokal. Megjithatë, kur kushtet e motit janë të këqija, një pushim do të na çlodhte dhe do të na ndihmonte për të vazhduar. Gjithsesi, shumë veta preferojnë të jenë të zënë duke u dhënë dëshmi njerëzve dhe të mos bashkohen me vëllezërit që janë në lokal gjatë kohës që është lënë mënjanë për shërbim.» Edhe pse ndalesa për t’u çlodhur është një vendim personal, disa herë është vënë re se grupe të mëdha vëllezërish dhe motrash takohen në një lokal ose restorant. Përveç sasisë së kohës që duhet pritur për të marrë kafenë, prania e një turme mund të jetë frikësuese për klientët e tjerë. Disa herë, diskutohen me zë të lartë përvojat e shërbimit në fushë në mëngjes dhe kjo gjë mund t’i heqë dinjitetin shërbimit tonë dhe të dëmtojë efektshmërinë e tij. Me aftësi shquese, lajmëtarët mund të shmangin mbledhjen në turma në një lokal dhe heqjen e panevojshme të kohës nga shërbimi.
18 Shumë veta kanë përjetuar rezultate të shkëlqyera duke iu afruar njerëzve kudo që mund të gjenden: në rrugë, në vende parkimi dhe në vende të tjera publike. Edhe këtu duam të japim një dëshmi të shkëlqyer, jo vetëm me fjalët tona, por edhe me arsyetueshmërinë që tregojmë. Lajmëtarët në çdo kongregacion duhet të jenë të sigurt se i respektojnë kufijtë e territorit që kanë marrë, me qëllim që të mos u rëndohen kalimtarëve në zonat tregtare dhe hyrjet e metrove ose punonjësve të tregtisë, si për shembull në stacionet e karburantit që janë të hapura 24 orë. Për t’u siguruar se e kryejmë shërbimin tonë me rregullsi dhe dinjitet, ne duhet të punojmë vetëm brenda territorit tonë të caktuar, përveç rastit kur janë bërë disa rregullime specifike me Komitetin e Shërbimit të Kongregacionit të një kongregacioni tjetër, për t’u siguruar atyre një mbështetje.—Krahaso 2. Korintasve 10:13-15.
19 Disa kongregacione që kanë shumë zona ku mund të bëhet dëshmia publike, i kanë organizuar këto zona në territore. Pastaj një skedë territori i jepet një lajmëtari ose një grupi. Kjo gjë e bën më të lehtë punimin më të efektshëm dhe siguron që të mos jenë tepër lajmëtarë duke punuar të njëjtën zonë në të njëjtën kohë, në harmoni me parimin që gjejmë në 1. Korintasve 14:40: «Çdo gjë le të kryhet në mënyrë të hijshme dhe sipas rregullit.»—BR.
20 Pamja jonë e jashtme duhet të jetë gjithnjë me dinjitet dhe shembullore për shërbëtorët që mbajnë emrin e Jehovait. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mjetet që kemi me vete. Çantat e rrjepura dhe Biblat me faqe të përthyera ose me njolla i heqin dinjitetin mesazhit të Mbretërisë. Është thënë se veshja dhe krehja «janë një komunikim shoqëror i çastit që u jep njerëzve që na rrethojnë informacione se kush je, çfarë je dhe cili është vendi yt në rendin e gjërave». Prandaj, pamja jonë e jashtme nuk duhet të jetë as e çrregullt, as e mbajtur keq, as tepër tërheqëse, as ekstravagante, por gjithnjë «e denjë për lajmin e mirë».—Filip. 1:27; krahaso 1. Timoteut 2:9, 10.
21 Në 1. Korintasve 9:26, apostulli Pavël thotë: «Mënyra se si po vrapoj nuk është e pasigurt; mënyra se si po i drejtoj goditjet e mia është e tillë që të mos jem duke rrahur ajrin.» (BR) Duke imituar Pavlin, ne jemi të vendosur për të pasur një shërbim të efektshëm dhe produktiv. Ndërkohë që kemi një pjesëmarrje të zellshme në veprën e dëshmisë si pjesë e «ushtrisë së karkalecave» të Jehovait sot, le të përdorim arsyetueshmërinë e krishterë dhe aftësinë shquese për t’ua çuar mesazhin e shpëtimit të gjithëve në territorin tonë!