Si t’i stërvitim lajmëtarët e rinj që të predikojnë?
1. Si u ndjeve herën e parë kur dole në shërbim?
1 A e mban mend herën e parë kur dole në shërbim shtëpi më shtëpi? Ka të ngjarë që ishe shumë në ankth. Nëse ishe në shërbim bashkë me atë që të ka drejtuar studimin ose me një lajmëtar tjetër, pa dyshim që ndiheshe i kënaqur që kishe mbështetjen e tij. Tani që ke fituar përvojë, je në gjendje të stërvitësh lajmëtarët më të rinj që të predikojnë.
2. Çfarë kanë nevojë të mësojnë lajmëtarët e rinj?
2 Lajmëtarët e rinj kanë nevojë të mësojnë se si të fillojnë biseda me të zotin e shtëpisë, të përdorin Biblën me të, të bëjnë rivizita dhe të fillojnë e të drejtojnë studime biblike. Gjithashtu, ata duhet të mësojnë se si të marrin pjesë në forma të ndryshme predikimi si për shembull, të japin dëshmi rrugore dhe t’u dëshmojnë njerëzve në vendin e punës. Ti mund t’i ndihmosh ata të përmirësohen në këto fusha me anë të shembullit tënd dhe me anë të sugjerimeve që jep.
3. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët me anë të shembullit tonë?
3 Mëso me anë të shembullit tënd: Jezui ua demonstroi dishepujve të tij se si të predikonin. (Luka 8:1; 1 Pjet. 2:21) Kur lë takim me një lajmëtar të ri, përgatit më parë një prezantim të thjeshtë që ai ta imitojë, ndoshta duke përdorur një prezantim model që gjendet në një nga botimet tona. Pastaj, bëje ti derën e parë ose edhe të dytën, kështu që lajmëtari të mund të dëgjojë çfarë thua. Pasi ke predikuar në një derë, mund ta pyesësh lajmëtarin nëse i është dukur i efektshëm prezantimi. Kjo do ta ndihmojë atë të kuptojë sa vlerë ka të dalë me të tjerët në shërbim dhe do t’ia bëjë më të lehtë të pranojë sugjerimet që mund t’i japësh pas prezantimit të tij.
4. Si mund ta ndihmojmë një lajmëtar të ri pasi e kemi dëgjuar prezantimin e tij?
4 Jep sugjerime: Jezui u dha dishepujve edhe udhëzime se si të predikonin. (Mat. 10:5-14) Edhe ti mund ta ndihmosh një lajmëtar të ri në mënyrë të ngjashme. Kur e ka radhën për të folur, dëgjoje me vëmendje. Pastaj, kur largoheni nga dera, mos u kurse t’i japësh lavdërime të sinqerta dhe specifike, edhe pse ndoshta vërejte aspekte të prezantimit që kanë nevojë të përmirësohen. Para se t’i japësh një sugjerim, shih nëse ka përmirësuar në këtë aspekt në derën tjetër. Ndoshta thjesht ishte në ankth. Gjithashtu, mbaj parasysh se lajmëtarët nuk kanë të gjithë të njëjtat aftësi, dhe shpesh, ka më shumë se një mënyrë për ta bërë siç duhet diçka.—1 Kor. 12:4-7.
5. Çfarë mund të themi kur marrim iniciativën për të dhënë sugjerime?
5 Nganjëherë, një lajmëtar i ri do të të kërkojë ndonjë sugjerim. Por nëse nuk të kërkon, merre iniciativën për ta ndihmuar. Si mund ta bësh këtë me takt? Disa lajmëtarë me përvojë thjesht pyesin: «A mund të të jap një sugjerim?» ose «si t’u duk prezantimi që bëre?» Një mundësi tjetër mund të jetë: «Kur unë isha një lajmëtar i ri, e kisha të vështirë të . . . , por pashë këtë gjë që më ndihmoi. . . .» Ndonjëherë, është e dobishme t’i hidhni një sy bashkë librit Të arsyetojmë. Që të mos e mbytësh me shumë sugjerime, përqendrohu vetëm në një aspekt të prezantimit të tij.
6. Si e ‘mpreh hekuri hekurin’ kur bëhet fjalë për shërbimin?
6 Hekuri mpreh hekurin: Timoteu, një ungjillëzues me përvojë, u inkurajua nga Pavli të vazhdonte t’i kushtohej mësimdhënies dhe të bënte përparim. (1 Tim. 4:13, 15) Edhe pse mund të kesh vite në shërbim, vazhdo gjithmonë të përmirësosh aftësitë e tua. Mëso nga lajmëtarët me të cilët predikon, madje edhe nga ata që kanë më pak përvojë dhe ji syçelë për t’i ndihmuar me dashamirësi të tjerët, veçanërisht lajmëtarët e rinj, që të bëhen shërbëtorë të aftë të lajmit të mirë.—Prov. 27:17.