Planifikoni që tani për të zgjeruar shërbimin
1. Çfarë ka të veçantë periudha e Përkujtimit dhe si mund të përgatitemi?
1 Periudha e përvitshme e Përkujtimit na jep mundësi të tjera ‘për ta përlëvduar shumë Jehovain’. (Psal. 109:30) A do ta zgjeroni shërbimin në mars për të treguar kështu vlerësimin për Siguruesin e shpërblesës? Tani është koha të fillojmë të bëjmë plane.—Prov. 21:5.
2. Si reaguat ju dhe të tjerët ndaj rregullimit për uljen e orëve të pionierëve ndihmës prillin e kaluar?
2 Shërbimi si pionierë ndihmës: Vitin e kaluar kongregacionet zienin nga entuziazmi kur dëgjuan se kuota e orëve për pionierët ndihmës gjatë muajit prill ishte ulur. Një vëlla shkroi: «Jam akoma në shkollë të mesme dhe nuk kam mundur të shërbej si pionier i rregullt. Por do të plotësoj kërkesën për të bërë 30 orë dhe do të përpiqem fort të arrij kuotën e 50 orëve në muajin prill.» Një motër që ka një punë 8-orëshe shkroi: «Tridhjetë orë s’janë asgjë!» Kur u bë ky njoftim, një ish-pioniere, që tani është te të 80-at, tha: «E kam pritur këtë moment. Jehovai e dinte se shërbimi si pioniere ka qenë koha më e bukur e jetës sime.» Të tjerë që nuk kishin mundësi të ishin pionierë ndihmës, vunë synim të bënin më shumë në shërbim.
3. Pse ia vlen të mendojmë për të shërbyer si pionierë ndihmës gjatë marsit, prillit dhe majit?
3 Marsi do të jetë një muaj i shkëlqyer për të shërbyer si pionierë ndihmës, sepse do të kemi përsëri mundësi të zgjedhim kuotën prej 30 ose 50 orësh. Për më tepër, duke filluar të shtunën më 17 mars, do të marrim pjesë në një fushatë speciale për të ftuar të tjerë që të jenë bashkë me ne në Përkujtim, i cili do të mbahet më 5 prill. Mjaft lajmëtarë do të kënaqen aq shumë kur të zgjerojnë shërbimin, sa do të kenë dëshirë të vazhdojnë si pionierë edhe në prill e maj me kuotën 50 orë.
4. Si mund ta zgjerojmë shërbimin dhe me çfarë rezultati?
4 Pse të mos shqyrtoni gjatë Adhurimit Familjar të ardhshëm se si mund ta zgjerojë shërbimin secili prej pjesëtarëve të familjes gjatë periudhës së Përkujtimit? (Prov. 15:22) Lutjuni Jehovait të bekojë përpjekjet tuaja. (1 Gjon. 3:22) Ndërsa zgjeroni shërbimin, jo vetëm do ta lavdëroni më tepër Jehovain, por do të gjeni edhe më shumë gëzim.—2 Kor. 9:6.