Mos ngurro—Kur ke program të ngjeshur
1. Pse disa ngurrojnë të ofrojnë studim biblik?
1 Disa ngurrojnë të ofrojnë studim biblik, sepse kanë program të ngjeshur. Të kujdesesh për një student të Biblës, do kohë. Duhet të përgatitesh për studimin, ta drejtosh dhe ta ndihmosh studentin të përparojë me gjithë pengesat. Apostulli Pavël tha se dha edhe shpirtin që ata në Selanik të njihnin Jehovain. (1 Sel. 2:7, 8) Si mund të drejtojmë një studim nëse jemi shumë të zënë?
2. Si ndikon dashuria për Jehovain te mënyra si e përdorim kohën?
2 Adhurimi kërkon kohë: E vërteta është se adhurimi që i bëjmë Jehovait do kohë. Për shembull, ne rregullisht marrim kohë që të ndjekim mbledhjet, të dalim në shërbim, të lexojmë Biblën dhe të lutemi. Një i martuar, edhe pse mjaft i ngarkuar, me kënaqësi gjen kohë për të ndenjur me burrin ose gruan. Aq më tepër ne duhet ‘të blejmë’ kohë me gëzim që ta adhurojmë Jehovain nga dashuria për të. (Efes. 5:15-17; 1 Gjon. 5:3) Sipas Jezuit, pjesë e rëndësishme e adhurimit tonë është bërja e dishepujve. (Mat. 28:19, 20) Kur meditojmë rreth kësaj, nuk do të ngurrojmë të pranojmë përgjegjësinë që të drejtojmë studime biblike.
3. Si të kujdesemi për studentin biblik edhe kur nuk na lejojnë rrethanat?
3 Po nëse jemi në punë, kemi sëmundje kronike ose caktime teokratike? Disa lajmëtarë që me raste u duhet të largohen, e drejtojnë studimin me telefon ose me Internet. Ata me sëmundje kronike kanë marrë masa që studenti të vijë në shtëpinë e tyre. Disa ia lënë studimin një lajmëtari të besueshëm që ta drejtojë kur nuk kanë mundësi.
4. Çfarë bekimesh vijnë kur drejtojmë studime biblike?
4 Pavli gjente gëzim kur harxhonte kohën dhe energjitë për të ndihmuar të tjerët të mësonin të vërtetën. (Vep. 20:35) Kur mendonte për ata që kishte ndihmuar në Selanik, mbushej me mirënjohje për Jehovain. (1 Sel. 1:2) Mund të provojmë më shumë gëzim dhe kënaqësi në shërbim, nëse nuk lejojmë që programi i ngjeshur të na pengojë të drejtojmë studime biblike.