E premte, 18 korrik
Na bëri një mbretëri, priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij.—Zbul. 1:6.
Një numër i kufizuar dishepujsh të Krishtit, 144.000 veta, janë mirosur me frymë të shenjtë. Ata gëzojnë një marrëdhënie të veçantë me Jehovain dhe do të shërbejnë si priftërinj në qiell me Jezuin. (Zbul. 14:1) E Shenjta e tabernakullit paraqet gjendjen e tyre si të birësuar nga fryma si fëmijë të Perëndisë ndërsa janë ende në tokë. (Rom. 8:15-17) Më e Shenjta e tabernakullit paraqet qiellin, vendin ku banon Jehovai. «Perdja» që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta paraqet trupin njerëzor të Jezuit, i cili e pengonte të hynte në qiell si Kryeprift i madh i tempullit të Jehovait. Duke e dhënë trupin e tij si flijim për njerëzimin, Jezui u hapi udhën për të jetuar në qiell të gjithë të krishterëve të mirosur. Edhe ata duhet të lënë trupin njerëzor për të marrë shpërblimin që i pret në qiell.—Hebr. 10:19, 20; 1 Kor. 15:50. w23.10 28 ¶13
E shtunë, 19 korrik
Nuk do të më dilte koha po të vazhdoja të tregoja për Gideonin.—Hebr. 11:32.
Gideoni u foli me butësi efraimitëve kur e kritikuan. (Gjyk. 8:1-3) Ai nuk ua ktheu tërë inat. Tregoi përulësi duke i dëgjuar ndërsa shprehën çfarë i shqetësonte dhe duke u folur me takt. Kështu e qetësoi situatën e tensionuar. Një plak i mençur imiton shembullin e Gideonit duke dëgjuar me vëmendje dhe duke reaguar me butësi kur e kritikojnë. (Jak. 3:13) Kështu ndihmon të ruhet paqja në kongregacion. Kur e nderuan për fitoren mbi Midianin, Gideoni e përqendroi vëmendjen te Jehovai. (Gjyk. 8:22, 23) Si mund ta imitojnë pleqtë shembullin e tij? Duke ia dhënë meritën Jehovait për çdo gjë që arrijnë. (1 Kor. 4:6, 7) Për shembull, nëse e lavdërojnë për mësimdhënien, plaku mund t’ua drejtojë vëmendjen të tjerëve te burimi i mësimit, Fjala e Perëndisë, ose te stërvitja që marrim nga organizata e Jehovait. Herë pas here pleqtë bëjnë mirë të mendojnë nëse po e tërheqin tepër vëmendjen te vetja. w23.06 4 ¶7-8
E diel, 20 korrik
Mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia.—Isa. 55:8.
Nëse nuk e kemi marrë diçka që kemi kërkuar në lutje, mund t’i bëjmë vetes pyetjen: «A po lutem për gjënë e duhur?» Shpesh mendojmë se e dimë ç’është më e mira për ne. Por ajo që kërkojmë mund të mos jetë vërtet më e mira për ne. Nëse po lutemi për një problem, mund të ketë një zgjidhje më të mirë se zgjidhja për të cilën po lutemi. Veç kësaj, disa gjëra që kërkojmë, mund të mos jenë në harmoni me vullnetin e Jehovait. (1 Gjon. 5:14) Të mendojmë për prindërit, të cilët i luten Jehovait që fëmija i tyre të qëndrojë i patundur në të vërtetën. Duket kërkesë me vend. Gjithsesi, Jehovai nuk detyron askënd t’i shërbejë. Ai do që të gjithë ne, pra edhe fëmijët tanë, të zgjedhim ta adhurojmë. (Ligj. 10:12, 13; 30:19, 20) Kështu, prindërit mund t’i kërkojnë Jehovait t’i ndihmojë t’i prekin zemrën fëmijës, që të thellojë dashurinë për Të dhe të dojë të bëhet miku i Tij.—Prov. 22:6; Efes. 6:4. w23.11 21 ¶5; 23 ¶12