BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • A keni besim të patundur te Perëndia?
    Kulla e Rojës—2006 | 1 Janar
    • A keni besim të patundur te Perëndia?

      «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë.»​—MATEU 6:33.

      1, 2. Cilin hap bëri një i ri për sa i përket punës dhe përse?

      NJË i ri donte të ndihmonte më tepër në kongregacion. Por puna e pengonte të ndiqte rregullisht mbledhjet. Si e zgjidhi këtë situatë? E thjeshtoi jetën, e la punën dhe, pas disa kohësh, gjeti një punë tjetër që nuk e pengonte për aktivitetet e krishtere. Tani paguhet shumë më pak se më parë, por arrin t’i plotësojë nevojat e familjes së tij dhe ka më tepër mundësi të mbështetë kongregacionin.

      2 A e kuptoni pse e bëri këtë hap ky i ri? A mendoni se do të kishit vepruar njësoj, po të ishit në rrethana si të tijat? Është e lavdërueshme që shumë të krishterë kanë vepruar kështu, dhe me veprimet e tyre tregojnë besimin që kanë te premtimi i Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Ata e gjejnë sigurinë e tyre te Jehovai, jo te bota.​—Proverbat 3:23, 26.

      3. Përse disa njerëz mund të pyesin nëse sot është realiste të vëmë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë?

      3 Meqë jetojmë në kohë të vështira, disa mund të dyshojnë nëse vendimi i atij të riu ishte një vendim i mençur. Sot një pjesë e njerëzimit jeton në varfëri të plotë, kurse pjesa tjetër ka nivelin më të lartë të jetesës në tërë historinë. Në vendet e varfra, shumica nuk do të linin t’u ikte nga duart mundësia për ta bërë jetën sadopak më të lehtë. Nga ana tjetër, mjaft veta në vendet e pasura ndiejnë presionin për të mbajtur atë nivel jetese që kanë arritur, përballë ekonomisë që po dobësohet, tregut të punës që po ndryshon dhe punëdhënësve që kërkojnë gjithnjë e më tepër. Nën gjithë këtë presion për të siguruar jetesën, disa mund të pyesin: ‘A është ende realiste të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë?’ Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, shqyrtoni auditorin të cilit po i drejtohej Jezui.

      «Mos jini më në ankth»

      4, 5. Ç’ilustrim bëri Jezui për të treguar se ishte e arsyeshme që shërbëtorët e Perëndisë të mos ishin tepër në ankth për gjërat e përditshme?

      4 Jezui ndodhej në Galile dhe po fliste para një turme të madhe, që kishte ardhur nga shumë vende. (Mateu 4:25) Pak prej tyre ishin të pasur, për të mos thënë asnjë. Ka më tepër të ngjarë që shumica të ishin të varfër. Gjithsesi, Jezui i nxiti të mos i jepnin përparësi grumbullimit të pasurisë materiale, por grumbullimit të diçkaje që kishte shumë më tepër vlerë​—thesareve frymore. (Mateu 6:19-21, 24) Ai u tha: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupat tuaj, se ç’do të vishni. A nuk ka më shumë vlerë shpirti se ushqimi, dhe trupi më shumë se veshja?»​—Mateu 6:25.

      5 Këto fjalë të Jezuit mund të mos u jenë dukur aspak praktike shumë prej dëgjuesve. Ata e dinin se, po të mos i shtroheshin punës, pasojat do t’i vuanin familjet e tyre. Por, Jezui u tha të mendonin për zogjtë. Zogjtë ditë për ditë duhet të gjejnë ushqim e strehë, e megjithatë Jehovai kujdeset për ta. Gjithashtu, Jezui theksoi mënyrën se si kujdeset Jehovai për lulet e fushës, bukuria e të cilave ia kalon asaj të Solomonit, me gjithë lavdinë e tij. Nëse Jehovai kujdeset për zogjtë e për lulet, a nuk do të kujdeset edhe më tepër për ne? (Mateu 6:26-30) Siç tha Jezui, jeta (shpirti) dhe trupi ynë janë shumë më të rëndësishme se ushqimi që blejmë për të ngrënë e veshjet që blejmë për të mbuluar trupin. Nëse jepemi me mish e me shpirt për të siguruar ushqimin dhe veshjen, e nuk na mbetet më asgjë domethënëse për t’ia kushtuar shërbimit të Jehovait, po humbasim qëllimin për të cilin jetojmë.​—Eklisiastiu 12:13.

      Një pikëpamje e ekuilibruar

      6. (a) Cilën përgjegjësi kanë të krishterët? (b) Te cili kanë besim të patundur krishterët?

      6 Sigurisht, Jezui nuk i nxiti dëgjuesit që të mos punonin më dhe të prisnin që Perëndia t’u siguronte në ndonjë mënyrë gjërat e nevojshme për familjen. Edhe zogjtë duhet të kërkojnë ushqim për vete e për të vegjlit. Kështu, të krishterët duhej të punonin, nëse donin të hanin. Duhej të kujdeseshin për përgjegjësitë familjare. Shërbyesit dhe skllevërit që ishin të krishterë, duhej të punonin pa përtesë për pronarët e tyre. (2 Selanikasve 3:10-12; 1 Timoteut 5:8; 1 Pjetrit 2:18) Apostulli Pavël shpesh bënte tenda, për të siguruar gjërat e nevojshme për vete. (Veprat 18:1-4; 1 Selanikasve 2:9) Gjithsesi, ata të krishterë nuk i varnin shpresat te puna, për të gjetur siguri. Kishin besim te Jehovai. Rrjedhimisht kishin një paqe të brendshme që të tjerët nuk e provonin. Psalmisti tha: «Ata që kanë besim te Jehovai, janë si Mali i Sionit, që kurrë nuk lëkundet, por qëndron brez pas brezi.»​—Psalmi 125:1.

      7. Ç’pikëpamje mund të ketë një njeri që nuk ka besim të patundur te Jehovai?

      7 Vetëm ata që nuk kanë besim të patundur te Jehovai, mund të mendojnë ndryshe. Shumica e njerëzve konsiderojnë pasurinë si gjënë e vetme që mund t’u japë siguri. Kështu, prindërit i kanë nxitur fëmijët që pjesën më të madhe të rinisë t’ia kushtojnë arsimit të lartë, me shpresën se kjo do t’i përgatitë për të gjetur punë me pagë të mirë. Mjerisht, disa familje të krishtere kanë parë se kostoja e këtij investimi është tepër e lartë, pasi të rinjtë janë shpërqendruar nga gjërat frymore dhe janë larguar për të ndjekur synime materialiste.

      8. Cilin ekuilibër mbajnë të krishterët?

      8 Pra, të krishterët e mençur e kuptojnë se këshilla e Jezuit zbatohet sot po aq sa zbatohej në shekullin e parë, e prandaj përpiqen të ruajnë ekuilibrin. Edhe sikur t’u duhet të kalojnë shumë kohë në punë, për t’u kujdesur për përgjegjësitë biblike, ata nuk lejojnë kurrë që nevoja për të siguruar paratë e nevojshme t’i verbojë, aq sa të lënë pas dore çështjet më të rëndësishme, ato frymore.​—Eklisiastiu 7:12.

      «Mos jini kurrë në ankth»

      9. Çfarë sigurie u jep Jezui atyre që kanë besim të plotë te Jehovai?

      9 Në Predikimin në Mal, Jezui i nxiti dëgjuesit e tij: «Mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ Sepse të gjitha këto i kërkojnë me etje kombet, por Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.» (Mateu 6:31, 32) Sa të japin zemër këto fjalë! Po të kemi besim të plotë te Jehovai, ai do të jetë gjithnjë pranë nesh për të na mbështetur. Por fjalët e Jezuit edhe na kthjellojnë. Na kujtojnë se, nëse ndjekim «me etje» gjërat materiale, do të fillojmë të mendojmë si «kombet», pra si njerëzit që nuk janë të krishterë të vërtetë.

      10. Si e zbuloi Jezui se çfarë donte më tepër një i ri, i cili iu afrua atij për të marrë një këshillë?

      10 Në një rast, një i ri shumë i pasur e pyeti Jezuin se çfarë duhej të bënte që të fitonte jetën e përhershme. Jezui i kujtoi kërkesat e Ligjit, i cili ishte ende në fuqi në atë kohë. I riu e siguroi Jezuin: «I kam bërë të gjitha këto. Çfarë më mungon akoma?» Përgjigjja që dha Jezui mund t’u jetë dukur jorealiste shumë vetave. Ai i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit zotërimet e tua dhe paratë jepua të varfërve, e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e bëhu ithtari im.» (Mateu 19:16-21) I riu u largua i trishtuar, sepse as nuk e imagjinonte dot të humbte pasurinë e tij. Sado ta ketë dashur Jehovain, zotërimet e veta i donte më tepër.

      11, 12. (a) Cilat fjalë kthjelluese tha Jezui për pasurinë? (b) Si mund të bëhen zotërimet materiale një pengesë për t’i shërbyer Jehovait?

      11 Ky episod bëri që Jezui të thoshte diçka që nuk pritej: «Një i pasur do ta ketë të vështirë të futet në mbretërinë e qiejve. . . . Është më e lehtë që të kalojë një deve nëpër një vrimë gjilpëre, sesa të futet një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.» (Mateu 19:23, 24) A po thoshte Jezui se asnjë i pasur nuk do të trashëgonte Mbretërinë? Jo, sepse ai vazhdoi: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Mateu 19:25, 26) Në fakt, me ndihmën e Jehovait, disa njerëz të pasur në atë kohë u bënë të krishterë të mirosur. (1 Timoteut 6:17) Gjithsesi, Jezui kishte arsye të vlefshme pse tha ato fjalë që të habitnin. Ai po jepte një paralajmërim.

      12 Në qoftë se një njeri lidhet shumë pas zotërimeve të tij, siç ishte lidhur ai i ri, këto zotërime mund ta pengojnë që t’i shërbejë me gjithë zemër Jehovait. Kjo mund të thuhet si për ata që tashmë janë të pasur, si për ata që janë «të vendosur të pasurohen». (1 Timoteut 6:9, 10) Kur një njeri u beson tepër gjërave materiale, mund të bëhet gjithnjë e më pak ‘i vetëdijshëm se ka nevojë të mësojë për Perëndinë’. (Mateu 5:3) Si pasojë, mund të mos ndiejë më të njëjtën nevojë për mbështetjen e Jehovait. (Ligji i përtërirë 6:10-12) Mund të fillojë të pretendojë që në kongregacion ta trajtojnë në mënyrë të veçantë. (Jakovi 2:1-4) E mund të fillojë ta kalojë pjesën më të madhe të kohës duke gëzuar pasurinë e tij, jo duke i shërbyer Jehovait.

      Të zhvillojmë pikëpamjen e duhur

      13. Cilën pikëpamje të gabuar kishin laodiceasit?

      13 Një grup që kishte pikëpamje të gabuar për zotërimet, ishte kongregacioni i Laodicesë në shekullin e parë. Jezui i tha atij kongregacioni: «Ti thua: ‘Jam i pasur, kam bërë pasuri e s’kam nevojë për asgjë.’ Por nuk e di që je i mjerë, i ngratë, i varfër, i verbër e lakuriq.» Nuk ishte pasuria që i çoi laodiceasit në këtë gjendje të vajtueshme frymore. Ishte fakti që e mbështetnin besim te pasuria, jo te Jehovai. Si pasojë, ishin të vakët frymësisht, dhe Jezui gati-gati po ‘i villte’ nga goja.​—Zbulesa 3:14-17.

      14. Pse e meritonin të krishterët hebrenj lavdërimin e Pavlit?

      14 Nga ana tjetër, Pavli i lavdëroi të krishterët hebrenj për qëndrimin që kishin pasur gjatë një periudhe të mëparshme me përndjekje. U tha: «Ju treguat se u bashkuat me ndjenjat e atyre që ishin në burg dhe pranuat me gëzim t’ju plaçkitnin zotërimet, duke e ditur se keni një zotërim më të mirë dhe të qëndrueshëm.» (Hebrenjve 10:34) Humbja e zotërimeve nuk i pikëlloi tej mase ata të krishterë. E ruajtën gëzimin, sepse mbajtën fort zotërimin më me vlerë që kishin, ‘zotërimin më të mirë dhe të qëndrueshëm’. Ashtu si tregtari në ilustrimin e Jezuit, që sakrifikoi gjithçka për një margaritar me vlerë të madhe, ata ishin të vendosur të mos e lëshonin nga duart shpresën e Mbretërisë, pavarësisht nga kostoja. (Mateu 13:45, 46) Sa qëndrim i mirë!

      15. Si i vuri interesat e Mbretërisë në radhë të parë një e re e krishterë në Liberi?

      15 Edhe sot, shumë veta kanë zhvilluar një qëndrim të tillë të shkëlqyer. Për shembull, në Liberi, një të reje të krishterë iu dha mundësia të studionte në universitet. Në atë vend, një mundësi e tillë shihet si një rrugë për të pasur një të ardhme të sigurt. Mirëpo, ajo ishte pioniere, pra ungjillëzuese në kohë të plotë, dhe kishte marrë ftesën për të shërbyer si pioniere speciale e përkohshme. Prandaj, vendosi të kërkonte në radhë të parë Mbretërinë dhe të qëndronte në shërbimin e plotkohor. Shkoi në caktimin e saj, ku brenda tre muajve filloi 21 studime biblike. Kjo motër e re në moshë dhe mijëra të tjerë si ajo, vënë në radhë të parë Mbretërinë, edhe sikur t’u duhet të heqin dorë nga përfitime të mundshme materiale. Si arrijnë ta mbajnë një qëndrim të tillë, në këtë botë materialiste? Kanë zhvilluar një sërë cilësish të mira. Le të shqyrtojmë disa nga këto cilësi.

      16, 17. (a) Pse është e rëndësishme modestia, nëse duam të kemi besim te Jehovai? (b) Pse duhet të zhvillojmë siguri te premtimet e Perëndisë?

      16 Modestia: Bibla thotë: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua. Të mos të duket vetja i mençur.» (Proverbat 3:5-7) Nganjëherë, një drejtim mund të duket praktik sipas pikëpamjes së botës. (Jeremia 17:9) Po gjithsesi, një i krishterë i vërtetë kërkon drejtim prej Jehovait. (Psalmi 48:14) ‘Në të gjitha udhët e tij’, domethënë në çështjet e kongregacionit, të arsimimit ose të punës, të zbavitjes ose në gjithçka tjetër, ai me modesti kërkon këshilla nga Jehovai.​—Psalmi 73:24.

      17 Siguria te premtimet e Jehovait: Pavli tha: «Kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» (Hebrenjve 11:6) Kur dyshojmë se Jehovai do t’i përmbushë premtimet e tij, mund të na duket logjike ‘ta përdorim plotësisht këtë botë’. (1 Korintasve 7:31) Nga ana tjetër, në qoftë se besimi ynë është i fortë, do të jemi të vendosur të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë. Po si të zhvillojmë një besim të fortë? Duke iu afruar Jehovait nëpërmjet lutjeve të vazhdueshme me gjithë zemër dhe studimit të rregullt personal. (Psalmi 1:1-3; Filipianëve 4:6, 7; Jakovi 4:8) Mund të lutemi si mbreti David: «Unë besova te ti, o Jehova, dhe thashë: ‘Ti je Perëndia im.’ Sa e madhe është mirësia jote!»​—Psalmi 31:14, 19.

      18, 19. (a) Si na e forcon papërtueshmëria besimin te Jehovai? (b) Pse një i krishterë duhet të jetë i gatshëm të bëjë sakrifica?

      18 Zelli në shërbimin ndaj Jehovait: Pavli e lidhi sigurinë në premtimet e Jehovait me papërtueshmërinë: «Dëshirojmë që secili nga ju të tregojë të njëjtën papërtueshmëri, që ta ketë deri në fund sigurinë e plotë të shpresës.» (Hebrenjve 6:11) Po të jemi të zellshëm në shërbim të Jehovait, ai do të na mbështetë. Sa herë që ndiejmë këtë mbështetje, besimi tek ai bëhet më i fortë, dhe ne bëhemi «të palëkundur e të patundur». (1 Korintasve 15:58) Bindjet tona përforcohen dhe shpresa që kemi vërtetohet më shumë.​—Efesianëve 3:16-19.

      19 Gatishmëria për të bërë sakrifica: Pavli sakrifikoi një karrierë premtuese, për të ndjekur Jezuin. S’ka dyshim se ai bëri zgjedhjen e duhur, ndonëse nganjëherë jeta e tij ishte e vështirë nga ana materiale. (1 Korintasve 4:11-13) Jehovai nuk premton se do të kemi një jetë luksoze. Nganjëherë shërbëtorëve të tij u duhet të durojnë vështirësi. Kështu, gatishmëria jonë për të thjeshtuar jetën e për të bërë sakrifica, tregon sa të vendosur jemi për t’i shërbyer Jehovait.​—1 Timoteut 6:6-8.

      20. Pse durimi është thelbësor për dikë që i vë interesat e Mbretërisë në vend të parë?

      20 Durimi: Dishepulli Jakov i nxiti të krishterët e tjerë: «Tregoni, pra, durim, vëllezër, deri në praninë e Zotërisë.» (Jakovi 5:7) Në këtë botë që ecën me ritme të shpejta, është e vështirë të jesh i duruar. Ne duam që gjërat të bëhen shpejt. Por Pavli na nxit të imitojmë ata që «nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëgojnë premtimet». (Hebrenjve 6:12) Ji i gatshëm të presësh Jehovain! Me siguri që jeta e përhershme në një tokë parajsore është diçka për të cilën ia vlen të presësh!

      21. (a) Çfarë tregojmë, kur vëmë në radhë të parë interesat e Mbretërisë? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

      21 Pra, këshilla e Jezuit që të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë, është realiste. Kur veprojmë kështu, tregojmë se kemi vërtet besim te Jehovai dhe zgjedhim të vetmen mënyrë të sigurt jetese për një të krishterë. Gjithsesi, Jezui na këshilloi edhe që të vazhdojmë ‘të kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë’. Në artikullin vijues, do të shohim përse ky inkurajim nevojitet veçanërisht sot.

  • Kur kërkojmë drejtësinë, jemi të mbrojtur
    Kulla e Rojës—2006 | 1 Janar
    • Kur kërkojmë drejtësinë, jemi të mbrojtur

      «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë . . . drejtësinë e Perëndisë.»​—MATEU 6:33.

      1, 2. Cilin vendim mori një e re e krishterë dhe përse?

      NJË e re e krishterë nga Azia punonte sekretare në një zyrë shtetërore. Ishte shumë e ndërgjegjshme, shkonte shpejt në punë dhe bënte gjithçka pa përtim. Por, meqë vendi i saj i punës nuk ishte i përhershëm, erdhi koha të bëhej një vlerësim. Shefi i tha vajzës se do t’i siguronte një vend të përhershëm e madje do ta ngrinte në përgjegjësi, nëse ajo do të kishte një lidhje imorale me të. Por vajza e refuzoi prerazi, edhe pse kjo do të thoshte se do të humbte punën.

      2 A po tregohej jorealiste ajo e re e krishterë? Jo, po zbatonte me përpikëri fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë . . . drejtësinë e Perëndisë.» (Mateu 6:33) Për të ishte më e rëndësishme të ndiqte parimet e drejta, sesa të fitonte diçka me anë të imoralitetit seksual.​—1 Korintasve 6:18.

      Rëndësia e drejtësisë

      3. Çfarë është drejtësia?

      3 «Drejtësia» nënkupton t’u përmbahesh normave morale dhe të jesh i ndershëm. Në Bibël, fjalët greke dhe hebraike të përdorura për të, përcjellin kuptimin e të qenët «i drejtë» ose «korrekt». Nuk do të thotë ta shpallësh veten të drejtë, domethënë ta gjykosh veten sipas normave të tua. (Luka 16:15) Do të thotë të jesh i drejtë sipas normave të Jehovait. Ka të bëjë me drejtësinë e Perëndisë.​—Romakëve 1:17; 3:21.

      4. Pse drejtësia është e rëndësishme për një të krishterë?

      4 Pse është e rëndësishme drejtësia? Sepse Jehovai, ‘Perëndia i drejtë’, u jep hir shërbëtorëve të tij kur veprojnë drejt. (Psalmi 4:1; Proverbat 2:20-22; Habakuku 1:13) Asnjë që bën padrejtësi nuk mund të ketë një marrëdhënie të ngushtë me të. (Proverbat 15:8) Ja pse apostulli Pavël e nxiti Timoteun: «Ik nga dëshirat karakteristike rinore, dhe ndiq më mirë drejtësinë» bashkë me cilësi të tjera të rëndësishme. (2 Timoteut 2:22) Kjo është po ashtu arsyeja pse Pavli përfshiu «parzmoren e drejtësisë» kur renditi pjesët e armaturës sonë frymore.​—Efesianëve 6:14.

      5. Si mund ta kërkojnë drejtësinë krijesat e papërsosura?

      5 Sigurisht, asnjë njeri nuk është i drejtë në kuptimin e plotë të fjalës. Të gjithë kanë trashëguar papërsosmërinë nga Adami dhe të gjithë janë mëkatarë, të padrejtë, që kur lindin. E megjithatë, Jezui tha se duhet të kërkojmë drejtësinë. Si është e mundur kjo? Është e mundur, sepse Jezui dha jetën e tij të përsosur si shpërblesë për ne dhe, nëse tregojmë besim te ky flijim, Jehovai është i gatshëm të na i falë mëkatet. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16; Romakëve 5:8, 9, 12, 18) Mbi këtë bazë, ndërsa mësojmë normat e drejta të Jehovait dhe bëjmë çmos t’i zbatojmë ato​—duke u lutur për ndihmë që të kapërcejmë dobësitë tona​—Jehovai e pranon adhurimin tonë. (Psalmi 1:6; Romakëve 7:19-25; Zbulesa 7:9, 14) Sa mendim ngushëllues!

      Të drejtë në një botë të padrejtë

      6. Pse bota ishte një vend i rrezikshëm për të krishterët e hershëm?

      6 Kur morën detyrën për të qenë dëshmitarë të Jezuit «deri në skajin më të largët të tokës», dishepujt e tij hasën një situatë të vështirë. (Veprat 1:8) I gjithë territori që u ishte caktuar, ‘dergjej nën pushtetin e të ligut’, Satanait. (1 Gjonit 5:19) Bota ishte e infektuar nga fryma e ligësisë që nxit ai, dhe të krishterët do të ishin të ekspozuar ndaj ndikimit të saj ndotës. (Efesianëve 2:2) Për ta, bota ishte vend i rrezikshëm. Vetëm duke kërkuar në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, do ta ruanin të paprekur integritetin e tyre. Shumica arritën të qëndronin, por disa u larguan nga ‘shtegu i drejtësisë’.​—Proverbat 12:28; 2 Timoteut 4:10.

      7. Për shkak të cilave përgjegjësi, të krishterëve u duhet t’i bëjnë ballë kësaj bote me ndikimet e saj korruptuese?

      7 A është sot më e sigurt bota për të krishterët? Aspak! Madje është edhe më e korruptuar nga ç’ishte në shekullin e parë. Veç kësaj, Satanai është flakur poshtë në tokë dhe po bën një luftë të ashpër kundër të krishterëve të mirosur, ‘mbetjes së farës [së gruas], të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe janë caktuar të japin dëshmi për Jezuin’. (Zbulesa 12:12, 17) Satanai sulmon edhe këdo tjetër që mbështet këtë ‘farë’. Gjithsesi, të krishterët s’mund ta shmangin plotësisht botën. Edhe pse nuk janë pjesë e botës, atyre u duhet të jetojnë në të. (Gjoni 17:15, 16) Gjithashtu, duhet të predikojnë në të, për të gjetur njerëzit me zemër të prirur ndaj së drejtës dhe për t’u mësuar si të bëhen dishepuj të Krishtit. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Prandaj, meqë të krishterët s’mund t’i shmangin krejtësisht ndikimet korruptuese të kësaj bote, duhet t’u rezistojnë atyre. Le të marrim në shqyrtim katër nga këto ndikime.

      Gracka e imoralitetit

      8. Pse izraelitët filluan të adhuronin perënditë e moabitëve?

      8 Aty nga fundi i udhëtimit të tyre 40-vjeçar në shkretëtirë, një numër i madh izraelitësh u larguan nga shtegu i drejtësisë. Kishin parë me sytë e tyre shumë bëma të Jehovait për t’i shpëtuar, e pas pak do të hynin në Tokën e Premtuar. Gjithsesi, në atë pikë historike, filluan t’u shërbenin perëndive të moabitëve. Po përse? Ranë pre e ‘dëshirave të mishit’. (1 Gjonit 2:16) Ja çfarë thotë Bibla: «Populli filloi të kurvërohej me bijat e Moabit.»​—Numrat 25:1.

      9, 10. Cila situatë e sotme na e bën të domosdoshme të mbajmë gjithnjë në mend fuqinë korruptuese të dëshirave të gabuara të mishit?

      9 Ky episod vërteton se si dëshirat e gabuara të mishit mund t’i korruptojnë ata që s’janë të vëmendshëm. Duhet të nxjerrim mësim nga ky rast, sidomos meqë sot imoraliteti konsiderohet përgjithësisht si një stil i pranueshëm jetese. (1 Korintasve 10:6, 8) Në një raport nga Shtetet e Bashkuara thuhet: «Deri aty rreth vitit 1970, bashkëjetesa [kur dy njerëz të pamartuar jetojnë bashkë] ishte e jashtëligjshme në të gjitha shtetet amerikane. Tani është gjëja më normale. Më shumë se gjysma e gjithë martesave të para, paraprihen nga bashkëjetesa.» Kjo dhe praktika të tjera të shthurura morale nuk kufizohen vetëm në një vend. Ato i gjen kudo përreth botës dhe, mjerisht, disa të krishterë kanë ndjekur këtë drejtim, edhe pse kështu kanë humbur të drejtën për të qenë pjesë e kongregacionit të krishterë.​—1 Korintasve 5:11.

      10 Për më tepër, pothuajse ngado të hedhësh sytë, has propagandën që nxit imoralitetin. Filmat dhe programet televizive lënë të kuptohet se është krejt e pranueshme që të rinjtë të kenë marrëdhënie seksuale para martese. Lidhjet homoseksuale paraqiten si normale. Në mjaft programe televizive paraqiten gjithnjë e më tepër skena të mirëfillta e të hollësishme seksuale. Fotografi të marrëdhënieve seksuale të mirëfillta gjenden me lehtësi edhe në Internet. Për shembull, një gazetar tha se një ditë, kur u kthye nga shkolla, i biri 7-vjeçar i tregoi tërë entuziazëm se një shoku i tij në shkollë kishte parë në Internet një faqe ku tregoheshin gra lakuriq që kryenin akte seksuale. Natyrisht që i ati u trondit, por, sa fëmijë shohin të tilla faqe Interneti e s’u thonë gjë prindërve? Veç kësaj, sa prindër e dinë se çfarë përmbajnë lojërat në video me të cilat luajnë fëmijët e tyre? Shumë nga lojërat e përhapura janë plot me imoralitet të pështirë, si edhe me demonizëm e me dhunë.

      11. Si mund të mbrohet një familje nga imoraliteti i botës?

      11 Si mund t’i bëjë ballë një familje tërheqjes së kësaj ‘zbavitjeje’ të degraduar? Duke kërkuar në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, pra duke refuzuar të përfshihet në asgjë imorale. (2 Korintasve 6:14; Efesianëve 5:3) Prindërit që mbikëqyrin mirë çfarë bëjnë fëmijët dhe që ngulitin tek ata dashurinë për Jehovain e për ligjet e tij të drejta, i forcojnë që t’i rezistojnë pornografisë, lojërave pornografike në video, filmave imoralë dhe tundimeve të tjera të padrejta.​—Ligji i përtërirë 6:4-9.a

      Rreziku i ndikimit nga opinioni

      12. Cili problem lindi në shekullin e parë?

      12 Kur ishte në Listër, në Azinë e Vogël, Pavli shëroi një njeri, me anë të një mrekullie. Tregimi thotë: «Turmat panë atë që bëri Pavli dhe thërritën në gjuhën likaonase: ‘Perënditë qenkan bërë ngjashëm njerëzve dhe paskan zbritur te ne!’ Barnabën filluan ta quanin Zeus, kurse Pavlin Hermes, meqë ai merrte drejtimin për të folur.» (Veprat 14:11, 12) Më vonë, po ato turma donin t’i vritnin Pavlin dhe Barnabën. (Veprat 14:19) Është e qartë se ata njerëz ndikoheshin shumë nga opinioni. Kur disa nga ajo zonë u bënë të krishterë, duket se nuk i braktisën prirjet e tyre besëtyte. Në letrën drejtuar të krishterëve në Kolose, Pavli paralajmëroi kundër ‘adhurimit të engjëjve’.​—Kolosianëve 2:18.

      13. Cilat zakone duhet të shmangë një i krishterë e si mund ta gjejë forcën për të bërë këtë?

      13 Edhe sot, të krishterët e vërtetë duhet t’i shmangin zakonet e pranuara nga shumica, por që janë bazuar në ide të rreme fetare, të cilat shkelin parimet e krishtere. Për shembull, në disa vende, shumë ceremoni tradicionale për lindjen ose për vdekjen e dikujt, bazohen në gënjeshtrën se njerëzit kanë një shpirt që mbijeton pas vdekjes. (Eklisiastiu 9:5, 10) Ka vende ku është zakon që vajzave të vogla t’u bëjnë gjymtimin gjenital femëror.b Kjo është një praktikë mizore dhe e panevojshme, e cila nuk është në harmoni me kujdesin e dashur që prindërit e krishterë duhet t’u tregojnë fëmijëve të tyre. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Efesianëve 6:4) Si t’i rezistojnë të krishterët ndikimit të opinionit të të tjerëve e të braktisin këto praktika? Duke pasur besim të plotë te Jehovai. (Psalmi 31:6) Perëndia i drejtë do t’u japë forcë e do të kujdeset për ata që i thonë me gjithë zemër: «Ti je streha dhe kalaja ime, Perëndia im, tek i cili do të kem besim.»​—Psalmi 91:2; Proverbat 29:25.

      Mos e harroni Jehovain

      14. Cilin paralajmërim u dha Jehovai izraelitëve, pak para se të hynin në Tokën e Premtuar?

      14 Pak kohë para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, Jehovai i paralajmëroi të mos e harronin Atë. I tha popullit: «Ruhu se mos harron Jehovain, Perëndinë tënd, e nuk mban urdhërimet, vendimet gjyqësore dhe ligjet e tij, që po të jap sot. Se mos ha e ngopesh, ndërton shtëpi të mira e banon në to, shton bagëtitë e imëta dhe të trasha, argjendin e arin dhe gjithçka që ke, e pastaj të krenohet zemra dhe e harron Jehovain, Perëndinë tënd.»​—Ligji i përtërirë 8:11-14.

      15. Si mund të sigurohemi se nuk po e harrojmë Jehovain?

      15 A mund të ndodhë diçka e ngjashme edhe sot? Po, nëse nuk kemi në vend të parë gjërat e duhura. Gjithsesi, në qoftë se kërkojmë në radhë të parë drejtësinë e Perëndisë, adhurimi i pastër do të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën tonë. ‘Do të blejmë kohën e duhur’, siç na nxiti Pavli, dhe do të kemi ndjenjën e urgjencës në shërbimin që bëjmë. (Kolosianëve 4:5; 2 Timoteut 4:2) Por, nëse për ne ndjekja e mbledhjeve dhe shërbimi janë më pak të rëndësishëm se çlodhja ose gjetja e zbavitjeve të ndryshme, mund ta harrojmë Jehovain në kuptimin që ta konsiderojmë si dytësor në jetën tonë. Pavli tha se, në ditët e fundit, njerëzit do të ishin «kënaqësidashës në vend se perëndidashës». (2 Timoteut 3:4) Të krishterët e vërtetë e shqyrtojnë veten rregullisht, që të sigurohen se nuk janë ndikuar nga ky lloj mendimi.​—2 Korintasve 13:5.

      Ruhuni nga fryma e pavarësisë

      16. Cilën frymë të gabuar shfaqi Eva dhe disa të krishterë në kohën e Pavlit?

      16 Në Eden, Satanai pati sukses duke joshur Evën me anë të dëshirës së saj egoiste për pavarësi. Eva donte të vendoste vetë se çfarë ishte e drejtë dhe e gabuar. (Zanafilla 3:1-6) Në shekullin e parë, disa në kongregacionin e krishterë kishin një frymë të ngjashme pavarësie. Mendonin se dinin më tepër se Pavli e, me qesëndi, ai i quajti apostuj tejet të shquar.​—2 Korintasve 11:3-5; 1 Timoteut 6:3-5.

      17. Ç’duhet të bëjmë për të mos zhvilluar frymën e pavarësisë?

      17 Në botën e sotme, shumë njerëz janë «kokëkrisur, të krekosur» dhe disa të krishterë janë ndikuar nga kjo mënyrë të menduari. Madje disa janë bërë kundërshtarë të së vërtetës. (2 Timoteut 3:4; Filipianëve 3:18) Kur bëhet fjalë për adhurimin e pastër, është jetësore të kërkojmë drejtim nga Jehovai e të bashkëpunojmë me ‘skllavin e besueshëm e të matur’ dhe me pleqtë e kongregacionit. Kjo është një mënyrë për të kërkuar drejtësinë dhe na mbron që të mos zhvillojmë frymën e pavarësisë. (Mateu 24:45-47; Psalmi 25:9, 10; Isaia 30:21) Kongregacioni i të mirosurve është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». Jehovai e ka siguruar që të na mbrojë e të na drejtojë. (1 Timoteut 3:15) Pranimi i rolit thelbësor të kongregacionit, do të na ndihmojë ‘të mos bëjmë asgjë nga uni’, por me përulësi t’i nënshtrohemi vullnetit të drejtë të Jehovait.​—Filipianëve 2:2-4; Proverbat 3:4-6.

      Jini imitues të Jezuit

      18. Në cilat mënyra nxitemi të imitojmë Jezuin?

      18 Bibla thotë në mënyrë profetike për Jezuin: «Ti e do drejtësinë dhe e urren ligësinë.» (Psalmi 45:7; Hebrenjve 1:9) Sa mirë është të imitojmë këtë qëndrim të shkëlqyer! (1 Korintasve 11:1) Jezui jo vetëm që i njihte normat e drejta të Jehovait, por i donte ato. Kështu, kur e tundoi Satanai në shkretëtirë, Jezui nuk ngurroi fare, por me vendosmëri refuzoi të shmangej nga ‘shtegu i drejtësisë’.​—Proverbat 8:20; Mateu 4:3-11.

      19, 20. Cilat rezultate vijnë, kur kërkojmë drejtësinë?

      19 Është e vërtetë se dëshirat e mbrapshta të mishit mund të jenë të forta. (Romakëve 7:19, 20) Por, nëse drejtësia është e shtrenjtë për ne, kjo do të na japë forcë që t’i kundërvihemi ligësisë. (Psalmi 119:165) Dashuria e thellë për drejtësinë do të na mbrojë, kur të gjendemi përballë së keqes. (Proverbat 4:4-6) Mos harroni se, sa herë që i dorëzohemi tundimit, i japim një fitore Satanait. A s’është më e mira t’i kundërvihemi atij dhe t’ia japim fitoren Jehovait?!​—Proverbat 27:11; Jakovi 4:7, 8.

      20 Ngaqë kërkojnë drejtësinë, të krishterët e vërtetë, ‘falë Jezu Krishtit, japin me bollëk fryt të drejtë, në lavdi dhe lëvdim të Perëndisë’. (Filipianëve 1:10, 11) Ata veshin «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë». (Efesianëve 4:24) I përkasin Jehovait dhe jetojnë për t’i shërbyer atij, jo për të kënaqur veten. (Romakëve 14:8; 1 Pjetrit 4:2) Kjo u drejton mendimet dhe veprimet. Sa shumë ia kënaqin zemrën Atit të tyre qiellor!​—Proverbat 23:24.

      [Shënimet]

      a Prindërit mund të gjejnë sugjerime të dobishme se si ta mbrojnë familjen nga ndikimet imorale, në librin Sekreti i lumturisë familjare, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

      b Gjymtimi gjenital femëror më parë quhej rrethprerja e femrave.

Botimet shqip (1993-2025)
Shkëputu
Hyr me identifikim
  • shqip
  • Dërgo
  • Parametrat
  • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
  • Kushtet e përdorimit
  • Politika e privatësisë
  • Parametrat e privatësisë
  • JW.ORG
  • Hyr me identifikim
Dërgo