Pikëpamja e Biblës
Uniteti i besimit në martesë: Pse është i rëndësishëm?
NJË familje ulet për të ngrënë darkë. Ndërsa babai thotë një lutje, mamaja i lutet në heshtje një perëndie tjetër. Në një familje tjetër gruaja adhuron në kishë, ndërsa i shoqi frekuenton sinagogën. Ka familje ku njëri prind u mëson fëmijëve për Santa Klausin (Plakun e Vitit të Ri), ndërsa tjetri u flet për Hanukahun
Sipas studimeve të kohëve të fundit, skena të tilla janë bërë të zakonshme, ndërkohë që më shumë njerëz po martohen jashtë fesë së tyre. Një studim tregon se në Shtetet e Bashkuara, 21 për qind e katolikëve martohen tani jashtë fesë së tyre, midis mormonëve shifra është 30 për qind, për myslimanët 40 për qind dhe për judenjtë më shumë se 50 për qind. Duke pasur parasysh shekuj të tërë armiqësie fetare, disa i konsiderojnë martesat mes besimeve të ndryshme si një fitore mbi intolerancën. Një gazetar shkroi: «Martesat e përziera, thuajse të çdo lloji, duhen festuar.» A është kjo pikëpamja e Biblës?
Duhet vërejtur që Bibla nuk i mbështet paragjykimet raciale ose etnike. Fjala e Perëndisë nxit paanshmërinë raciale. Apostulli Pjetër foli qartë mbi këtë pikë: «Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) Në të njëjtën kohë, Bibla mëson që adhuruesit e vërtetë të Jehovait duhet të martohen «vetëm në Zotërinë». (1. Korintasve 7:39) Përse?
Qëllimi i martesës
Perëndia kishte për qëllim që martesa të ishte një lidhje veçanërisht e ngushtë. (Zanafilla 2:24) Me themelimin e rregullimit të martesës, Perëndia kishte ndër mend më shumë sesa shoqërinë. Kur i caktoi çiftit të parë detyrën që të rritnin fëmijë dhe të kujdeseshin për shtëpinë e tyre parajsore, Jehovai tregoi se ata duhej të punonin ngushtësisht së bashku në përmbushjen e vullnetit të tij. (Zanafilla 1:28) Duke bashkëpunuar në këtë aspekt të shërbimit ndaj Perëndisë, burri e gruaja do të gëzonin jo thjesht shoqërinë, por një unitet të ngushtë e të përhershëm.—Krahaso Malakinë 2:14.
Jezui e përmendi këtë unitet, kur tha fjalët e mirënjohura: «Ata nuk janë më dy, por një mish. Prandaj, atë që Perëndia e ka vënë bashkë nën një zgjedhë, le të mos e ndajë asnjë njeri.» (Mateu 19:6, BR) Jezui përdori një gjuhë metaforike, duke e krahasuar lidhjen martesore me një zgjedhë që i mban dy kafshë pune së bashku, në mënyrë që të tërheqin a të lëvizin një ngarkesë të përbashkët. Imagjinoni tensionin që ushtrohet mbi dy kafshë të mbrehura, të cilat tërheqin në drejtime të kundërta! Ngjashëm, ata që martohen jashtë besimit të vërtetë, mund të shohin se po tensionohen për të jetuar sipas parimeve biblike, ndërkohë që bashkëshorti kundërshton. Në mënyrë të përshtatshme, Bibla thotë: «Mos u vini në mënyrë të pabarabartë nën një zgjedhë me jobesimtarët.»—2. Korintasve 6:14, BR.
Martesë më e mirë
Uniteti në adhurimin e vërtetë mund ta forcojë shumë një martesë. Një shkrimtar komentoi: «Adhurimi së bashku është një nga tiparet e rëndësishme dalluese të familjeve të forta e të lumtura.» Predikuesi 4:9, 10 thotë: «Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Në fakt nëse rrëzohen, njëri ngre tjetrin.»
Kur e përqendrojnë jetën mbi adhurimin e tyre, një çift i krishterë është i bashkuar jo vetëm fizikisht, por edhe frymësisht. Ndërsa luten së bashku, studiojnë Fjalën e Perëndisë së bashku, mblidhen me të bashkëkrishterët dhe ndajnë besimin e tyre me të tjerët, ata farkëtojnë një lidhje frymore që e rrit mjaft afrimitetin në marrëdhënien e tyre martesore. Një grua e krishterë komentoi: «Adhurimi i vërtetë është një mënyrë jetese. Nuk mund ta imagjinoj që të zgjedh të martohem me dikë që nuk ka po atë themel nga i cili përcaktohet kush jam unë dhe ç’lloj personi jam.»—Krahaso Markun 3:35.
Ata që martohen «në Zotërinë» mund të presin që bashkëshortët e tyre të imitojnë sjelljen e Jezuit. Burrat e krishterë duhet t’i trajtojnë gratë e tyre ashtu siç trajtoi Jezui në mënyrë të dashur kongregacionin. Gratë e krishtere duhet t’i trajtojnë burrat e tyre me respekt. (1. Korintasve 11:3; Efesianëve 5:25, 29, 33) Të krishterët veprojnë kështu të shtyrë prej dëshirës për t’u pëlqyer jo thjesht bashkëshortëve të tyre, por për t’i pëlqyer Perëndisë, i cili i konsideron përgjegjëse çiftet e martuara për mënyrën se si e trajtojnë njëri-tjetrin.—Malakia 2:13, 14; 1. Pjetrit 3:1-7.
Përkrahja me vendosmëri e një tërësie të përbashkët bindjesh i ndihmon çiftet e krishtere edhe që t’i zgjidhin mospajtimet me paqe. Bibla i këshillon të krishterët që të qëndrojnë të përqendruar «jo në interesin personal vetëm për çështjet [e tyre], por edhe në interesin personal për ato të të tjerëve». (Filipianëve 2:4, BR) Pavarësisht nga preferencat personale, bashkëshortët që janë të bashkuar në besim e konsiderojnë Fjalën e Perëndisë si autoritetin e përbashkët për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshje. (2. Timoteut 3:16, 17) Në këtë mënyrë, ata ndjekin këshillën e Biblës për të krishterët, që të jenë të ‘një mendjeje’.—1. Korintasve 1:10; 2. Korintasve 13:11; Filipianëve 4:2.
Tërheqja dhe vlerat e përbashkëta
Duhet thënë se një marrëdhënie përfshin më shumë sesa pasjen e të njëjtit besim. Edhe tërheqja reciproke është një faktor. (Kantiku i kantikëve 3:5; 4:7, 9; 5:10) Por, që një martesë të jetë e qëndrueshme, është vendimtare pasja e vlerave të përbashkëta. Sipas librit Are You the One for Me? (A je personi që bën për mua?), «çiftet që kanë vlera të ngjashme, kanë shumë më tepër mundësi për të krijuar një marrëdhënie të lumtur, të harmonishme dhe të qëndrueshme».
Mjerisht, ata njerëz që ndihen të tërhequr ndaj njëri-tjetrit mund të mos merren me mospajtimet serioze deri pas martesës. Për të bërë një krahasim, imagjinoni që blini një shtëpi, kryesisht ngaqë ju pëlqen pamja e saj. Vetëm pasi transferoheni në të, mësoni se themeli është i paqëndrueshëm. Me një themel të pasigurt, të gjitha tiparet tërheqëse të shtëpisë nuk kanë më vlerë. Ngjashëm, dikush mund të ndihet i tërhequr ndaj një personi që duket se është i përshtatshëm, i cili ka një besim të ndryshëm. Por pas martesës mund të dalë se marrëdhënia e tyre ka të meta serioze.
Shqyrtoni disa çështje të vështira, që mund të nxjerrin krye më pas në martesat mes njerëzve me besime të ndryshme: Ku do të shkojë familja për të adhuruar? Çfarë edukimi fetar do të marrin fëmijët? Cilin besim do të përkrahë financiarisht familja? A do të ngulë këmbë njëri bashkëshort që të marrin pjesë së bashku në disa zakone e festa fetare që tjetri i konsideron pagane? (Isaia 52:11) Çdo martesë kërkon që secili nga partnerët të bëjë rregullime të arsyeshme. Por, të bësh kompromis me parimet biblike, madje edhe për të ruajtur një martesë, është diçka e papranueshme për Perëndinë.—Krahaso Ligjin e përtërirë 7:3, 4; Neheminë 13:26, 27.
Për të mbajtur paqen në marrëdhënien martesore, disa çifte në martesa të ndara nga ana fetare e praktikojnë besimin e tyre në mënyrë të pavarur. Veçse, mjerisht, adhurimi në mënyrë të pavarur krijon një boshllëk shpirtëror në martesë. Një grua e krishterë, e martuar me një burrë që nuk kishte të njëjtin besim me të, tregonte: «Edhe pse kishim 40 vjet të martuar, burri im nuk më njihte me të vërtetë.» Në të kundërt, një martesë në të cilën të dy bashkëshortët adhurojnë «në frymë dhe në të vërtetën» ka në qendër të vet Perëndinë. Siç thotë në mënyrë poetike Bibla, «një litar tresh nuk këputet aq shpejt».—Gjoni 4:23, 24; Predikuesi 4:12.
Po fëmijët?
Disa që kanë ndër mend martesën me dikë të një besimi të ndryshëm, ndoshta mendojnë që mund t’i ekspozojnë fëmijët e tyre ndaj të dyja besimeve dhe t’i lejojnë ata që të zgjedhin. Vërtet, që të dy prindërit kanë të drejtën ligjore dhe morale për të dhënë edukim fetar dhe, përfundimisht, fëmijët e marrin vendimin e tyre.a
Bibla i udhëzon fëmijët që t’u binden të dy prindërve «në bashkim me Zotërinë». (Efesianëve 6:1, BR) Fjalët e urta 6:20 e shprehin kështu këtë gjë: «Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.» Në vend që të ekspozohen ndaj doktrinave të ndryshme, fëmijët e rritur nga dy prindër që kanë besim të përbashkët, janë të bashkuar në atë që Bibla e quan «një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm».—Efesianëve 4:5; Ligji i përtërirë 11:19.
Me të vërtetë «në Zotërinë»
Meqë pasja e vlerave të përbashkëta është një çelës drejt një martese të suksesshme, a do të ishte e mençur të martoheshe thjesht me këdo që pohon se është i krishterë? Bibla përgjigjet: «Ai që thotë se qëndron në [Jezuin], duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.» (1. Gjonit 2:6) Kështu, një i krishterë që mendon për martesën do të kërkonte një të bashkëkrishterë që përpiqet me të vërtetë të ndjekë Jezuin. Ky bashkëshort i ardhshëm do t’ia ketë dedikuar jetën Perëndisë dhe do të jetë pagëzuar. Ai do të jetë duke imituar personalitetin e dashur të Jezuit dhe predikimin e tij të zellshëm për Mbretërinë e Perëndisë. Ashtu si në rastin e Jezuit, ai do ta ketë përqendruar jetën e vet rreth bërjes së vullnetit të Perëndisë.—Mateu 6:33; 16:24; Luka 8:1; Gjoni 18:37.
Duke pritur me durim për një bashkëshort të përshtatshëm brenda familjes së adhuruesve të Perëndisë, ata që mendojnë për martesën vendosin një model të vënies së vullnetit të Perëndisë në radhë të parë në jetën e tyre. Ky model do t’i kontribuojë në fund një martese më të lumtur e më të kënaqshme.—Predikuesi 7:8; Isaia 48:17, 18.
[Shënimi]
a Shiko artikullin «Pikëpamja e Biblës: A duhet ta zgjedhin fëmijët fenë e tyre?», në Zgjohuni! të 8 marsit 1997, faqet 26-27, anglisht. Gjithashtu, shiko faqet 24-25 të broshurës Dëshmitarët e Jehovait dhe arsimimi, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., 1995.
[Kutia në faqen 20]
Ndihmë për familjet e ndara nga ana fetare
Për arsye të ndryshme, sot shumë çifte të martuara janë të ndara nga ana fetare. Disa individë mund të kenë zgjedhur një bashkëshort që i përket një feje të ndryshme. Por shumë çifte kanë filluar me një besim të përbashkët dhe janë ndarë më vonë nga ana fetare, kur njëri nga bashkëshortët ka adoptuar një formë tjetër adhurimi. Mund të ketë edhe rrethana të tjera që shkaktojnë ndarje fetare në familje. Megjithatë, pavarësisht nga shkaqet, betimi martesor nuk duhet thyer ose nënvlerësuar, thjesht sepse bashkëshortët nuk janë në një mendje mbi zgjedhjen e fesë. Bibla e nderon shenjtërinë dhe qëndrueshmërinë e martesës, madje dhe kur bashkëshortët nuk janë të bashkuar në adhurim. (1. Pjetrit 3:1, 2) Apostulli Pavël shkroi: «Në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.» (1. Korintasve 7:12) Nëse zbatohen, parimet që gjenden në Bibël mund ta ndihmojnë çdo çift të martuar që të gëzojë paqen në një marrëdhënie të dashur dhe plot respekt.—Efesianëve 5:28-33; Kolosianëve 3:12-14; Titit 2:4, 5; 1. Pjetrit 3:7-9.